Politika

Rama: Ne do t’i hapim negociatat me BE-në

“T’i dalësh sot përballë si barrikadë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, këtij stacioni historik të gjithë shqiptarëve, me pretendimin se po bën luftë opozitare nuk do të thotë të jesh antishqiptar, por do të thotë të jesh qorr, shurdh dhe krejtësisht i panevojshëm për interesat e shqiptarëve”, deklaroi të dielën, Kryeministri Edi Rama.

Në 26-vjetorin e krijimit të FRESH, kryeministri Rama u ndal te rëndësia historike e procesit të çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian.

“Hapja e negociatave për Shqipërinë nuk është vetëm fillimi i fundit për realizimin e një ëndrre shekullore dhe të një ëndrre të gjithë shqiptarëve, që sot jetojnë dhe që jetuan ndryshimin e sistemit. Hapja e e negociatave me BE-në është edhe fundi i të gjitha iluzioneve të kujtdo tjetër, të çdo influence tjetër, se Shqipëria mund të shkoj në një drejtim tjetër, përveçse në drejtimin që dielli lind aty ku perëndon, siç thoshin rilindasit tanë”, u shpreh Rama, para të rinjve socialistë.

Sepse sipas Kryeministrit, përpara shqetësimit se kush do të shkoj përpara drejtësisë nga ata që sot janë në skenën politike, kush do të shkoj përpara drejtësisë nga ata që sot udhëheqin opozitën, shqiptarët kanë shqetësimin se kur më në fund Shqipëria do të jetë pjesë e Evropës së bashkuar dhe nuk do të ketë më damkën e të qenit jashtë Evropës, kur lëvizim në Evropë.

“Kush e votoi PS-në dhe kush do të mbështesë përpjekjet dhe kush do të jetë pjesë e saj do të jetë krenar për gjithë jetën, sepse në këto katër vite ne do bëjmë histori për Shqipërinë që duam. “Me çizme pa çizme, me taka pa taka, me këpucë pa këpucë, ka vetëm një gjë që mund të na bëjnë, jo ne por Shqipërisë, duke e dëmtuar, duke e cënuar në këto 6 muaj historik. Sa për ne, ne e bëmë kandidate në BE, ne do ti hapim negociatat ne do ta bëjmë anëtare të BE–së”, tha Rama.

‘Sipas tij, “shqiptarët votuan Partinë Socialiste duke i dhenë besim në rrugën e zhvillimit të Shqipërisë, pasi PS është e ndarë nga partitë e kazanit dhe tepsisë”. “Këtë vit ne, falë edhe kontributit tuaj kemi marrë timonin për të drejtuar të vetëm dhe të ndarë nga partitë e tjera të kazanit dhe tepsisë Shqipërinë, së bashku me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Dhe kjo ka ndodhur sepse shqiptarët në shumicë e kanë ndjerë dhe e kanë kuptuar se ishte tamam koha për t’ia besuar të gjithë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, të vetmes fuqi të përgjegjshme që ka ky vend, që është PS”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, “kjo është një sfidë, nuk është një dhuratë dhe aq më pak është një trofe. “Është një sfidë në radhë të parë me vetveten, një sfidë përballë të gjitha atyre influencave të së keqes në politikë që ne i shohim dhe i ndeshim edhe brenda nesh në të gjitha nivelet e organizimit tonë. Është një sfidë përgjegjësie për t’i dhënë vendit jo vetëm drejtimin e duhur, por përmes tij mundësinë historike për t’u ulur në tryezën e negociatave me BE-në dhe më në fund arritjen historike që të bëhet anëtar i familjes së bashkuar evropiane”, shtoi Rama.

Duke iu referuar protestës së opozitës, kryeministri theksoi se, “kemi një betejë për të fituar përballë gjithë pjesës tjetër të politikës, përballë atyre që janë bashkuar për të penguar drejtësinë për të bërë drejtësi“.

Platforma e bashkëqeverisjes, mbështetje në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve

Referuar platformës së bashkëqeverisjes, Kryeministri Rama deklaroi se bashkëqeverisja me qytetarët po jep rezultate.

“Nuk mjafton t’u plotësojmë njerëzve nevojën, që e kërkojnë përmes platformës online. Ne kemi bërë koalicion me qytetarët dhe jo me partitë, që i ngulin thikën pas shpine qytetarëve sa fiken kamerat”, tha Rama.

“Kemi larguar nga puna dhe çuar para drejtësisë 35 punonjës hipotekash. Mund t’ia dalim vetëm duke dëgjuar qytetarët”, u shpreh kryeministri.

Bashkëqeverisja, u shpreh ai, është edhe nisma për projekte dhe investime që i shërbejnë zhvillimit të vendit. Ndaj kryeministri i bëri apel të rinjve dhe të rejave të bëhen pjesë e kësaj platforme për zhvillimin e vendit.

Brenda 10 ditëve rifillon shpërndarja e medikamentit për të sëmurët me kancer 

Kryeministri Edi Rama tha se brenda 10 ditëve do të rifillojë shpërndarja e flakonit të domosdoshëm për të gjithë të sëmurët me kancer në Spitalin Onkologjik.

Gjatë fjalës së tij në 26-vjetorin e krijimit të FRESH-it, Rama iu përgjigj mësueses nga Rrësheni, e cila i deklaroi publikisht një ditë më parë se vuante nga kanceri dhe se ilaçi i saj tejet i domosdoshëm i ishte ndërprerë për shkak se mungonte tek Onkologjiku.

“Dje në Mirditë u ngrit një mësuese në takimin tonë për bashkëqeverisjen dhe rrëfeu situatën e saj dramatike me shëndetin, është identifikuar me kancer dhe pasi tregoi për përkushtimin dhe kujdesin e skuadrës së mjekëve dhe infermierëve të Onkologjikut tha se prej disa muajsh i është ndërprerë kura për shkak të mungesës së një ilaçi që kushton shumë e pa të cilin nuk bën dot… Pas mbledhjes së djeshme ne vazhduam dhe do të çojmë deri në fund detyrimin tonë që brenda 10 ditëve të ardhshme t’i garantojmë jo vetëm asaj, por gjithë të sëmurëve atë ilaç”, tha Rama.

Qeverisja e kaluar tha ai arriti të sigurojë vetëm 800 flakonë të ilaçit që i mungon mësueses së Rrëshenit dhe gjithë të sëmurëve, ndërsa sot sigurohen 4000 të tilla, në një kohë që ka nevojë për 5000. Por, siç tha Rama, situata do të zgjidhet brenda 10 ditësh dhe do të sigurohen edhe 1000 flakonët që mungojnë.

“Ne jemi këtu për të vazhduar betejën bashkë me atë mësuese që ta ketë atë kurë, por për këtë kurë, qeveria dhe shteti garantonin 800 flakonë dikur, ne sot garantojnë 4000. Duhen 5 mijë, por janë pikërisht ato 1 mijë flakonë që na ndajnë nga politika duke iu kthyer opozitës që blinte vetëm 800 flakonë. Ne duhet të zgjidhim problemin për të mbyllur përfundimisht ciklin e kësaj përpjekje që vazhdon prej 24 vitesh, ku shqiptarët e sëmurë nuk marrin dot kujdesin deri në fund”, sqaroi Rama.

Rritëm cilësinë në arsim

Kryeministri tha se, pesha e madhe në shkollë është gjithçka që fëmijët mbajnë mend. “6 orë, 6 lëndë, një çante e mbingarkuar. U desh vetëm kurajoja për të besuar e një grupi nënash, prindërish, mësues, që t’i drejtoheshin kësaj platforme. Platforma jonë për të nxitur prodhimin dhe për të hapur një epokë të re në fshat, është një platformë që është e hapur për të gjithë”, vijoi ai.

“Nuk na duhet sa më shumë punë në shtet, por një shtet në punë”, tha Rama.

“Me kurajo dhe besim, ju dhe të gjithë të rejat dhe të rinjtë, duhet të shikoni rrugën e krijimit të punës në rast se kanë ambicie për të marrë një rrogë në privat. Kjo parti, le të thonë të tjerët ca të duan, nuk e ka tradhtuar dhe cënuar interesin kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo parti nuk ka lëvizur nga boshti i interesit kombëtar”, deklaroi Kryeministri.

Related Articles

Nje koment

  1. Vazhdo zoti Rama, te besh ralitet endren e shqiptareve E duam SHqiperin si gjith Evropa; E duam SHqiperin
    ne Evrop;
    Cadra dhe cizmet, lete vazhdojn me mashtrime, e genjeshtra, Ata po ulurin si ujqer vetem e etem te vin ne pushtet, qe te bllokojn rrformen, nepermjet destabilizimit te vendit, anarshis, me qellim te mos hetohen per pasurit e vena. ju kini me vehte shumicen e shqiptareve brenda e jasht Atdheut, kini mbeshtetjen nderkombetare te SHBA, BE, si per rreformen ne drejtesi, Vettingun dhe hetimine peshqeve te medhenj, qe sic deklaron portali Pamflet, ne krye jan Berisha dhe familjaret e tij, presidenti Meta, bashkeshortja e tij Monika, Basha dhe disa ministra te djatht e te majt.
    I faleminderit dhe mirnjohje pa kufi per memen Amerik, Brukselin qe po bejn cmos per ta ber vendin ton shtet ligjor, me demokraci funlsjonale dhe begati ekonomike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button