Home / Politika / Kryemadhi: Nuk ka për ta veshur më njeri xhaketën e tij, mbaroi koha e tij

Kryemadhi: Nuk ka për ta veshur më njeri xhaketën e tij, mbaroi koha e tij

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, dhënë në televizionin “News24”

 Cila ka qenë porosia që u keni dhënë kryetarëve të LSI-së në rrethe sot?

Nuk është thjesht ideja që të mblidhem thjesht në shesh më 27 janar. Për është ideja të zgjojmë ndërgjegjen kombëtare, që të mos kenë më frikë nga qeveria e narko-shtetit por të zgjohen. Ta largojmë këtë qeveri të narko-shtetit është mision kombëtar dhe do të jetë tradhti kombëtare nëse do ta lejojmë Edi Ramën të largojë shqiptarët nga Shqipëria. Data 27 është vetëm fillimi i protestave të cilat do të vazhdojnë hap pas hapi dhe do të jenë të pandalshme. Edhe po të dojë opozita t’i ndalë nuk do të ndalen vetë qytetarët.

Sa i gjerë është ky kamp opozitar dhe a ju shqetëson fakti që disa prej aleatëve kanë shprehur shqetësime në lidhje me marrëdhënien mes jush dhe PD-së.  Si Mediu dhe Ndoka janë dashamirës ndaj marrëdhënies që është krijuar së fundi mes LSI dhe PD. Ai që është skeptik i cili e konsideron dëm për PD një fejesë me nusen e divorcuar nga PS që i bie të jetë LSI.

E para unë do ta filloj me fjalinë që thotë Doktor Berisha. Fronti opozitar ka nevojë për çdo grimcë opozitare. Ne duam bashkimin e çdo opozitari për të rrëzuar këtë narko-qeveri, gjë që është shumë e rëndësishme. Ne kemi votat tona kemi fuqinë tonë në elektorat. Nuk duam vende në listat e deputeteve të PD-së dhe nuk duam as të ndajmë telat e një qeverie imagjinare. Unë nuk mendoj që ky është problemi që ka sot opozita shqiptare. Problemi kryesor që kanë sot shqiptarët, është që Shqipërisë po i rrezikohet demokracia dhe një vend që të ketë demokraci duhet të ketë një opozitë të fortë. Që kjo opozitë të jetë e fortë është shumë shpejt të mendosh se çdo bësh ti për qeverisjen. Sot ka një qëllim, të rrëzojmë Edi Ramën. Ai është problemi që kanë shqiptarët sot. Këto gjërat e tjera pastaj janë historira për të bërë aludime, për të nxjerrë tituj gazetash që i drejton Endri Fuga apo për të ndenjur poshtë pallatit të Erion Veliajt apo Engjëll Agacit për të kap ndonjë tender. Mund të ketë dhe nga LSI që kanë këto mendime, nuk ka asnjë lloj problemi, kushdo që të jetë me Edi Ramën, të shkojë me Edi Ramën. Kush do që të bëjë opozitë të vërtet, të bëjë opozitë të vërtetë. Ne e kemi ndarë mendjen nuk ndalemi. Edhe po të shikosh nga qëndrimi i z. Basha edhe PD e kanë ndarë mendjen me datën 27 ora 12:00 ne jemi në shesh. Pastaj nëse opozitën do ta drejtojë Edi Rama, kjo është tjetër gjë por opozitën tonë nuk e drejton dot ai. Dhe kjo është një gjë shumë e qartë. Koha e Edi Ramës mbaroi dhe nuk ka për ty kthyer më. Pse? Ka shpërngulur gjithë shqiptarët, ka shkatërruar Shqipërinë, familjen shqiptare, arsimin shqiptar, shëndetësinë shqiptare, ekonominë shqiptare. Ka mbyllur me qindra mijëra vende pune. Ka larguar investitorët e huaj, vendas. Me qindra dhe mijëra kompani shqiptare po mbyllen dhe ikin po transferohen nëpër vende të tjera sepse kanë sistem politik dhe ekonomik më lehtësues. Do të ngrihen gjithë ata shqiptarë që janë kundra gjobave, korrupsionit, atyre që ju marrin para për tu zgjidhur hallet. Kundër gjithë atyre të cilët ua kanë marrë shpirtin çdo ditë dhe më shumë shqiptarëve. Kështu që nëse do fillojmë jo kështu, jo ashtu kjo është gjë tjetër. Këtu problem qëndron Edi Rama dhe largimi i tij. Ky është qëndrimi ynë , kjo është edhe po themi bashkëbisedimi ynë që kemi me z. Basha. Sepse aleatët e PD kanë hyrë me PD në zgjedhjet e 2017,  ne kemi hyrë më vete. Kemi votat tona, elektoratin tonë, i cili çdo ditë dhe më shumë do të rritet me të gjithë ata socialistë dhe njerëz të zhgënjyer nga situata.

Është pohuar një ditë më parë nga ai vend ku jeni ju, nga z. Paloka se shumë shpejt do të afrohen parti të tjera ne frontin e djathtë duke aluduar kështu partitë e majta. Keni dijeni për to dhe kush janë?

Jemi në diskutime, sigurisht mos të harrojmë që në gjithë këtë periudhë, pra gjithë ai intimidim që ju bë shqiptarëve në zgjedhjet e 25 qershorit, gjithë ai presion jo vetëm policor por edhe një presion i jashtëzakonshëm financiar dhe kriminal ndaj shqiptarëve. Krijoi atmosferën e një diktature gjë që dashje pa dashje po çorientonte jo vetëm socialistët vetë por edhe gjithë shoqërinë shqiptare. Sot shqiptarët kudo që janë nëpër shkolla nëpër spitale, kanë frikë të flasin, nuk kanë marrë rrogat, sot nuk kanë marrë rrogat se nuk ka para, nuk ka likuiditet. Kanë frikë të flasin. Po si mund të çelet thesari kur ti investimet e huaja për 2017 i ke zero, kur të ardhurat doganore dhe tatimore i ke minus. Sepse i ke kthyer të gjitha në shërbim të ç-5 klientëve të tu. Normal që nuk do ketë.

Pra do të ketë surpriza në protestën e 27 janarit, do të shohim parti të majta që renditen me ju të protestojnë përpara kryeministrisë, për të rrëzuar Edi Ramën?

Duhet parë se sa shumë qytetare dhe qytetarë do të ketë në protestë. Gjë që është shumë e rëndësishme. Ka të bëjë me pjesëmarrjen, me angazhimin, me të gjithë atë njerëz që ndihen të lodhur dhe të dëshpëruar nga kjo qeverisje e cila çdo ditë e më shumë është kapur. Thashë, ka dy rrugë, ose të përzërë Edi Rama, karteli i drogës, kriminelët, oligarkët, të përzënë të gjithë shqiptarët, ose të çohen shqiptarët dhe të përzënë këtë fatkeqësi kombëtare që i ka rënë këtij vendi.

 Nuk doni mesa duket të jepni më shumë detaje me partitë e majta që mund të afrohen te ju. Pse?

Nuk mund të marr dot atributet sepse z. Paloka mund të ketë pasur negociata me kryetarë partish të tjera, unë ndërkohë kam pirë kafe, kam diskutuar me kryetarë partish të tjera. Qëllimi ynë nuk është thjesht për të afruar subjekte politike, sesa për të ndërgjegjësuar opinionin publik, se tashmë ka ardhur momenti se të sëmurit të Shqipërisë që është Edi Rama ti heqim prizën.

Çfarë do të ndodhë kryesisht me aksionin opozitar znj. Kryemadhi?

Sigurisht që do të kemi një axhendë politike përsa i përket protestave. Do të jetë një axhendë e cila do të ndërtohet në një mënyrë rigoroze dhe do të zbatohet në mënyrë rigoroze, sepse një plan dhe një strategji e tillë është shumë e rëndësishme për të konsoliduar frontin opozitar kundër narko-shtetit. Dhe është shumë e rëndësishme për t’iu dhënë shpresën shqiptarëve që kjo opozitë e ka të vërtetë luftën e saj me Edi Ramën. Këtu nuk është më thjesht çështje pushteti. Ndërkohë kemi njerëz që nuk paguajnë asnjë taksë, që i zhvatin çdo ditë e më shumë janë njerëzit që përfitojnë më shumë nga shteti shqiptar. Gjithë populli e kupton se pse janë rritur çmimet, shpenzimet apo librar e shkollës për nxënësit. Ata u lodhën nga mashtrimet, u futën në punë për një muaj gjatë fushatës elektorale dhe i hodhën në rrugë, i kanë shfrytëzuar si kafshë pune dhe më pas i kanë lënë me vite të tëra papaguar. I kanë shfrytëzuar në mënyrën më të keqe shqiptarët dhe kjo është kaq e neveritshme saqë revolta e njerëzve është shumë e madhe, por diktatura e këtij shteti të drogës dhe të krimit, i ka bërë njerëzit të stepen. Ata duan t’i drejtosh dhe pikërisht ky është qëllimi që ka ndërmarrë fronti opozitar. Është çështja e një revolte e cila vjen dhe ka ardhur hapë pas hapi kur ne po shikojmë se ç’po ndodh me kapjen e institucioneve, të sistemit të drejtësisë, vjedhjen e pronave të shqiptarëve dhe  me mos respektimin e elementëve kryesore e atyre qindrave apo mijëra njerëz që hiqen nga puna, të cilët janë nëpunës civil, ku hiqen në mënyrën më të padrejtë që mund të ekzistojë. Kjo protestë përmbledh shumë gjëra. Duhet ta dini që Edi Rama tani do u shkojë nëpër shtëpi njerëzve, njësoj siç bëri për zgjedhje. Ai nuk ka parë gjë akoma. E them këtë sepse ai historikisht ka pasur një plan që e ka realizuar, pra e  mbushi Shqipërinë me kanabis dhe e ktheu në nyjën kyçe të trafikut të drogave. Këtë e ka thënë edhe raporti i CIA-s. E ka kthyer Shqipërinë në një vend që shqiptarët po shpërngulen dhe pjesa më aktive e energjike ikin për një jetë më të mirë jashtë vendit. Ai i ka kthyer shqiptarët në skllevër apo argatë të krimit të organizuar. Kështu që hapat tona do jenë të njëpasnjëshme, nuk do ketë ndalesë dhe të jeni të bindur që edhe populli nuk do të dojë të ndalet.

Në fakt ju keni përmend çizmen e protestës, çfarë do të thotë kjo? Nënkupton dhunë apo do ketë protesta të qeta?

Çizmja e protestës është çizmja kundër drogës dhe krimit të organizuar. Protestat do jenë demokratike dhe kjo opozitë me të mirat dhe të këqijat e saj, duke i bërë analizën vetes së saj, do  përpiqet që ti japë mundësi shqiptarëve për të parë shpresën dhe mundësinë për të jetuar dhe punuar në Shqipëri. Tashme besoj se ka ardhur koha për të pasur një klasë politike të re, jo atë që thoshte Edi Rama se më pas doli të ishte politika më e vjetër që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ju do të  shihni një protestë të qetë, demokratike e pa dhunë. Ne nuk kemi bërë ndonjëherë protestë të dhunshme, por ka qenë policia që plagosi deputeten. Gjithashtu ishte deputeti socialist që goditi një vajzë 25 vjeçe atje dhe ndërkohë ishte një kryeministër që zgërdhihej.

Nëse protestat zgjasin dhe ndoshta përshkallëzohen më tej, a mendoni se vini në pozita të vështira presidentin e Republikës?

Presidenti ka autoritetin e tij dhe unë nuk e përfaqësoj atë aty ku unë jam. Unë përfaqësoj votat e LSI-së, elektoratin që më ka zgjedhur mua deputete në Elbasan, mbështetësit dhe ata që votuan LSI-në dhe do përfaqësoj gjithë ato gra dhe vajza të tjera që duan të bëhen pjesë e politikës, të jenë aktive dhe që të kenë zërin e tyre.

A do jetë LSI në parlament ndërkohë? Z. Basha tha se protestat do të vazhdojnë dhe se deputetët e PD-së do të jenë atje. Po ju?

Ne nuk e kemi bërë mbledhjen e grupit, por do ta zhvillojmë ditën e  enjte. Ne do të marrim vendimin por që besoj që do jetë i ngjashëm me atë të Partisë Demokratike. Ne kemi qenë gjithnjë kundër bojkotit dhe jemi prezent në parlament për të mos e lënë Edi Ramën të vazhdojë planet e tij të inkriminimit dhe kapjes së institucioneve. Deri dje kishte LSI-në dhe e akuzonte për çdo gjë, ndërsa sot që nuk e ka LSI e ka të gjithë tepsinë për veten e tij.

Ka parashikuar fronti opozitar të ketë një formë proteste edhe brenda seancës parlamentare, pra mos ta lejojë zhvillimin normal të saj?

Siç e tha edhe z. Basha, ne do jemi në një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin sepse është një parlament që ka dalë nga shinat e legjitimitetit edhe pse mazhorancën e mandateve të tij, e ka me paratë e drogës. Është një parlament i cili duhet të kthehet në radhë të parë në kushtetutshmëri, ku Edi Rama e shkeli në rastin e fundit i cili ishte shumë i turpshëm. Ai veprim ndodhi si pasojë e frikës që e ka zënë Edi Ramën dhe e ka kthyer atë në një njeri të pakontrollueshëm, ku vazhdon të bëjë gabime të cilat do t’i kushtojnë shumë në të ardhmen.

Ju thoni se protestat tuaja kanë vetëm një qëllim, rrëzimin e qeverisë Rama. Pse jeni të bindur që do rrëzohet Rama përmes këtyre protestave? Nëse nuk ndodh, çfarë do bëni?

Unë jam e bindur që Edi Rama do largohet sepse do jenë vetë socialistët që do ta rrëzojnë.

Keni ndonjë koment për lirimin nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Haki Çako?

Kjo është një lojë tjetër e Edi Ramës për të hequr mendjen nga protesta. Ai e bën këtë për të treguar se me lirimin e tij nga detyra, po largohet nga trafiku i drogës. Këto janë skema shumë demode që i bën Edi Rama. Frika e ka nxjerrë nga bërja e bukur e politikës, ku e ka futur në një politikë mediokre dhe në një situatë shumë vulgare, ku edhe fëmijë e kuptojnë se si ai e menaxhon lojën apo opinionin publik.

Keni kërkuar dje nga kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku informacione në lidhje me procesin e hetimit për kryeministrin Rama për thirrjet që ai ka bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit. Ndërkohë ju kujtoj që Rama ka kërkuar falje për një deklaratë të tillë. Ky është problemi kryesor që ka Shqipëria?

E para, ne ja kemi çuar Prokurorisë së përgjithshme. Znj. Marku nuk është prokurore e përkohshme, ma gjeni në ligje e kushtetutë ku thuhet kjo. Ne këtë letër e kemi bërë që në kohën e zgjedhjeve. Ia kemi dërguar dhe ish-prokurorit z. Llalla, dhe ne kërkojmë deri ku ka shkuar kjo çështje, e para. E dyta, përsa i përket faljes së Edi Ramës është si kjo puna e kësaj historisë, vret dikë dhe i thua më fal. Ky njeri thërret policinë, thërret ushtrinë, hidhni kapelet, vidhni votat për PS, bëhuni suport për bandat e krimit dhe për bandat e drogës, bën sikur thotë më falni dhe pastaj në dark thotë vazhdoni dhe pastaj thotë më fal. Për këtë gjë ai dënohet 3-7 vjet burg shpërdorim detyre dhe shkelje të Kushtetutës.

Ky është një nga faktet që ju besoni se shumë shpejt Edi Rama do të shkojë pas hekurave?

Është rasti për të treguar se znj. Marku është një prokurore e paanshme.

Ndërkohë keni fakte të tjera që fajësojnë kryeministrin?

Unë po i thashë të gjitha sot, çdo bëjë hapat e tjera pastaj? Nuk mund t’ia bëj kaq të lehtë Edi Ramës unë. Unë vërtet jam libër i hapur dhe nuk kam asnjë lloj kompleksi për ti thënë gjërat por çdo gjë ka kohën e vet dhe vendin e vet. Sepse nuk ka për të ndenjur dot vetë z. Rama pa i treguar gjërat e veta.

Një nga deputetët tuaj nuk e ka më mandatin e deputetit. Kjo me vendim të KQZ, me anë të cilit thuhet qartazi se ai ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. A është një tregues pozitiv se ky ligj po funksionon në gjykimin tuaj?

Ne si LSI e kemi votuar ligjin e dekriminalizimit dhe besoj që pavarësisht opinioneve që mund të mbajmë në mënyra të veçanta secili, tashmë çdo lloj gjëje që mund të themi nuk ka asnjë vlerë. Z. Rehovica do vazhdojë tu drejtohet gjykatave për të pastruar figurën e tij. Mandatin e tij tashmë do ta marrë znj. Silva Caka, pra nuk ka më kthim mbrapa, kështu që është e kotë që të vazhdojmë të diskutojmë për këtë gjë. Por ligji i dekriminalizimit është votuar në unanimitet dhe totalisht nga votat e LSI.

Kërkuat nga ambasadorët që punojnë në vendin tonë që të punojnë më shumë për çeljen e negociatave në BE dhe të mos merren shumë me punët tona të brendshme. Pse ky koment?

Ambasadorëve nuk iu kam kërkuar që të punojnë më shumë, por i kam kërkuar që të hapin negociatat. Unë shumë shpejt do t’i dërgoj dhe një letër z. Hahn, ku do të mbajmë qëndrimin e prerë të LSI që negociatat me Shqipërinë duhet të hapen menjëherë, sepse në këtë mënyrë i mbyllet oksigjeni Edi Ramës. Sepse i vetmi njeri i cili ka bllokuar hapjen e negociatave me BE dhe ka sabotuar reformën në drejtësi ka qenë Edi Rama. Janë dy procese që nxjerrin jashtë fushës së lojës Edi Ramën. Kështu që, ne do ta bëjmë legjitime, zyrtare me një letër që do t’i drejtohet z. Hahn dhe KE. Kjo është shumë e qartë, ne jemi shumë të kthjellët në axhendën tonë politike dhe ndërkombëtare. Për ne është Shqipëria e para. Përsa i përket punëve të brendshme politike sigurisht ata janë ambasadorë të vendeve të tyre dhe kryejnë misionet dhe shërbejnë midis marrëdhënieve që kanë me vendet e tyre. Përsa i përket politikës së brendshme shqiptare, votojnë shqiptarët në zgjedhje dhe nuk votojnë ambasadorët. Është politika shqiptare dhe qeveria shqiptare që mban përgjegjësi kanë bukë apo jo shqiptarët, nuk mbajnë përgjegjësi ambasadorët. Ambasadorët mbarojnë mandatet e tyre dhe largohen.

Lidhur me protestën e 27 janarit, ju synoni vetëm rrëzimin e Edi Ramës, apo të gjithë qeverisë?

Ti mendon se ka qeveri? Ku ka qeveri? Këto janë kukullat e Edi Ramës. Qeveria është e shpërbërë. Ti ke katër grupe interesi, klane mafioze siç thotë ambasadori amerikan, të cilat drejtojnë ekonominë shqiptare dhe që manipulojnë komplet sistemin. Po të kishte qeveri, do kishin njerëzit bukë të hanin. Rrëzimi i Edi Ramës do çlironte edhe PS. Largimi i Edi Ramës, shpëton PS në radhë të parë nga një njeri që e ka uzurpuar, do çlirohen të gjithë ata djem e vajza të reja që kanë aspiruar dikur në FRESH dhe sot janë nëna me fëmijë në PS dhe janë rrugëve, të papërfshira dhe të paimplementuara, do çlirohen të gjithë ata burra dhe gra që kanë kontribuuar për PS dhe do ti kthehet identiteti. PS nuk është rilindje. PS është një parti e cila ka vlerat e saj. Ça është rilindja? Një sekt kriminal i trafikut të drogës ndërkombëtar. E kemi harruar të gjithë ne ngjarjen me nënë Feriden. E mbani mend nënë Feridenë që ishte burgosur për kanabis? Ai ishte sinjali i parë që krijoi lidhjen e bandave të trafikut të drogës me Edi Ramën. Filloi nga kanabisi, me kokainë, heroinë. Sot del CIA dhe të thotë, nyja kyçe e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike ose drogave të rënda.

Çizmet e famshme vazhdoni t’i mbani të veshura?

Jo. Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë se me fjalën çizme njohin diktaturën.

Ne gratë nuk mendoni se duhet të luftojmë më fort për ta shkelur me këmbë dhunën?

Jezu Krishti tha që, po të të qëllojnë në një faqe, ktheji tjetrën. Unë jam shumë dakord, por kjo nuk ka të bëjë në rastin kur tempullin e uzurpuan tregtarët dhe Jezu Krisht përmbysi tavolinën. Pra, mos u merr me veprimin tim, por me veprimin e Edi Ramës që më detyroi mua që ta godasë atë me çizme. Jam shumë kundër dhunës, por nuk e di si do reagonte dikush nëse do shihte se fëmijët e vet do ja gjakosnin, apo vajzën tënde ta godasë me grusht një burrë. Dhe jo çizme, por të më jepte zoti fuqi dhe tavolinat e Parlamentit do ja hidhja në kokë Edi Ramës. Sepse jam nënë dhe emocionin e një nëne nuk mund të provojë një njeri që nuk ka ndonjë respekt për familjen. Kështu që është shumë e qartë. Sa i përket dhunës ne e dimë shumë mirë se kush ka lidhje me dhunën. Janë lidhje të drejtpërdrejta sa nuk ka nevojë të diskutohen. Për mua, ana politike e marrëdhënies time me të, është e ndarë sepse ai duhet të shpëtojë në radhë të parë veten e tij, familjen e tij, ti kthehet aktivitetit të tij artistik. Është xhaketë e vjetër. Mund të jesh xhaketë e vjetër dhe e varur në sirtarë dhe je pa rrudha, por mund të jesh dhe xhaketë e vjetër e zhubrosur, me rrudha dhe që s’ke më vlerë. Po bëhet shumë pis dhe është zhubrosur jashtëzakonisht shumë, biles ka filluar të shqepet. Nuk ka për ta veshur më njeri xhaketën e tij, mbaroi koha e tij.

 

 

 

5 comments

  1. Monika, nese qytetareve shqiptar, su pelqen qeverisja e kryeministrit Rama, le ta rezojn, por jo me topa, por me vota. Do ishte mir qe ju, qe bertisni e silleni ne parlament si rrugace, tu shpjegonje shqiptareve, se si u bere miljonere, e keto vite, se eprpara anje buke e djath.
    Portali Pamflet, jep perdit ne Ju tub, shifra maramendese te pasuri tuaj, te paluajteshme, qe ju me bashkeshortin tuaj dispononi, brenda e jasht vendit.
    Vetem vila ne lalaez qe e cfrytezoni per 15- apo 20 dit ne vit, kushon mbi nje milion Ero, pa folur per te tjerat.
    Si mer guximin te flasesh per varferi dhe ikje te shqiptareve, kur partia tuaj ka mbi 12 vite qe ska qen ne pushtet.

    Edi Rama e gjeti ne zgrip SHqiperin dhe po e zbukuron dhe po ben shtet.
    Qellimi tuaj, i Berishes dhe Bashes, esht, te krijoni krize politike, anarshi , destabilitet, qe te sabotohet rreforma ne drejtesi, ti shpetoni hetimit dhe gjukimit qe u pret dhe su ha meraku per popullin.
    Mjer ai shqiptar qe beson tek ju, Berisha e Basha,
    Kujdes bashkeatadhetar, sepse, nga siu dote bini ne bresher,

  2. Kryemadhi.Ti dhe kryehajduti Ilir meta para drejtesise shume shpejt.

    • Kuvendi i Shqiperise te kerkoje te sillet NATO ne Tirane dhe te behet pastrimi etnik i shqipetareve nga kopete e hajduterive te nipit te hajdutit Ahmet Zogo,kopese te hajduteve te Enver hoxha,lavires Nexhmije Haoxha,kopese te hajduteve te Fatos Nano dhe Ilir Meta,kopese te hajduteve te Sali Berishes,lulezim basha,Bujar Nishani,Adriatik Llalla,Xhezair Zaganjori Bashkim Dedja.Te clirohet populli shqipetar nga hajduterite dhe kriminelet shqipetare.

Leave a Reply to drejtesia Cancel reply

%d bloggers like this: