Ekonomia

Deregulimi, Ahmetaj letër biznesit-Brenda 15 shkurtit paraqitni propozimet

Në kuadër të reformës së deregulimit të iniciuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në muajin shtator, Ministri Arben Ahmetaj i është drejtuar sot sipërmarrjes me një letër të hapur, mbi avancimin e procesit të deregulimit, arritjet e deritanishme dhe shërbimet e reja që pritet të ofrohen së shpejti.

Po kështu, ministri fton sipërmarrjen në një proces konsultimi të përbashkët me qëllim thellimin e reformës dhe garantimin e impaktit të pritshëm nga sipërmarrja në funksion të thjeshtimit të procedurave, ofrimit të shërbimeve online dhe uljes së peshës së burokracisë në institucionet shtetërore.

“Ju ftoj të ndani me ne sugjerimet dhe komentet tuaja në funksion të avancimit të kësaj reforme të rëndësishme për ekonominë shqiptare”, shkruan Ahmetaj në mesazhin drejtuar sipërmarrjes.
Propozimet e biznesit duhet të bëhen brenda gjysmë së muajit shkurt.

“Propozimet tuaja për procedurat që konsideroni se përbëjnë mbirregullim të tregut, janë mëse të mirëpritura për t’u kthyer në një platformë të re dialogu dhe konsultimi mes nesh shumë shpejt në një tryezë të përbashkët”, vijon mesazhi i ministrit Ahmetaj.

Reforma e deregulimit është prezantuar prej muajsh nga qeveria si një nga reformat kryesore të mandatit të dytë, me në fokus përmirësimin e shërbimeve publike për biznesin dhe qytetarin, uljen e peshës se burokracisë , thjeshtimin e procedurave, reduktimin e kohës dhe kostove si dhe ofrimin e shërbimeve të reja online.

Nga l tetori, 13 dokumente nuk u kërkohen më qytetarit apo sipërmarrjes, për asnjë shërbim të ofruar nga MFE dhe institucionet e saj të varësisë. Këto dokumente gjenerohen nga zyrat përkatëse të ofrimit të shërbimeve përmes platformës elektronike e-Albania ose nëpërmjet ndërveprimit dhe komunikimit mes institucioneve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button