Home / Kronika / Shqipëria së shpejti me Konsullatë Nderi në Gjilan

Shqipëria së shpejti me Konsullatë Nderi në Gjilan

Republika e Shqipërisë do të hap së shpejti Konsullatën e Nderit në Gjilan ku do të ofrojë shërbime për gjithë rajonin e këtij qyteti dhe më gjerë.

Lajmi u bë i ditur sot gjatë një takimi të kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, thuhet në njoftimin për shtyp të komunës së Gjilanit.

“Është një konfirmim që jemi koordinuar për bashkëpunim që nga aktivitetet e “Flakës së Janarit 2018”, e deri në fund të vitit 2018. Jemi në kalendarin kombëtar për shënimin e vitit të Skenderbeut me aktivitete të përbashkëta në fushën e kulturës, por edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik dhe fusha të tjera që ndihmojnë rritjen e bashkëpunimit edhe mes bizneseve dhe qytetarëve, për të ndikuar në zhvillimin e të dy shteteve. Në muajin janar do të bëhet vendosja e bustit të Skënderbeut para institucionit të komunës së Gjilanit. Ky është edhe Viti i Flamurit sepse sivjet kemi shënimin e 50-vjetorit të demonstratave më të mëdha për përdorimin e flamurit në Kosovë”, theksoi kryetari Lutfi Haziri.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Minxhozi, tha se “në ciklin e vizitave që do të zhvillojë në komunat e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit në nivel lokal, kam zgjedhur pikërisht Gjilanin sepse është komuna me vizion të hapur dhe me nivel të lartë të bashkëpunimit, përkushtimit dhe vizionit të qartë për të ecur në rrugën e suksesit dhe të zhvillimit”.

Minxhozi bëri të ditur angazhimet e përbashkëta me Gjilanin në manifestimin mbarëkombëtar “Flaka e Janarit, si dhe për një aktivitet për gjuhën shqipe, me pjesëmarrje nga shumë komuna të Shqipërisë, organizimin e përbashkët të panairit të produkteve bujqësore me qëllim të zhvillimit të agrobiznesit nga të dyja shtetet, aktivitete sportive me qendër Gjilanin etj.

“Në Gjilan përveç gjithë këtyre aktiviteteve do të emërojmë një Konsullatë Nderi, që do të jap shërbime për gjithë këtë rajon, sepse Gjilanin ne e shohim si një vlerë të shtuar të marrëdhënieve tona, për t’i lëvizur përpara aktivitetet që janë në shërbim të qytetarëve të Gjilanit dhe fshatrave të tij”, u shpreh Minxhozi.

Haziri dhe Minxhozi biseduan edhe për vazhdim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në kulturë, arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, agro-kulturë dhe fusha të tjera

Leave a Reply

Your email address will not be published.