Home / Ekonomia / Iniciativa ‘Berlin plus’, Malaj: Vendet zhvillohen duke konkurruar

Iniciativa ‘Berlin plus’, Malaj: Vendet zhvillohen duke konkurruar

Për krijimin e një tregu rajonal të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, detyra e parë që del para qeverive apo investitorëve është të bien dakord se vendet mund të zhvillohen duke konkurruar, jo duke u mbrojtur.

Arben Malaj, studiues i Ekonomisë, në një prononcim për ATSH-në, shprehet se iniciativa ‘Berlin Plus’, sipas së cilës parashikohet krijimi i një tregu të përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa tarifa e barriera, është një lajm i mirë, pasi do të thotë se Bashkimi Evropian, jo vetëm e rithekson të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por është duke u angazhuar edhe me hapa konkrete, që janë çelja e negociatave me disa vende të Ballkanit Perëndimor, njëkohësisht edhe iniciativa të tjera të reja si kjo ‘Berlin plus’.

“Iniciativa e Berlinit dhe iniciativa ‘Berlin plus’ është një nga angazhimet konkrete të BE-së për të lehtësuar krijimin e një tregu të përbashkët të 6 vendeve të Ballkanit”, thotë ai.

Tregu i Ballkanit, sipas tij, është relativisht i vogël, pasi popullsia e 6 vendeve pjesë të tij, është e vogël, krahasuar me popullsinë e qoftë një shteti anëtar të BE-së.

Por, thekson ai, ajo që do të jetë impakti kryesor është testimi i ekonomive tona, se sa ato do të jenë të afta të konkurrojnë në tregje evropiane, që janë tregje shumë më të mëdha, për të cilin ka edhe interes konkret, por që janë edhe shumë më shumë konkurrues.

Në këtë aspekt, Malaj vlerëson se krijimi i një tregu të përbashkët brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor është investim pozitiv, pasi në këtë lloj diversifikimi të produkteve, vendeve u krijohen avantazhe të ndryshme për prodhimet e tyre.

“Ne së marrim Serbinë, e cila ka avantazh në prodhimin bujqësore, vendet tona kanë avantazh eksporte specifike të cilat shkojnë drejt tregjeve evropiane”, shprehet ai.

Ne, thotë Malaj, kemi parë luftërat tregtare që janë zhvilluar 2-3 vite më parë në rajonin tonë kryesisht midis Shqipërisë e Malit të Zi, apo me Kosovën e Maqedoninë e në disa raste edhe Serbinë.
Ndaj, ai u drejton një apel qoftë qeverive edhe prodhuesve të shohin avantazhet.

“Si studiues i ekonomisë mendoj se duhet të përqendrohemi më tepër tek avantazhet”, deklaron Malaj.

Malaj tërheq vëmendjen se pavarësisht detyrës për të mbështetur iniciativën e hapjes së tregjeve, duhet të mos harrojmë detyrimin ndaj prodhuesve dhe konsumatorëve vendas, kur vende të ndryshme të rajonit tentojnë me subvencione direkte ose indirekte të zgjerojnë praninë e tyre në tregjet tona duke dëmtuar prodhuesit vendas.

“Ne na duhet që jo vetëm t’i hapim tregjet, por edhe t’i konkurrojmë ato dhe hapi i parë është t’i mbrojmë nga politikat jo të ndershme të vendeve të tjera, nga subvencionet direkte apo indirekte por edhe t’i mbështesim me linjë kredie, grande apo kredi të butë, në mënyrë që ato të bëjnë investimet e nevojshme në teknologji që të jenë më të afta për të konkurruar dhe të realizojnë qëllimin final, që është të përmirësojnë jetën e përditshme të çdo shqiptari, e cila vjen nga rritja e biznesit vendas dhe të huaj në ekonominë shqiptare”, deklaron Malaj.

Në këtë aspekt, Malaj sugjeron se duhet rritur performanca e institucioneve tona në fushën e analizave të tregtisë së ndershme dhe të lirë.

Po ashtu, e nevojshme del, sipas tij, edhe prezantimi i mënyrës së përfitimit nga politikat e mbështetjes së Bashkimit Europian që e ndihmojnë këtë fazë të ndërmjetme të fermerëve apo prodhuesve në përgatitjen e tyre për të qenë më konkurrues.

“Po të marrim rastin e bujqësisë, natyrisht buxheti i BE në pjesën më të madhe shkon për politikat e përbashkëta bujqësore, shkon për politikat e kohezionit social që ndihmon rajonet më të varfra edhe të vendeve më të pasura të vet BE-së. Ne nuk kemi akses në këtë, sepse ende nuk jemi vend i BE-së. Ndaj duke qenë se importuesit kryesorë tanë janë vende anëtare të BE-së që kanë akses në këto lloj politikash dhe që kanë shtet të fortë pas që i mbështet edhe me politika kombëtare, përveç se atyre ndërkombëtare me të drejtë investitorët në ekonominë shqiptare, fermerët pse jo edhe biznesi i vogël e i mesëm ndjejnë vështirësi në këtë konkurrencë”, shpjegon ai.

Të dhënat e bilancit tregtar tregojnë se ka një përmirësim të shkallës së mbulimit të importeve nga eksportet, e cila ka qene pak vite më parë 25% dhe tani luhatet në rreth 50%.
Por, shprehet Malaj ne na duhet gjithnjë e më tepër ta përmirësojmë këtë bilanc tregtar në mënyrë që të mos kemi kriza të valutave.

Leave a Reply

%d bloggers like this: