Bota

Irani reagon ashpër: Do të hakmerremi ndaj sanksioneve të SHBA-së

Irani reagoi ashpër ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’i vendosur sanksione kreut të tij të gjyqësorit, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shkelje të vijave të kuqe”.
Republika Islamike u zotua të hakmerret, pa sqaruar sidoqoftë se çfarë ka ndërmend të bëjë për ta vënë në jetë këtë paralajmërim. Ajatollahu Sadeq Amoli-Larijani ishte në mesin e 14 individëve dhe entiteteve të shënjestruara për abuzime të pretenduara me të drejtat e njeriut. Lëvizja pasoi deklaratën e Donald Trump se do ta shtynte për të fundit herë lehtësimin e sanksioneve të plota mbi Republikën Islamike.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se po i jepte Europës dhe Amerikës një “shans të fundit” për të ndrequr “të metat e tmerrshme” që ka, sipas tij, ujdia historike e nënshkruar në vitin 2015 mbi programin bërthamor iranian. Në të kundërt, Uashingtoni do të tërhiqet prej saj brenda disa muajsh. Shtëpia e Bardhë kërkon që firmëtarët e paktit të pranojnë kufizime të përhershme lidhur me pasurimin e uraniumit nga Irani. Sipas marrëveshjes aktuale, këto kufizime duhet të përfundojnë në vitin 2025.

Deklarata e Trumpit i vë para një trysnie të madhe Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, vendet evropiane nënshkruese të paktit nuklear. Teherani vetë e ka bërë të qartë se nuk është i interesuar për një rinegocim të marrëveshjes. Sanksionet që shtyu Presidenti Trump kanë të bëjnë me Bankën Qendrore të Iranit. Ato e shkëputnin regjimin e ajatollahëve nga sistemi financiar ndërkombëtar, deri kur u pezulluan nga ish-Presidenti Obama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button