Home / Arte / Më në fund u bë me dije, pse Borgesi nuk e fitoi kurrë Nobelin

Më në fund u bë me dije, pse Borgesi nuk e fitoi kurrë Nobelin

Më në fund u bë me dije. Një informacion i deklasifikuar, i vitit 1967 i Akademisë Suedeze të Shkencave zbuloi motivin, të paktën “formal”, se pse shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges nuk e fitoi kurrë çmimin Nobel në letërsi. Kandidati i përjetshëm i këtij çmimi në vitin 1967 ishte shumë afër marrjes së tij. Ishte një nga kandidatët seriozë bashkë me Graham Greene, por këtë çmim e mori guatemalasi Miguel Ángel Asturias. Çfarë ndodhi? Atë vit, kryetari i komitetit të çmimit të letërsisë, Anders Osterling e refuzoi autori e “El Aleph”  me një koment përfundimtar: “Është tepër unik ose artificial në artin e tij gjenial në miniaturë” – shkroi kryetari i jurisë, kjo sipas gazetës suedeze Svenska Dagbladet në bazë të dokumenteve të Akademisë. Me pak fjalë Borgesi u përjashtua për kultin. Edhe me Asturiasin pati dyshime edhe pse Akademia vendosi për të. Osterling e shihte si një defiçit që guatemalasi ishte i kufizuar në tematikën e revolucionit. Gjykimi i këtij specialisti ishte një kostante. Një vit më parë akademiku kishte refuzuar Samuel Beckett-in për prirjen e tij nihiliste dhe pesimiste pa bazë. Dy vite më vonë dramaturgut iu njohën vlerat.

Jorge Luis Borges gjithmonë ka qenë në listat e kandidatëve për letërsinë, por që kurrë nuk ia dhanë këtë nder. Dyshimet për këtë fakt binin më shumë tek arsyet politike sesa tek vetë arti i tij. Një nga këto arsye ngrihet në vitin 1976, kur në mes të një diktature të kilianit Augusto Pinochet-it, Borgesi u ftua nga regjimi totalitar. Ai madje arriti t’i drejtonte disa fjalë elozhesh diktatorit duke e cilësuar si person i shkëlqyer dhe i shquar për zemërgjerësinë dhe mirësinë. Thashethem tjetër që lidh këtë fakt të mosmarrjes së çmimit ishte edhe kritika që i bëri veprës së poetit suedez Artur Lundkvist, i cili më vonë ishte caktuar si sekretar i Akademisë. Vetë Lundkvist, specialist në letërsinë latinoamerikane dhe ishte ai që kishte futur letërsinë borgiane në Suedi, konfirmoi këtë version: “Shoqëria suedeze nuk mund të shpërblejë dikë me këtë sfond (për vizitën me Pinochet-in)”. María Kodama, e veja e shkrimtarit, deklaroi në vitin 2016 se e gjithë bota mendon se ishte një çështje politike. Në atë reportazh ajo saktësoi se ai nuk u ftua nga Pinocheti, por nga universiteti i Kilit, instuticion që i kishte dhënë një doktoraturë “honoris causa.” Si protokoll, diploma iu dorëzua nga diktatori. “Është një tradhti e vjetër skandinave: më kandidojnë për çmimin dhe ia japin një tjetri. E gjitha kjo është një lloj riti.” – u shpreh Jorge Luis Borges në një intervistë në vitin 1979. Sot u bë i njohur një nga argumentet e përdorur nga suedezët për ta lënë jashtë çmimit prestigjioz.

Leave a Reply

Your email address will not be published.