Home / Politika / Shtëpi e re për FSHF-së pranë Parkut Olimpik. Rama: Mos më ngatërroni me zgjedhjet në FSHF-së

Shtëpi e re për FSHF-së pranë Parkut Olimpik. Rama: Mos më ngatërroni me zgjedhjet në FSHF-së

Nisin punimet për shtëpinë e re të Federatës Shqiptare të Futbollit, që do të ndërtohet pranë Parkut Olimpik në Tiranë.

Sipas projektit që sapo nisi të zbatohet, ndërtesa e re e FSHF-së do të ketë një sipërfaqe 3000 metra katrorë dhe do të jetë 4 kate. Në të, përveç zyrave, do të jenë të përfshira dhe muzeu i historisë së futbollit në vend, ndërkohë që nuk do të mungoje as salla e konferencave të shtypit.

Përurimi i ndërtesës së re të përfunduar të FSHF-së parashikohet të bëhet pas 18 muajsh, në të njëjtën periudhë kur do të bëhet edhe ai i Arenës Kombëtare.

Nisja e punimeve përkon dhe me çeljen e garës për kryetarë të Federatës Shqiptare të Futbollit e përballë janë Kreu aktual i FSHF, Armando Duka dhe Deputeti Bashkim Fino.

Në këtë kuadër, Rama theksoi se prania e tij në këtë eveniment nuk lidhet me garën për kryetarin e FSHF, por me godinën e FSHF-së, që do ndërtohet.  “Mora pjesë në këtë ceremoni, duke marrë parasysh se deri dje më akuzonin se doja të merrja Federatën e sot do më akuzojnë se dua të mbaj Federatën, por jam këtu për godinën e Federatës që nuk ka lidhje me zgjedhjet për presidentin e FSHF”, tha Rama.

“Në ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe nga nostalgjikët, që kur u shpall ky projekt. Ata thonin se si ka mundësi që do zhduket godina e heroizmave të së shkuarës. Por, kjo godinë ka kohë që nuk është godinë e Dinamos dhe për fatin e keq dhe turpin më të madh të atyre që kishin kohë dhe në dorë për të bërë shumë më shumë se çfarë bënë, kjo godine mbeti kafaz i pëllumbave të shumësportëshit”, tha Rama.

“Por ne i dhamë ndryshëm rrënjësorë dhe frymëzues dhe me ndërtimin e Parkut Olimpik, në këtë kënd mungonte godina e godinave, ajo Federatës së Federatave, ajo e futbollit.  Me ndërtimin e shtëpisë së FSHF përfundon dhe faza e dytë e Parkut Olimpik”, vijoi kryeministri.

Por, sipas Ramës, nuk do mbetet me kaq pasi projekti vijon. “Do ketë fazë të tretë me pishinë të mbyllur dhe mjedisin e parkut të parashikuar nga Bashkia e Tiranës. Po ashtu, paralelisht me këtë ka mbaruar dhe projekti për zonën kufitare ku është kopshti botanik dhe zoologjik, që do jetë tërësisht një kopësht i ri , Zoo-botanik. Pra, kjo është pamje e të nesërmes që presim ta shohim të realizuar”, theksoi Rama.

Klasat Sportive shumë shpejt realitet.

Kryeministri Edi Rama, theksoi se sporti ishte dhe mbetet një nga prioritet e qeverisë. “Kur flas për sportin nuk flas vetëm për futbollin, por për të gjitha sportet.  “Ndryshimet, cila do qofshin ato nisin nga komuniteti dhe më pas mbështeten  nga qeveria. Kjo skemë funksionon në të gjithë botën.  Ne kemi pasur që ditën e parë prioritet sportin dhe shifrat e rezultatet flasin vetë. Nuk bëhet fjalë vetëm për futbollin, por për të gjithë sportin në tërësi. Ndërtimi i dy stadiumeve të reja, po ashtu Parku Olimpik dhe shumë shembuj të tjerë janë në sytë e të gjithëve. Qeveria do të shkojë më tutje duke thelluar procesin e nisur në shkolla. “Sporti në Shkolla”, duke nisur nga futja e orëve të edukimit fizik, pasi ishte braktisur si çështje nga ata që na drejtonin në të shkuarën. Po ashtu faza tjetër do jetë krijimi i klasës sportive, që do të jetë një suport për të gjithë sistemin”, tha Rama.

Arena Kombëtare gati në Janar

Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë të nisjes së punimeve për fazën e dytë të projektit të Parkut Olimpik, falenderoi veçanërisht kombëtaren e futbollit, e cila ka nderuar ngjyrat e kombit tonë viteve e fundit. “Një falenderim të veçantë kam për ekipin kombëtarë që na ka nderuar dhe meriton të ketë shtëpinë e vetë. Me shtëpinë këtu, me Arenën Kombëtare që do jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm, besojë që ndjenja e çlirimit nga borxhi i madh i shumë viteve është legjitime. Mos me ngatërroni me zgjedhje në FSHF”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: