Kosova

Ish-kryeministri Mustafa sot udhëton për trajtim mjeksor në Gjermani, falënderon kryeministrin Haradinaj

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot në orët e para të ditës do të udhëtojë drejt Gjermanisë për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Ai është me vetëdije të plotë, ndërsa ekzaminimi jashtë vendit bëhet në pajtim me familjen e tij, për të hequr të gjitha dyshimet. Familja e Mustafës dhe vetë ish-kryeministri Mustafa kanë falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për gatishmërinë dhe mbështetjen.

Kjo është deklarata e mëngjesit të hershëm e këshilltarit të lartë të Isa Mustafës, Besnik Berisha, dhënë Radio Dukagjinit.

“Janë kryer të gjitha aranzhimet. Ka një kujdes dhe një gatishmëri, personalisht të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj që të përkrahet çfarëdo nevoje për trajtimin e z. Mustafa. Kryeministri Haradinaj mbrëmë nëpërmjet tentimin të kontaktit, nëpërmjet djalit të z. Mustafa ka shprehur gatishmërinë e tij për të asistuar personalisht dhe përmes Qeverisë për çfarëdo që kërkohet me qëllim që z. Mustafa të kthehet sa më parë në Kosovë dhe të vazhdojë aktivitetin. Pra, ka një përkrahje institucionale”, deklaroi Berisha.

Më tej Berisha, në emër të familjes Mustafa dhe vetë ish-kryeministrit Mustafa ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për mbështetjen.

“Në emër të familjes Mustafa dhe vetë z. Mustafa falënderojmë gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit Haradinaj dhe të gjithë miqtë. Sigurisht falënderojmë mediet për kujdesin dhe interesimin e shtuar. Qytetarët e vendit do t’i mbajmë të informuar lidhur me përparimin në trajtimin e z. Mustafa dhe datën eventuale të kthimit të tij në Kosovë’’- tha Besnik Berisha në deklarim për Radio Dukagjinin.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button