Home / Ekonomia / Rritje për eksportet, fasonët sërish “fronin”, kohë më të mira për metalet

Rritje për eksportet, fasonët sërish “fronin”, kohë më të mira për metalet

 Nga Nertila Maho

Eksportet kanë regjistruar një bilanc pozitiv gjatë vitit të kaluar, të paktën referuar shifrave zyrtare të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme që i takojnë nëntorit 2017. Kompanitë shqiptare shitën jashtë vendit 251 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (për 10-mujorin, rritja ka qenë 13.4%). Pa ndonjë surprizë, ashtu sikurse ndodh viteve të fundit, në krye të listës qëndrojnë tekstilet dhe këpucët. Ky grup, për 11-mujorin, eksportoi 108 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 9.9% në krahasim me 11-mujorin 2016. “Tekstilet dhe këpucët” zinin 43% të totalit për 11-mujorin.

Mbresëlënës për 11-mujorin 2017 ka qenë ritmi i rritjes së eksporteve për grupin e materialeve të ndërtimit dhe metaleve që, për 11-mujorin, ka shënuar në vlerë absolute 11.5 miliardë lekë (nga 29 miliardë lekë që ishte rritja në total e eksporteve), duke arritur në 40 miliardë lekë (+40.3%). Kurum, prodhuesi i çelikut, ndonëse në falimentim po vijon punën pas planit të riorganizimit, ndërsa ka një gjallërim të industrisë së çimentos dhe materialeve të ndërtimit. Vetëm nga Porti i Durrësit, në 11 muajt e 2017-s, janë eksportuar 300 mijë tonë çimento.
Rënie është regjistruar tek grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji” që ndikohet direkt nga situata e vështirë hidrike që kaloi vendi, ku për të paktën pesë muaj, varësia ishte maksimale tek importet e energjisë.

Fasonët: 2018? Copy-Paste i 2017-s, presim rritje të qëndrueshme por njëshifrore

Viti 2017 duket të jetë mbyllur pa ndonjë surprizë për sektorin e fasonëve. Rritja ka vijuar të mbetet e qëndrueshme nga viti në vit, partnerët tregtarë gjithashtu, por edhe problemet nuk kanë ndryshuar shumë, mbeten të njëjtat. “Nga pikëpamja ime, ecuria ka qenë e njëtrajtshme në gjithë vitet, me rritje graduale që zakonisht kanë variuar në 3, 5 apo 7%. Kërkesa e tregut është jashtëzakonisht e madhe, por mendoj se paaftësia jonë si sipërmarrës dhe si shtet, bën që të mos jemi të aftë të marrim investime apo punë që mundësojnë një rritje me dy shifra. Edhe ecuria për vitin 2018 mendoj se sërish do të varet nga biznesi. Nga përvoja që kam, mendoj që do jetë e njëtrajtshme, pra do të ketë rritje, por në të njëjtat nivele.

Mendoj që Shqipëria, për shumë e shumë arsye që kam qenë gjithmonë kritik, nuk ka arritur të jetë konkurruese në shumë avantazhe që i kanë vendet e rajonit. Ne kemi kërkuar para shumë vitesh një paketë masash lehtësuese, që të jetë e veçantë për fasonin, sepse mendoj se fasoni apo eksporti i produktit, nuk i prish konkurrencën tregut të brendshëm, por i bën konkurrencë vendeve fqinje. Si rezultat, nëse do të ishin marrë parasysh disa kërkesa që kemi bërë që në 2014, sot do të ishim më mirë”, – shprehet Flamur Hoxha, sipërmarrës në sektorin e fasonëve prej më shumë se dy dekadash, përmes kompanisë Kler (Effe).

Të njëjtën gjë konfirmon edhe Skënder Pashaj, nga FITAL, kompani prodhimi dhe eksporti këpucësh. Sipas tij, viti i kaluar ka qenë një vit i mirë për kompaninë, me një rritje të lehtë të kërkesës. Kurse lidhur me pritshmëritë e vitit aktual, Pashaj shprehet se ndoshta do të jetë i njëjtë me vitin e kaluar dhe, duke pasur parasysh surprizat e papritura që mund të marrë biznesi herë pas here nga tregjet, ajo që mbetet është shpresa se nuk do të ketë probleme.

Sektori fason, i cili edhe për hir të gjenerimit të lartë të punësimit është bërë shpesh pjesë e deklaratave politike, deri më sot nuk ka marrë një paketë të mirëfilltë mbështetëse nga qeveria. Kjo ndoshta do ta diferenconte atë për të investuar dhe për të zgjidhur njëherë e mirë edhe çështjen e mbylljes së ciklit. Premtime ka pasur shumë, por masa ende.

“Ne kemi propozuar disa herë masa që mund nxisnin më tej sektorin fason dhe të na bënin konkurrues. Për shembull, disa nga propozimet kanë qenë heqja e tatimfitimit 3-5 vite, lehtësimi i hapjes së vendeve të reja të punës me një subvencion direkt me 50% të atyre që shtohen si forcë e re. Nëse dikush ka 300 të punësuar dhe do të marrë edhe 200 të tjerë në mesataren për gjysmën e kësaj sasie punonjësish, të kishte ndihma me fonde punësim direkte dhe jo me programe që nuk kanë ndikuar.

Ka shumë zona në Shqipëri, të cilat nuk e kanë ndier fare punësimin social në këto dekada. Për këto rrethe, në Veri ose Juglindje mund të bëhej një paketë më e veçantë që ngjallte interesin e sipërmarrësit për të investuar atje”, – shprehet Hoxha.
Sipas sipërmarrësit tjetër, Skënder Pashaj, orientimi që duhet të ketë paketa lehtësuese është ajo e krijimit të kushteve për të shkuar drejt prodhimit të shitjes direkte. Kjo është sfida më e madhe që ka sot ky sektor, e cila duhet të merret seriozisht edhe nga qeveria, çka do të sillte një vlerë të shtuar në ekonomi.

Efekti i rritjes së pagës minimale

Sektori fason nuk e vlerëson negative rritjen e pagës minimale që shkoi gjatë 2017-s nga 22 mijë lekë në 24 mijë lekë. Edhe pse një nismë e tillë mund t’i bëjë më pak konkurrues, sepse rezulton automatikisht në rritje kostosh, fokusi duhet të jetë sërish tek cilësia. “Rritja e pagës minimale ka bërë të jemi më pak konkurrues në rajon. Kjo ndodh sepse, në mënyrë progresive janë rritur të gjitha rrogat”, shprehet administratori i FITAL.
Nga ana tjetër, problemet duket se janë më të thella sesa një rritje e pagës minimale.

“Mendoj që ky sektor rritet kur rritet paga minimale, pavarësisht se është marrëdhënie e lirë ajo që çdo punëdhënës ka me punëmarrësin. Nëse do të ishin marrë parasysh propozimet për uljen e barrës fiskale, do të kishte rritje të pagës. Në shumë qytete s’ka punë, sepse pagat janë të ulëta. Shumë ndërmarrje në Durrës, Tiranë janë në krizë, ku ose do të punësosh dhe do të kesh një cilësi jo të lartë sepse pagat janë të ulëta, ose nuk do të kesh fuqi punëtore, pasi preferojnë të punojnë në punë që janë më të mirëpaguara.

Në konkluzion është që sa më pak barrë për këtë biznes, aq më shumë mundësi ka biznesi që të rrisë pagat te fuqia punëtore. Nuk ka asnjë lloj mbështetje me grante dhe me kredi sot për sot”, – shprehet Hoxha. Sipas tij, sot ngërçi që po has sektori në disa zona është mungesa e fuqisë punëtore që e kanë dekurajuar drejt këtij sektori që ka vuajtur nga kushtet apo mungesa e pagesave për punën jashtë orarit. Nëse do të kishim një trajtim më të mirë, do të kishim edhe një punonjës më cilësor, edhe punë shumë më të mira dhe që paguhen me marzhe më të larta, aq më tepër kur sot, partneri kryesor është Italia dhe mundësitë janë të mëdha.

“Shqipëria vetë nuk është se ka barriera, por janë të tjera aspekte që ndikojnë qoftë nga formimi profesional apo teknologjia dhe paaftësia për të mbyllur ciklin, të cilat nuk mundësojnë tërheqjen e firmave të mëdha ‘brand’. Madje, sot lufta për mbijetesë po e dëmton pikërisht investitorin shqiptar, i cili thyhet gjithmonë e më shumë përballë të huajve, duke ofruar çmime sa më të ulëta.

“Është për t’u habitur që kompanitë në industrinë e veshjes ende sot nuk janë të organizuara për të lobuar dhe të jenë të bashkuara për vendosjen e një standardi cilësie çmimi, të paktën të krahasuar me rajonin. Dhe shpeshherë, secili prej tyre bie viktimë e presionit të partnerëve për çmime të ulëta. Nuk kanë arritur të certifikojnë çmimet për njësi, të cilat mund të ishin vërtet dinjitoze për një analizë kostoje në ndërmarrje. Dua të theksoj që marzhi i fitimit është shumë i ulët dhe shumë ndërmarrje, nga dëshira për të mbajtur në ritmin normal fuqinë punëtore, pranojnë edhe çmime jo të drejta për një produkt. Nëse do të kishte bashkim, atëherë, minimumi do të ndienim rritjen me 14-20% vlerë të shtuar për produkt. Është problem i madh sot mbyllja e ciklit dhe shumë pak e përfundojnë”, – shprehet administratori i KLER.

Ndërtimi “në lulëzim”, nxit industrinë e çimentos. 2018-a me sytë nga qeveria për projektet

Lulëzimi i sektorit të ndërtimit, që shfaqet zyrtarisht në morinë e lejeve të dhëna, por konkretisht në kantieret e panumërt hapur kudo në vend, nuk kishte si të mos jepte efektet e tij edhe tek industria e çimentos. Sipas drejtuesve të ANTEA Cement, një prej prodhuesve të rëndësishëm të industrisë së çimentos në Shqipëri, gjatë vitit 2017, konsumi i çimentos në tregun vendas ka njohur një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës. “Kjo rritje ka ardhur si pasojë e zgjerimit të aktivitetit ndërtues, si në vepra publike, ashtu dhe në vepra private. ANTEA Cement është munduar që të mbajë në një nivel të konsiderueshëm edhe eksportet, kryesisht drejt Italisë, Malit të Zi dhe Maltës.

Pavarësisht sa më lart dhe përpos ndërgjegjësimit në dukje nga ana e administratës në vend, lidhur me faktin se eksportet janë dhe do të jenë gjithmonë një pjesë vitale e ekonomisë shqiptare në tërësi, si dhe faktit se industria e çimentos është nga eksportuesit kryesorë në vend, vlen për t’u theksuar se mungesa e infrastrukturës së nevojshme si rrugore dhe asaj portale, por edhe efekti rëndues i taksave indirekte mbi lëndët djegëse të ngurta të përdorura në këtë industri, jo vetëm që nuk ka krijuar kushtet e përshtatshme por, nga ana tjetër, ka penguar këtë industri dhe produktet vendase të saj të zhvillohen si produkte konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Kjo lidhet me taksat indirekte të vendosura mbi lëndët djegëse të përdorura në industri, që krijojnë dizavantazh të madh midis prodhuesve vendas dhe atyre të huaj, të cilët nuk rëndohen me taksa të tilla në vendet e tyre. Ky dizavantazh ndihet konsiderueshëm si në eksport, ashtu dhe brenda vendit në raport me mallrat e importit”, – thekson Drejtori i Shitjeve dhe Rrjetit të Furnizimit të shoqërisë.

Nga ana tjetër, ai nënvizon se Shqipëria, duke pasur akses të lirë në eksportet detare, ka avantazh të madh krahasuar me vende të rajonit, i cili nuk arrin të shfrytëzohet plotësisht pasi Porti kryesor në vend (Porti i Durrësit) sot mund të përpunojë vetëm anije të tonazhit të ulët, si pasojë e cektësisë së tij. Ky faktor eliminon mundësinë për të depërtuar në tregje fitimprurëse si: Afrika Perëndimore dhe/ose ShBA. Në të njëjtën kohë, edhe kostot operacionale të portit janë shumë të larta, çka e vështirëson më tej situatën e krijuar.

“Edhe pse në raste të ndryshme është premtuar që porti do të thellohet për të mundësuar përpunimin e anijeve të tonazhit të lartë, sikurse dhe kostot operacionale do të rishikohen, asgjë nuk ka ndodhur ende. Perspektiva për vitin 2018 duket të jetë ngushtësisht e lidhur me ritmet që do të shfaqë ekonomia vendase, si dhe ecurinë e projekteve publike të prezantuara deri tani nga autoritetet shtetërore, sikurse dhe nga vullneti i Qeverisë për të zbatuar reforma, të cilat do të mund të shërbenin si incentiva apo mjete lehtësuese, një përballje e suksesshme me sfidat dhe problematikën e hasur nga komuniteti i biznesit sikurse dhe me zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie”, – shprehet ai.

Metalet, çmimet dhe kërkesa vënë në lëvizje industrinë, BERALB i rikthehet aktivitetit

Industria minerare në vend duket se në vitin 2018 do të rindezë motorët. Pas një periudhe të gjatë me lëvizje të lehta, në kahun rritës të çmimeve, më në fund kërkesa po jep efektet e saj, duke dhënë nivele më të mira. Sokol Mati, njohës i mirë i sektorit, njëkohësisht konsulent pranë koncesionarit BERALB, bëri të ditur se viti aktual do të shënojë disi një pikë kthese në tërësi, e ndikuar nga zhvillimet globale.

“Kromi duhet të ketë lëvizje dhe ka qenë në nivele të mira. Pjesa e nikelit do të ketë një rritje çmimi, për shkak të disa zhvillimeve. Për Shqipërinë ka problem sepse Kavadarci, në Maqedoni, ka pasur probleme dhe aty e shet këtë mineral Jugu ynë. Shpresojmë që situata të përmirësohet, sepse tendenca drejt makinave elektrike në Europë apo dhe më gjerë do të reflektojnë ndoshta një rritje të kërkesës dhe normalisht, kjo shtyn edhe çmimet dhe investimet. Në vendin tonë do të ketë zhvillime me aktorë të rinj në treg. Në dijeninë time, është një projekt që ka rreth dy vite dhe që do fillojë në Bitinckë (Devoll).

Për bakrin janë rritur çmimet, çka e bën efektiv prodhimin, edhe si koncentrat. Këtë të fundit e tregon fakti që vetë BERALB, ka vendosur të nisë punën. Po kështu ka një investim që po bën kompania turke në Spaç dhe me aq sa kam informacion, është në përfundim fabrika dhe shpresojmë të nisë punën shumë shpejt. Mineralet e tjerë janë si zakonisht, nuk do kenë ndonjë lëvizje tjetër. Lidhur me ferrokromin janë investimet e rëndësishme në Elbasan të Albchrome, por edhe një tjetër fabrikë e re që po zhvillohet nga GSA”, – shprehet Mati.

Sipas tij, viti i kaluar mund të konsiderohet në linja të përgjithshme si një vit disi i mirë, por jo për të gjithë sektorin, ndërkohë që 2018-a pritet që të jetë më mirë, por kjo sërish mbetet për t’u parë. Beralb, e cila e ndërpreu aktivitetin në shtator të vitit 2015, për shkak të koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare, pritet të nisë punë këtë vit me kapacitet të reduktuar 30-50%, duke vijuar më pas sipas situatës.

Tullat, “kërcejnë” me rritje dyshifrore, në 2017 plus 20%

Fabrikat e prodhimit të tullave përjetuan kohët e tyre më të vështira gjatë periudhës kur lejet e ndërtimit u ndaluan në vitin 2015 dhe 2016. Por viti i kaluar ka rezultuar krejt ndryshe për këto fabrika të cilat, falë rigjallërimit të aktivitetit ndërtues në vend, kanë parë sërish një rritje që nuk është dhe aq modeste. Asllan Baraj, administrator i KidAlb, fabrikë e prodhimit të tullave në zonën e Durrësit, tha për “Monitor” se viti 2017 pati një rritje mbi 20% në raport me vitin paraardhës.

Por pavarësisht kësaj rritje, ai duket se nuk është optimist për të kapur një nivel të ri rritje në vitin aktual. “Mendojmë që 2018 do të jetë në nivelet e vitit 2017. Nuk mendoj që industria e tullave do të rritet më tej”, – nënvizon Baraj. Lidhur me problematikat e sektorit, ai nënvizon se janë të shumta dhe një pjesë e tyre janë trajtuar me Shoqatën e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ndërkohë që do të duhet që më pas zëri i tyre të transmetohet pranë instancave përkatëse në qeveri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: