Home / Ekonomia / Ekonomia shqiptare mes dy ekstremeve në 2018-n

Ekonomia shqiptare mes dy ekstremeve në 2018-n

Ekonomia shqiptare pritet të rritet këtë vit me ritme të ngjashme me 2017-n, e nxitur nga vërshimi i kapitaleve të lira në ndërtimet private, vijimi i aktivitetit të TAP dhe sektorët e turizmit e shërbimeve. Në kahun tjetër, industria përpunuese pritet të vuajë pasojat e rritjes së kostove dhe hapjes së tregjeve rajonale.

Sfida e vërtetë pritet të fillojë në 2019-n, teksa projektet e mëdha do të kenë përfunduar dhe investimet e reja të brendshme po orientohen në ndërtim dhe nuk po shkojnë në rritjen e produktivitetit, që do të garantonte zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. Intensifikimi i procesit të shitjes së bizneseve në shumë sektorë është një paralajmërim se e ardhmja afatmesme nuk është kaq rozë…

Nga Ornela Liperi

Ekonomia shqiptare në vitin 2018 i ngjan një molle të kuqe, që nga jashtë duket e bukur, por nga brenda krimbat po e bëjnë punën e tyre. Themi e bukur nga jashtë, pasi ndërtimi, fillimi i projekteve kapitale“OneBillion” dhe shërbimet e nxitura nga turizmi, së bashku me punimet që do tëvijojnë për projektin e gazsjellësit TAP, pritet që tënxisin rritjen edhe këtë vit, ashtu siç ndodhi nëvitin 2017.Turizmi do të nxisë tregtinë dhe konsumin. Eksportet pritet që të vazhdojnë rritjen me të njëjtat ritme si në 2017-n, të udhëhequra sërish nga tekstilet dhe materialet e ndërtimit e metalet. Edhe lajmet nga fqinjët janë pozitive, të paktën në 2018-n, Greqia pritet të rritet me 2.3%, sipas OECD dhe Italia me 1.5%, për t’u ngadalësuar një vit më pas.

Themi e kalbur nga brenda, pasi orientimi i dukshëm i kapitaleve në ndërtim, ndërsa gjallëron punësimin dhe zinxhirin e bizneseve që e mbështesin në afatin e shkurtër, nuk sjell rritje produktiviteti dhe nuk ndihmon zhvillimin afatgjatë. Përkundrazi, rendja drejt kullave rrezikon të krijojë një flluskë të madhe. Edhe investimi në turizmin e luksit është një thikë me dy presa, pasi nuk i përgjigjet kërkesës reale. Industria përpunuese, nga ana tjetër,është në prag mbijetese dhe hapja e tregjeve me rajonin pritet t’i japë goditjen finale. Konsumi mbetet anemik dhe rritet me ritme më të ulëta se ekonomia. Biznese të mëdha po mbyllen, të tjera janë në shitje.

Projekti “One Billion” ka rrezik të kthehet në një kosto të madhe që do ta paguajmë të gjithë në vitet në vijim. Eksportet vijojnë të jenë të mbështetura te kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve natyrore.

Molla do të vijojë të shkëlqejë edhe këtë vit, por sfida e vërtetë fillon në 2019-n, kur projektet e TAP dhe Devollit të kenë përfunduar tërësisht dhe ndërtimi të ketë filluar shfryrjen. Jo më kot, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur së fundmi parashikimet për rritjen ekonomike në vitin 2018 (nga 4.1% në 3.7%) si dhe pritshmëritë për kërkesën e brendshme dhe investimet bruto, në një sinjal se në afatin e mesëm, vendi do të ketë të vështirë të gjenerojë burime të reja të rritjes, pas përfundimit të projekteve të mëdha.

FMN është e shqetësuar gjithashtu për një “shthurje” fiskale të qeverisë, pas planeve të saj të mëdha për projektet e Partneritetit Publik-Privat. “Rreziqet më të mëdha për ekonominë janë një devijim i politikave qeveritare nga rruga e tyre aktuale, veçanërisht nga trajektorja fiskale dhe premtimet kryesore të reformës”, ka pohuar për “Monitor” përfaqësuesi i Përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Shqipëri, JensReinke.

Matteo Colangeli, drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Shqipërinë ka paralajmëruar në një intervistë për “Monitor” se është e rëndësishme që për një stabilitet afatgjatë, rritja të balancohet midis sektorëve dhe likuiditeti të drejtohet në sektorët konkurrues të ekonomisë shqiptare, sesa në projekte teorike të pasurive të patundshme.
“Shqipëria duhet të diversifikojë burimet e rritjes”, rekomandon Maryam Salim, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri. “Dhe këtë mund ta bëjë duke ruajtur stabilitetin makroekonomik, duke përmirësuar klimën e investimeve (me një gjyqësor më efikas dhe program investimesh publike), duke reformuar sektorët e energjisë dhe të arsimit”.

Vetëm në kryeqytet, 300 milionë euro investime në ndërtime

Ka një orientim të dukshëm të kapitaleve të lira në sektorin e ndërtimit. Të dhënat e INSTAT treguan se për 9-mujorin 2017, lejet e ndërtimit në të gjithë vendin u dyfishuan dhe në Tiranë ishin pothuajse në trefishim.
Vetëm në kryeqytet pritet që investimet në ndërtim të arrijnë në rreth 300 milionë euro, sipas të dhënave indirekte të bazuara në pritshmëritë e Bashkisë së Tiranës për taksën e infrastrukturës (nga kjo taksë, qëështë 8% e vlerës së shitjes, pritet të arkëtohet një nivel rekord prej 24 milionë eurosh në 2018-n, sipas buxhetit zyrtar të kryeqytetit për vitin 2018, për të rënë më pas në vitet në vijim). Kjo shumë që pritet të fillojë të investohet këtë vit në kryeqytet është sa 2.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Krahas komplekseve rezidenciale, që shiten me çmime mesatare 800-1200 euro/m², për të cilat ka kërkesë, në Tiranë pritet të ndërtohen kulla shumëkatëshe, për të cilat të gjithë thonë se nuk ka treg, pasi po krijohet mbiofertë në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare. Apartamentet do të shiten me të paktën 2,000 euro për metër katror. Çdo vit, në Tiranë, shiten maksimumi 150 apartamente premium (të shtrenjta), ndërsa oferta pritet të rritet njëherësh me rreth 1000 të tilla. Pa folur pastaj për qendrat tregtare, të cilat edhe aktualisht janë në mbiofertë (kryeqyteti ka 235 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, duke ua kaluar edhe vendeve perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja). Ndërtuesit kanë paralajmëruar se mund të hapet një gropë që do t’i përpijë të gjithë dhe tregu mund të shkojë në kolaps.

Në janar, pritet të fillojë nga ndërtimi kullat Down Town Albania dhe Eyes of Tirana. Vetëm Down Town Albania është një investim prej 75 milionë eurosh.

Sokol Kika, nga Kika Construction, sjell në vëmendje dhe një dukuri tjetër në sektorin e ndërtimeve rezidenciale. Shtimi i lejeve të ndërtimit po rifut në treg kompani që kishin vite pa ndërtuar dhe nuk kanë likuiditet, duke rritur rrezikun e kleringut. Nga ana tjetër, po orientohen në ndërtim kompani që nuk kanë pasur përvojë më parë në këtë sektor, çka mund të çojë në investime të gabuara.

TAP, drejt fundit

Ulrike Andreas – Drejtoreshë për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, thotë se punimet për gazsjellësin TAP, projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë totale 1.5 miliardë euro, do të vijojnë edhe këtë vit me intensitetin e 2017-s. Në Shqipëri, deri në dhjetor të vitit 2017, më shumë se 77% e korridorit të kalimit, gjurmës së TAP, është pastruar dhe niveluar; 72% e tubave janë salduar dhe 62% e tubacionit është ulur poshtë në kanal.

Në vitin 2018 do të vijojnë punimet për instalimet mbi sipërfaqe (stacioni i kompresorëve, stacioni matës dhe stacionet e valvulave të bllokimit) dhe segmentin tokësor të tubacionit. Këtë vit, punimet për ndërtimin e gazsjellësit do të zhvendosen nga pika më e lartë në Skrapar, 1,800 metra mbi nivelin e detit, në thellësinë e detit Adriatik.
Në vitin 2019, kur punimet të kenë përfunduar, tubacioni do të provohet dhe testohet në mënyrë që në vitin 2020, gazi i parë nga Deti Kaspik (nga fusha gazmbajtëse e Shah Denizit) të transportohet drejt Europë.

Thika me dy presa e turizmit

Shqipëria u kthye në një destinacion të rëndësishëm turistik vitin e fundit, pasi kriza në Turqi solli një riorientim të kërkesës drejt shteteve të tjera, ku përfitoi edhe vendi ynë. Ky fluks amortizoi rënien e fortë të turistëve nga Kosova, hyrjet e të cilëve u reduktuan me 20%.
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, pohon se edhe për këtë vit, kërkesa është e lartë. Prenotimet janë rritur me 40%, ndërsa 90% e kapaciteteve hoteliere janë rezervuar tashmë nga agjencitë e Europës Qendrore e Lindore. Të paktën edhe në 2019-n, rezervimet janë të garantuara.

Më pas do të shihet se çfarë do të ndodhë. Nëse Shqipëria nuk do të arrijë t’i përgjigjet siç duhet këtij fluksi, duke rregulluar infrastrukturën dhe shërbimet mbështetëse, turistët do të zhgënjehen, duke prishur imazhin pozitivtë vendit. Sinjali i parë u dha nga shtetasit nga Kosova, që braktisën Shqipërinë pas dy dekadash. Sinjali i dytë erdhi nga turistët polakë, risia e 2017-n, që këtë vit nuk shquhen për rezervime të larta, por ua kanë lënë vendin ukrainasve.

Profili i turistit që po vjen në Shqipëri është kryesisht ai ekonomik, që kërkon oferta të leverdishme, të gjitha të përfshira, dhe hotelet ekzistuese, me gjithë vështirësitë, u përpoqën t’i përgjigjen, ndonëse deklaruan se shërbimi me të gjitha të përfshira ishte i paleverdishëm, për shkak të mungesës së zinxhirit mbështetës.
Në kahun tjetër kemi një ofertë turistike, që po shkon krejt në kah të kundërt me kërkesën. Të nxitur edhe nga lehtësitë fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje, shumë sipërmarrës kanë gati projektet për të ndërtuar resorte luksoze, duke rrezikuar të krijojnë mbiofertë, pikërisht aty ku kërkesa është e dobët.

Viti i madh i shitblerjeve

2018-a pritet të jetë një vit mjaft i zënë me shitblerjet e bizneseve, si një dëshmi që sipërmarrjet po kërkojnë të ripozicionojnë veten, teksa tregu po ndryshon dhe po bëhet gjithnjë e më i vogël, saqë nuk ka më vend për të gjithë. Sinjalet e para u dhanë që në 2017-n. Operatori i katërt celular, Plus Communication doli nga tregu në fund të vitit. Zinxhiri i hoteleve me 5 yje Sheraton la Shqipërinë, një largim që tingëlloi mjaft ironik, teksa ai po ndodh në një moment kur turizmi po shihet si sektor premtues dhe të gjithë janë turrur të ndërtojnë hotele me 5 yje, pas lehtësive në këtë sektor.

Spitali privat Hygeia është në negociata për t’u shitur me operatorët e tjerë vendas, pasi kompania ka rezultuar me humbje të mëdha dhe nuk pret të rikuperojë investimin e saj nga aktiviteti normal. Sipërmarrësit e industrisëa gropërpunuese janë të gjithë gati të shesin aktivitetet që po i menaxhojnë me mjaft vështirësi dhe të kthehen në tregtues, apo ndërtues.
Bankat do të vijojnë të jenë në shitje. NBG Bank është në negociatat e fundit për t’u shitur tek ABI Bank. Tirana Bank, një tjetër me kapital grek, do të jetë gjithashtu në shitje. Bankierët thonë që të gjitha bankat janë në shitje. Problemi i vetëm është që nuk ka blerës!
Dhe ky nuk është një problem vetëm për bankat, por për të gjithë ata që duan të dalin nga tregu…

Thirrja për ndihmë e industrisë përpunuese

Industria përpunuese po kalon një periudhë të vështirë. Prodhuesit e miellit janë të goditur nga hyrja e miellit serb, industria përpunuese e qumështit po kalon situatë tëvështirë, birra po konkurrohet nga importi. Rritja e vazhdueshme e kostove po i bën ata jo konkurrues në rajon, teksa Serbia dhe Maqedonia janë shumë agresive me subvencione për industritë e tyre, por edhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Teksa prodhuesit japin alarmin se hapja e tregjeve me rajonin do t’i fundosë ata dhe do t’i kthejë në importues, askush nuk duket se po i merr seriozisht.

Eksportet, sërish me rritje

Eksportet iu rikthyen rritjes dyshifrore në 2017-n, me rreth 13%, pas një viti të dobët në 2016-n. Të njëjtën tendencë parashikojnë eksportuesit edhe për këtë vit. Tekstilet dhe këpucët do të vijojnë të jenë zëri kryesor që shitet jashtë vendit. Shqipëria vijon të jetë tërheqëse për partnerët e huaj, kryesisht ata italianë, për shkak të kostos së ulët të fuqisë punëtore dhe afërsisë gjeografike. Por, kostot që po rriten vazhdimisht po e bëjnë sektorin gjithnjë e më pak konkurrues. Flamur Hoxha, sipërmarrës i Kler, prodhues dhe eksportues i këmishave, thotë se kërkesa e tregut dhe potenciali është shumëi lartë, por Shqipëria nuk arrin t’i përgjigjet pasi nuk ka arritur të jetë konkurruese në shumë avantazhe që i kanë vendet e rajonit.

Materialet e ndërtimit dhe metalet, grupi që lulëzoi në 2017-n pret që sërish ky vit të jetë pozitiv, i nxitur dhe nga ndërtimet vendase.
Eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë, që në 2017-n ishin modeste, pritet të kenë ecuri pozitive në drejtim të mineraleve, teksa Albchrome vijon aktivitetin me rritje dhe Beralb (në fushën e bakrit), pritet të rifillojë pjesërisht prodhimin. Ndërsa investimet e Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe nëEuropë, atë të Patos Marinzës, kanë qenë minimale që kur kompania u shit mëse një vit më parë te kinezët e GeoGade.
Grupet e tjera si ushqime e pije dhe makineri e pajisje zënë një peshë të vogël, më pak se 5% në totalin e eksporteve.

Bankat, kreditimi rritje modeste

2017-a ka shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale prej 1.25%, në një përpjekje për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet private. Me bazë vjetore (nëntor 2017/nëntor 2016), rritja e huasë për ekonominë është minimale vetëm 0.1%. Në 2015-n, kredia ra me 2.2% dhe në 2016-n u zgjerua me 0.75, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Bankierët presin këtë vit gjallërim të lehtë të kreditimit, të nxitur edhe nga projektet “OneBillon”, që do të realizohen me Partneritet Publik-Privat dhe një pjesë e financimit mund të vijë nga bankat, ndonëse këto të fundit nuk kanë shprehur ndonjë optimizëm të dukshëm në këtë drejtim.
Bankierët janë ankuar vazhdimisht që mungojnë projektet e mira nga bizneset dhe kjo ka ndikuar në lëvrimin e huasë së re.
Negativisht pritet të ndikojë vendimi i financave dhe Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave oficerët e kredisë do të duhet të bëhen edhe “policë tatimorë” dhe të mos kreditojmë më biznese me dy bilance nga 1 janari. Bankierët kanë pohuar se kjo prerje si me thikë, pritet të ketë ndikim të dukshëm në uljen e kreditimit.

Kostot e fshehura

Vitet e fundit, shtimi i vazhdueshëm i barrës fiskale (përmes taksave direkte e të fshehura, tarifave dhe shtrenjtimit të energjisë) ka rritur kostot te biznesi, sidomos industrinë përpunuese, duke i bërë ato më pak konkurruese, në pamundësi për ta transferuar atë te çmimet, sidomos eksportuesit.

Këtë vit, ndonëse nuk ka rritje direkte të taksave, shtimi i kostove do të vazhdojë. Pas rritjes së pagës minimale, bizneset këtë vit do të përballen me liberalizimin e tregut të energjisë, i cili do t’i detyrojë ata që gradualisht të fillojnë të blejnë energjinë në treg të lirë, duke i lënë ata të pambrojtur nga rritja e çmimeve. Nga 1 janari, 75 biznese që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt i energjisë duhet të dalin në tregun e parregulluar të energjisë. Nëse ata nuk arrijnë të gjejnë një furnizues, OSHEE do të aplikojë për të gjithë bizneset që nuk kanë siguruar furnizues të tyren, furnizimin me energji elektrike sipas çmimit mesatar të siguruar nga tenderi duke aplikuar mbi të edhe 10% më shumë, një praktikë kjo për të inkurajuar këto biznese drejt liberalizimit. Liberalizimi do të vijojë gradualisht dhe me bizneset e tjera.
Ulja e kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekëështë një tjetër masë që do të rrisë koston administrative të bizneseve të vogla, por do të ulë dhe fitimet e tyre, në rast se ata nuk do të arrijnë ta transferojnë në çmim pjesën e TVSH-së që do të duhet të paguajnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.