Politika

Rama: Stimulim agro-turizmit në të gjithë vendin

Qeveria shqiptare ka vendosur të stimulojë agro-turizmin në të gjithë vendin, duke miratuar sot një vendim që përcakton një sërë standardesh për veprimtarinë e agro-turizmit.

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Lezhë u shpreh se, “duke pasur parasysh që kjo zonë ka disa shembuj frymëzues, të cilëve i jemi referuar për përgatitjen e një Programi Kombëtar, besoj që do të stimulojmë më tutje ecurinë në këtë drejtim, pasi potencialet këtu janë realisht të mëdha”.

Ky vendim, theksoi kreu i qeverisë, “përcakton një sërë standardesh për veprimtarinë e agro-turizmit, duke vendosur kritere minimale dhe maksimale që duhet të plotësojë çdo subjekt për të kryer një veprimtari, jo thjesht të klasifikuar si agro-turizëm, por edhe të mbështetur financiarisht nga qeveria, qoftë nëpërmjet incentivave fiskalë, qoftë nëpërmjet programeve të mbështetjes së sektorit nga financime të brendshme dhe evropiane”.

“Të gjitha subjektet që do të klasifikohen si agro-turizëm brenda kësaj kornize të miratuar sot do të pajisen me një certifikatë të posaçme nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit dhe do të kenë akses në financimet e brendshme dhe të huaja, dhe këtu kam parasysh programet e financimit nga Bashkimi Evropian”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen që në këtë sektor potenciali është i madh dhe ka mundësi për rritjen e punësimit.

“Javët në vijim do të miratojmë programin e incentivave për të lançuar programin e agro-turizmit”, theksoi kryeministri.

Në 100 fshatra në Shqipëri do të stimulojmë zhvillimin e integruar rural

“Një tjetër vendim i rëndësishëm i miratuar sot nga qeveria është ai i përcaktimit të një liste, pas një procesi të gjatë bashkëbisedimi me kryetarët e bashkive të 100 fshatrave në Shqipëri, ku do të stimulojmë zhvillimin e integruar rural për të krijuar modelin e ri të këtij zhvillimi, që do shtrihet dhe në pjesën tjetër të hapësirës rurale. Fishta është një prej 100 dallëndysheve të para të këtij zhvillimi rural që do mbështeten me një program të veçantë nga qeveria. Ky model ka të bëjë me infrastrukturën, diversifikimin e ekonomisë, zhvillimin e kapitalit social, ndërhyrjet në dobi të trashëgimisë kulturore”, tha Rama.

Miratohet ndërtimi i rrugëve Milot –Balldren dhe Shëngjin-Velipojë

Kryeministri gjithashtu theksoi se në mbledhjen e qeverisë janë vendosur bazat për një sërë projektesh që kanë të bëjnë me qarkun e Lezhës.

“Projekti kryesor që është pjesë e programit “1 miliardë për rindërtim” është ai i rrugës kombëtare Milot-Balldren me të gjithë veprat e artit dhe me tunelin që mundëson kalimin nga ai xhepi fallco tek shkëmbi ku gjithë fluksi i transportit kombëtar futet për të shkuar drejt Shkodrës në një epokë të re transporti të vendit tonë”, tha kryeministri.

Rama gjithashtu shtoi se është miratuar projekti për një rrugë të re që do të lidhë Shëngjinin me Velipojën, përmes një mundësie të re dhe shumë më të shpejtë transporti, duke zhvilluar turizmin”.

Kryeministri theksoi se janë miratuar një numër projektesh infrastrukturore për zonën e Shëngjin- Velipojës ku përfshihen një program i posaçëm investimesh të programit rural me përparësi turizmin dhe krijimi i një terminali pasagjerësh në portin e Shëngjinit.

Rama: Do të ndërtohet rruga e Torovicës

Kryeministri gjithashtu theksoi se është miratuar edhe ndërtimi i rrugës së Torovicës, për të cilën një grup banorësh protestuan përpara mbledhjes së qeverisë.

“Më vjen mirë që ata që e kishin marrë përsipër për ta ndërtuar këtë rrugë po interesohen duke stimuluar protesta dhe i përshëndes, sepse kjo do të thotë që pavarësisht që kur e kishin në dorë për ta bërë rrugën i bënë asaj atë që s’thuhet, duan që tani ta bëjnë atë përmes nesh. I përshëndes”, tha Rama.

I pyetur për ndërtimin e rrugës së Torovicës, Kryeministri Rama tha se, “kam bërë një takim me përfaqësues të komunitetit të Torovicës dhe ata mund të dëshmojnë se u kam thënë që nuk do ishte e lehtë. Mund t’u thonë që rruga do të bëhet nesër, por i kam thënë që brenda këtij mandati. Sigurisht për ju që kaloni çdo ditë aty është një torturë dhe 4 vjet mund t’ju duken si 44 vjet, por e vërteta është që mundësitë tona këto janë. Dhe rruga nacionale Milot-Balldren është shumë e rëndësishme. Po ashtu Shëngjin-Velipojë sepse janë akse që do të sjellin zhvillim tërësor dhe patjetër rruga e Torovicës është pjesë e planit, pasi është siç thoni ju, një rrugë Ferri”.

Subvencionim nga shteti të kontratave dhe vendosjen falas të matësve të ujit për të gjitha familjet në nevojë

Kryeministri u shpreh se në vendimet e qeverisë ka edhe disa projekte ujësjellësash.

Ai theksoi se përveç investimeve në infrastrukturën e ujësjellësave, kemi miratuar një vendim për subvencionimin nga shteti të kontratave dhe vendosjen falas të matësve të ujit për të gjitha familjet në nevojë.

“Është një masë brenda reformës. Pra shkojmë në të njëjtin drejtim që kemi shkuar dhe për reformën në energji. Ne financojmë çdo vit 16 milionë dollarë për të kompensuar atë pjesë të energjisë të familjeve në nevojë që u rrit nga heqja e fashës mbrojtëse 300 kwh. Asnjë familje në nevojë nuk ka rritje të çmimit të energjisë. Pjesën e rritjes e financon qeveria e Shqipërisë, buxheti i Shtetit. Të njëtën gjë do të bëjmë edhe për ujin. Familjet në nevojë do shpëtojnë nga barra e aforfeve nga tekat e faturistëve lokalë dhe njëkohësisht do të mund të shërbehen më mirë sesa deri sot”, tha Rama.

Bonus për mjekët që do të pranojnë të punojnë në spitalet rajonale

Kryeministri infromoi për një tjetër vendim që i vjen në ndihmë të gjitha komuniteteve jashtë kryeqytetit apo zonave të mëdha të banuara, ku është nevoja për mjekë specialistë në spitale rajonale apo bashkiakë. “Kemi miratuar bonusin për mjekët që do pranojnë të shkojnë të punojnë në spitalet rajonale dhe lokale deri në 2.5 milionë lekë të vjetra mbi rrogën”, tha ai.

Administrata ka nevojë për reformim dhe modernizim

I pyetur mbi reformën në administratë, Kryeministri Rama tha se “vendosmëria ime për t’i shkuar deri në fund procesit së çuarjes së tepsisë për skrap është më e madhe se kur u zotova, ama ky proces ka dy anë, reformimi dhe modernizimi i administratës. Kjo nuk është çështje hiq një drejtor dhe sill një tjetër. Me modernizim kuptoj disa gjëra që po ndodhin. Së pari uljen drastike të kohës dhe shpenzimeve të kohës së njerëzve që kanë nevojë që të marrin një shërbim në zyrë shteti. Kjo përmes kalimit të shërbimeve online, pa pasur nevojë të shkojë në një zyrë shteti. Gjë që ka ndodhur me certifikatat. Që sot secili mund t’i marrë nga kompjuteri i vetë.

Nga ana tjetër, theksoi Rama, “ulje drastike të dokumentave. Çdo ministri po heq dokumenta, kërkesa për autorizime, liçenca që do të thotë që po shkurtohet masa e kontakteve mes qytetarëve dhe administratës”.

“Së shpejti do të kemi një event publik për të gjitha këto masa që janë duke u marrë hap pas hapi dhe kjo do të ndjehet shumë shpejt”, theksoi kryeministri.

Pozicionet e drejtorëve kanë kushtin e provës

Kryeministri u shpreh se të gjithë drejtuesit e emëruar kanë kushtin e provës.

“Për ta prekur këtë progres do të duhet ende kohë. Ndërkohë që mos harroni që të gjitha pozicionet kanë kushtin e provës. Drejtorët e rinj në spitale janë 3 muaj në provë. Në burgje janë 3 muaj në provë. Në hipoteka janë 3 muaj në provë. Nuk është diçka që ndryshon përnjëherë dhe nuk është çështje partie. Sigurisht partitë kanë mëkatet e tyre në këtë aspekt. Nuk janë të gjithë njësoj ama këtu çështja është t’i gjejmë punës njeriun dhe jo njeriut punën. Jam besimplotë që në harkun e këtij mandati ndryshimi do të jetë i prekshëm”, tha Rama.

Rama: Projekt për portin e Shëngjinit

I pyetur për portin e Sëhngjinit, kryeministri u shpreh se, “sot është miratuar një projekt për portin. Por nuk është gjithçka. “Ajo që sot mund të themi me siguri është që kemi miratuar një projekt. Por në Portin e Shëngjinit duhet një reformë e thellë në administratë. Është një nga ato çuditë e mëdha që kemi trashëguar nga epoka e tepsisë. Nëse ka një proces të hapur apo një kallëzim penal për portin e Durrësit, ku është bërë një hata, ku shpresoj që Prokuroria të ndëshkojë përgjegjësit edhe këtu rruga e ndëshkimit duhet të jetë pjesë e procesit të reformimit”, shtoi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button