ArteKronika

‘Nderi i Kombit’ për valltarët Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi dje dy valltarët e Ansamblit Kombëtar të Valleve, Rexhep Çelikun dhe Liljana Cingun me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” për kontributin ndër vite.

Në një ceremoni në Presidencë, Presidenti Meta vlerësoi dy emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe kulturës së kombit shqiptar, dy figurat, dy personalitetet që, me pasion, përkushtim, vetëmohim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarëkombëtare: “Perëndeshën e valles” Liljana Cingu, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si soliste me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit si dhe përçimin e folklorit tonë tek brezat e artistëve të rinj” si dhe “Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës së tij drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta u shpreh se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë.

“Ata ngritën në këmbë dhe pushtuan zemrat e spektatorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit, muzikës dhe trashëgimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë.

Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar,” theksoi Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës nënvizoi gjithashtu se: “asnjëherë nuk do të mjaftonin fjalët dhe aktet për të shprehur atë që këta dy simbole të kulturës sonë meritojnë në vlerësim të veprës dhe kontributit të tyre mbarëkombëtar.”

Cingu duke shprehur mirënjohjen vuri në dukje se puna të bën që ta ndajë këtë vlerësim e t’ua dedikojë koreografëve, pa koreografitë e të cilëve apo perlat e tyre të valleve “ne nuk do të ishim askush në skenë. I falënderoj të gjithë dhe falënderimi më i madh i shkon kolektivit tonë që është një ansambël e që ka bërë epokë dhe do të vazhdojë të bëjë një epoke në skenat shqiptare dhe më gjerë.”

Zoti Çeliku, pasi mori në dorëzim Dekoratën e lartë nga Presidenti Meta, të cilit i shprehu falënderimet, vuri në dukje se: “ky vlerësim është shumë i vlefshëm jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin, me të cilin kemi pasur nderin të punojmë.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button