Home / Rajoni / Maqedonia / Virusi i përçarjes infekton edhe Lëvizjen “Besa”

Virusi i përçarjes infekton edhe Lëvizjen “Besa”

Një nga subjektet më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni, i cili te një pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare në Maqedoni, por edhe nga analistë dhe politikanë të shumtë në mbarë trojet shqiptare, shihej si alternativë serioze për avancimin e pozitës dhe çështjes kombëtare në Maqedoni, Lëvizja “Besa”, po kalon çaste të vështira, pasi një pjesë e organeve partiake shkarkoi kryetarin aktual Bilall Kasamin.

Zhvillimet e fundit në forcën e dytë politike në bllokun shqiptar në Maqedoni, si duket, pashmangshëm çojnë drejt një përçarjeje serioze, pasi që tashmë janë definuar dy grupacione, shkruan Gazeta Express. Njëri është i ashtuquajturi grup i Shkupit, i cili ka grumbulluar pjesën më të madhe të anëtarëve të organeve partiake, dhe i cili e shkarkoi Kasamin dhe në vend të tij kryetar të përkohshëm, deri në kongresin e ardhshëm të Partisë, e emëroi Nexhmedin Karemanin. Grupi i dytë është ai i Tetovës, i cili vazhdon ta përkrahë Kasamin dhe nuk i njeh vendimet e Shkupit.

Kulmi i tensioneve u arrit dje kur Kasami, bashkë me pjesëtarë të degës së Tetovës, me dhunë janë futur në selinë e Lëvizjes në Shkup, duke e thyer derën. Sigurimi i objektit ka thënë se nuk ka mundur t’i ndalë, pasi që sulmuesit kanë qenë të shumtë në numër, ndërsa në komunikatën e nënshkruar nga u.d. kryetari Karemani thuhet edhe se shumë prej tyre kanë qenë të armatosur. Kasami në një intervistë mbrëmë i ka quajtur shpifje pohimet se është përdorur dhunë dhe se ka pasur persona të armatosur.

Përçarja në Lëvizjen “Besa” nisi pasi që 64 nga gjithsej 107 anëtarë të Këshillit Qendror të Partisë, bashkë me tre nga pesë deputetët e saj kanë vendosur ta shkarkojnë liderin e deritashëm Bilall Kasamin, të cilin e mbajnë përgjegjës për rezultatet e dobëta në zgjedhjet e fundit lokale, në të cilat madje as ai vetë nuk arriti të fitojë në garën për Tetovën, përkundër përkrahjes nga Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës. Deri në mbajtjen e kongresit partiak, të cilin dega e Tetovës e caktoi për më 24 shkurt, por që tash nuk dihet sigurt se kur do të mbahet, detyrën e kryetarit do ta ushtrojë deputeti i kësaj partie, Nexhmedin Karemani.

Kasami kishte refuzuar të japë dorëheqje, pavarësisht se këtë akt e kishte premtuar në rast të humbjes. Ndërkohë që nënkryetari i partisë, Zeqerija Ibrahimi, kishte ofruar dorëheqje pas disfatës në Çair.

Lëvizja BESA, një forcë mjaft e re politike, u krijua në 2014-tën, si vullnet i një grupi të pakënaqur me përfaqësimin që po u bëhej shqiptarëve në skenën politike të Maqedonisë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në dhjetor 2016, arriti të fitojë pesë vende në Kuvend, duke u radhitur kështu partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoni, pas Bashkimit Demokratik për Integrim. Por, në zgjedhjet e sivjetme vendore nuk arriti ta verifikojë rezultatin e mirë, duke mos fituar në asnjë komunë që llogaritet si një dështim të madh, ndërsa faji më i madh për këtë i përshkruhet Bilall Kasamit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: