Home / Politika / Platforma “Shqipëriaqëduam.al” ka zgjidhur rreth 1 400 shqetësime

Platforma “Shqipëriaqëduam.al” ka zgjidhur rreth 1 400 shqetësime

Platforma “Shqipëriaqëduam.al” ka zgjidhur rreth 1400 shqetësime të qytetarëve, ndërkohë që në këtë platformë janë regjistruar 1640 ankesa.

Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me qytetarët  e Rrëshenit, ku u shpreh se të gjithë qytetarët duhet të kenë të qartë se kjo platformë të zgjidh hallet dhe jo vetëm kaq, por largon nga detyra dhe nëpunësin që nuk i ka dhënë zgjidhje këtij problemi që ka pasur qytetari.

“Nuk duhen qytetarët të gjejnë mikun, të gjejnë paratë, por mjafton të aplikojnë tek platforma dhe përmes kësaj platforme nuk fiton vetëm dokumentin, por dhe heq nga puna atë punonjësin që nuk përgjigjet pa mik. Të gjithë duhet ta dinë se, nga puna nuk të heq vetëm ministri, drejtori…etj, por të heq qytetari”, theksoi Rama.

“Platforma është një mundësi reale për të diskutuar me qeverinë drejtpërsëdrejti hallet dhe problemet që qytetarët hasin gjatë përballjes së tyre në të përditshme me administratën apo zyrat e shtetit në tërësi. Po ashtu, është një instrument ku qytetarët mund të japin një kontribut të vyer për të vjelë ide të rëndësishme”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, “edhe kjo platformë pati një nënqeshje në fillim nga shumë nga ata që na lanë vite pas dhe më pas pati dhe kritika nga mosbesues, por ata që panë zgjidhjet e kuptuan se kjo funksionon. Faktet janë ato që tregojnë se tek platforma janë regjistruar rreth 1640 shqetësime të ngritur nga njerëz në të gjithë territorin e Shqipërisë, 1400 janë probleme të zgjidhura”.

“Në ankesa kemi pasur njerëz që zvarriten në hipoteka apo zyra të tjera dhe me mosbesim të plotë kanë aplikuar dhe në fund, kur i janë zgjidhur hallet janë habitur dhe na kanë falënderuar. Ajo që ndodh zakonisht është që kur një qytetar i drejtohet ministres së Drejtësisë për një problem me hipotekën dhe pas një verifikimi që bëhet brenda 10-ditëve dhe kur rezulton se qytetari ka të drejtë, jo vetëm që merr dokumentin për të cilën ka pritur me vite, por personat përgjegjës largohen nga administrata e hipotekës”, tha Rama.

Hipoteka duhet dixhitalizuar e gjitha, për këtë nevojitet dhe kontributi i qytetarëve 

Kryeministri Edi Rama gjatë bisedës me qytetarët e Rrëshenit u shpreh se një nga projektet e qeverisë është dhe dixhitalizimi i hipotekës, për këtë duhet dhe një angazhim i qytetarëve. “Për këtë duhet heqja e një zullumi të madh të ngarkuar mbi hipoteka ndër vite. Duhen zgjidhur një sërë çështjesh në gjykata dhe duhet një punë e mirëfilltë profesionale, duke nisur nga hartat, arkivat…etj dhe që hipoteka të arrijë të ketë të dixhitalizuar të gjithë procesin e punës, që jo vetëm certifikatën ta nis në mënyrë elektronike, por të gjithë dokumentacionin.

Edhe në këtë pikë duhet ndihma e qytetarëve, të cilët duhet ta zgjidhin hallin përmes kësaj platforme, pasi kështu hiqet zullumi. Jo përmes mikut, nuk funksionon më kështu. Nuk duhen qytetarët të gjejnë mikun, të gjejnë paratë, por mjafton të aplikojë tek platforma dhe përmes kësaj platforme nuk fiton vetëm dokumentin qytetari, por dhe heq nga puna atë punonjësin që nuk përgjigjet pa mik dhe pa lek nën dorë. Dhe nëpunësit, administrata, duhet ta ketë të qartë, që nga puna s’të heq vetëm ministri, drejtori…etj, por të heq qytetari”, tha Rama.

Spiropali: Së bashku mund të zgjidhim pa humbur kohë halle dhe problem të krijuara nga burokracia dhe “tepsixhinjtë”

Elisa Spiropali, deputete e Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe përgjegjëse për platformën www. Shqipëriaqëduam.al, u shpreh se të gjithë shqiptarët duhet të jenë pjesë e kësaj platforme, pasi është një mundësi e mirë që zëri i gjithësecilit të dëgjohet. “Së bashku mund të zgjidhim pa humbur kohë halle dhe probleme të krijuara nga burokracia dhe të pastrojmë nga zyrat e shtetit parazitët apo grabitqarët, tepsixhinjtë, që i marrin frymën njerëzve të zakonshëm”, u shpreh Spiropali.

Nikolla: platformë është një instrument monitorues i punës së qeverisë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla tha se kjo platformë është një instrument monitorues i punës së qeverisë. “Pak ditë më parë organizova një punë të mirëfilltë me skuadrën e ministrisë së Arsimit që të marrin një nisëm që buron nga kjo platformë, pikërisht “arsimi 3 lëndë në ditë”, tha Nikolla.

“Rrësheni dhe Mirdita në tërësi ka pasur një histori të suksesshme në Volejboll dhe për këtë dua t’i garantojë për ta bërë pjesë të buxhetit të vitit 2018 edhe investimin në palestrën e sportit në Mirditë”, tha Nikolla.

Leave a Reply

Your email address will not be published.