Politika

Meta-Kitarović, mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi sot në Zagreb një takim me Presidenten e Republikës së Kroacisë, zonjën Kolinda Grabar-Kitarović.

Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fortë që Presidentja Grabar-Kitarović dhe Kroacia i kanë dhënë Shqipërisë veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Duke iu referuar lidhjeve të forta historike dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe vizionit të përbashkët euroatlantik, Meta theksoi se, ka ardhur koha që këto marrëdhënie të ngrihen në nivelin e Partneritetit Strategjik.

Presidenti Meta vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar, që jeton në Kroaci si urë lidhëse në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

Të dy Presidentët ranë dakord që, në kuadrin e vitit të Skënderbeut, të zhvillojnë një vizitë të përbashkët tek komuniteti 300-vjeçar i Arbanasve të Zarës.

Të dy Presidentët theksuan domosdoshmërinë e vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vlerësuan rolin shumë të rëndësishëm që mund të luajë në këtë drejtim Procesi i Brdo-Brijunit.

Presidenti Meta shprehu besimin në mbështetjen e Kroacisë për çeljen së shpejti të negociatave të anëtarësimit në BE, mbështetje shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe inkurajuese për vijimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme.
Është jetike për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor një agjendë gjithëpërfshirëse dhe afate konkrete anëtarësimi në BE – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidentët Meta dhe Kitarović ranë dakord që vizita shtetërore e Presidentes kroate në Shqipëri të zhvillohet në muajt në vijim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button