Politika

Vlerat shqiptare në mbrojtje të emigrantëve dhe refugjatëve

Mikpritja dhe bujaria, dy vlera madhore të identitetit shqiptar janë demonstruar si rrallëherë në botë edhe në çështjet e emigracionit dhe të refugjatëve.

Kështu deklaroi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili mori pjesë sot në veprimtarinë e prezantimit të Mesazhit të Paqes së Atit të Shenjtë, Papa Françesku: “Emigrantë dhe refugjatë: burra dhe gra në kërkim të paqes”, që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në përshëndetjen e tij, Meta i drejtoi Atit të Shenjtë, Papa Françeskut falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë në emër të popullit shqiptar për mesazhin e Tij drejtuar mbarë njerëzimit në fillim të këtij viti lidhur me festimet e Ditës Botërore të Paqes 2018!

“Mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut ka në fokusin e vet ‘Emigrantët dhe refugjatët: Burrat dhe Gratë në kërkim të Paqes’. Ati i Shenjtë, Papa Françesku i konsideron shkaqet e këtij problemi: së pari, tek luftërat, konfliktet, gjenocidet dhe pastrimet etnike, që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre; së dyti, tek dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë dhe; së treti, tek varfërimi si pasojë e degradimit të mjedisit dhe katastrofave natyrore”, tha Meta.

Shqipëria, vijoi presidenti, është shpalosur prej shekujsh si vend i vlerave të mëdha njerëzore. “Për shkaqe sigurie, diskriminimi, gjenocidesh apo pastrimesh etnike, në trojet shqiptare kanë hyrë komunitete të huaja. Ato janë mirëpritur e mbrojtur, garantuar dhe integruar në shoqërinë shqiptare. Sot këto komunitete janë bërë pjesë e shoqërisë dhe e vlerave tona të përbashkëta, duke u shndërruar gjithashtu në ura miqësie dhe bashkëpunimi të Shqipërisë dhe shqiptarëve me vendet dhe popujt e tyre të origjinës”, vlerësoi Meta.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, sipas Metës, “janë kristalizuar edhe qasje kontradiktore lidhur me emigrantët dhe refugjatët që lëvizin nga vendet e tyre për një jetë më të mirë”. “Ka shtete, grupime politike dhe shoqërore që i shikojnë emigrantët dhe refugjatët si një barrë mbi ekonomitë e vendeve të tyre dhe shkaktarë të problemeve sociale. Papa Françesku është i mendimit se emigrantët dhe refugjatët nuk shkojnë në vendet e destinacionit me duar bosh. Ata sjellin kurajën e tyre, shpresat e tyre, aftësitë, energjitë dhe aspiratat, sikundër edhe thesaret kulturore të vendeve nga vijnë. Si të tillë ata pasurojnë jetët e shoqërive dhe kombeve në të cilët kanë shkuar”, shtoi Meta.

Presidenti veçoi “mikpritjen e jashtëzakonshme gjatë Luftës së Dytë Botërore të shumë hebrenjve, si dhe rastin kur mijëra ushtarë italianë që erdhën si pushtues, pas kapitullimit, u morën në mbrojtje nga familjet shqiptare anembanë vendit”.

“Këto raste e shumë të tjera nuk janë rastësi, ashtu sikurse nuk është rastësi që nga populli dhe kombi ynë ka dalë një Shenjtore si Nënë Tereza, që vazhdon të frymëzojë për mirësi, dhembshuri dhe solidaritet njerëzor anembanë botës”, theksoi Presidenti.

Ai vlerësoi se “Shqipëria dhe shqiptarët nëpërmjet traditave të mikpritjes, mbrojtjes, promovimit dhe integrimit të emigrantëve dhe refugjatëve kanë arritur të krijojnë midis të huajve dhe vendasve një komunitet harmonik me diversitet etno-kulturor, multireligjioz, me unitet politik dhe kohezion social”.

“Në mesazhin e tij, Papa Françesku e konsideron sfidën e emigrantëve dhe refugjatëve afatgjatë dhe si e tillë kërkon angazhim ndërkombëtar. Në nivele ndërkombëtare dy janë instrumentet më të rëndësishëm për zgjidhjen paqësore të kësaj sfide: dialogu midis shteteve dhe bashkëpunimi midis tyre. Si President i një vendi që është përballur shumë me këtë fenomen vlerësoj se emigrantët janë edhe një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik të vendeve përkatëse, nëpërmjet kohezionit social, etno-kulturor dhe fetar, por edhe nëpërmjet integrimit dhe edukimit të tyre duke bërë që faktori njerëzor të jetë më i rëndësishëm se sa ai teknologjik”, përfundoi Presidenti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button