Politika

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forcë e jashtëzakonshme emancipimi dhe evropianizimi

Gjergj Kastrioti Skënderbeu përpara se të jetë simboli i mëvetësisë, mbetet para së gjithash një forcë e jashtëzakonshme tërheqëse emancipimi dhe evropianizimi.

Kështu e cilësoi kryeministri Edi Rama me pak fjalë figurën e Heroit tonë Kombëtar, në aktivitetin  “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”, një kremtim i 550-vjetorit të kalimit në amëshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Një hapësirë në Pallatin e Kongreseve është kthyer tashmë në një pikëtakim surprizë për të gjithë ata që do ta vizitojnë gjatë këtyre tre ditëve.

Me ftesën “Ejani dhe shihni”, Kryeministri uroi që  të vijnë drejt këtyre viseve gjatë gjithë këtij viti, sa më shumë shqiptarë që i mban larg vendit një arsye, por i mban lidhur malli i pashueshëm për Shqipërinë.

Eventi për Vitin e Skënderbeut në Pallatin e Kongreseve u çel me mesazhin që Papa Françesku u ka dërguar të gjithë shqiptarëve për këtë vit jubilar.

‘Tek e falënderoj Atin e Shenjtë për fjalët me të cilat na përshkruan si komb, ndiejmë krenari për të gjithë ata që luftuan për pavarësimin e këtij vendi dhe po ashtu vuajtën sakrifica të panumërta për lirinë. Ndiejmë krenari për faktin gjithashtu që një autoritet i tillë moral i përbotshëm, Papa Françesku, na sheh dhe përkufizon si shembull hapje dhe mirëkuptimi, pikërisht në këtë moment kur ne të gjithë së bashku përkujtojmë një figurë kaq kyçe, më të rëndësishmen e historisë sonë kombëtare”, tha Rama.

Jeta dhe vepra e Gjergj Kastriot Skënderbeut, sipas Kryeministrit Rama,  është një histori suksesi dhe vizion ardhmërie. “Ai nuk na është dhuruar si një shenjt, por kronistët e qëmotshëm, por edhe studiuesit e sotëm bien dakord se përpara se të godiste përmes shpatës, Skënderbeu tejçonte një fuqi karizmatike. Oratori i Dukeshës së Mantovës në Romë, tek e sheh për herë të parë në dhjetor 1446 ngutet të raportoj imazhin e një burri të moçëm, jo i kapardisur, me një dinjitet të sigurt që nuk i detyrohej pozave solemne apo veshjeve të çmuara”, u shpreh Rama.

Në të gjitha gravurat e kohës, vijoi Rama, Skënderbeun e konsideronin të gjithë si njërin prej tyre, një humanist, një gjymtyrë lidhëse të shpirtit evropian.

“Përpara se të rivishte armën dhe të kalëronte për fatin tonë, përballë lëvizjes për pavarësi, Skënderbeu gjalloi në arte, kulturë dhe mjeshtëri për shekuj të tërë. I urtë mes të urtëve me Gjergj Kastrioti Skënderbeun shqiptarët kanë një histori të vërtetë dashurie”, tha Rama.

Kryeministri e konsideroi një emocion të veçantë faktin që “gjendemi këtu së bashku dhe ku 150 arbëreshë  të Italisë, ku jeton trungu më i moçëm i diasporës shqiptare ka ardhur në tokën mëmë për të nderuar figurën e Skënderbeut”.

“Sjellim në vëmendje në këtë 550-vjetor bashkësinë arbëreshe. Shumë flitet për ta, por rrallë na takon t’i prekim. Shqiptarët u kanë borxhin e pashlyeshëm, mbajtjen gjallë të figurës së Skënderbeut përmes riteve dhe dokeve tona të atëhershme. Do t’i mirëpresim duke nisur kështu me këtë ceremoni modeste dhe përqafim mikpritës për ata që kanë ardhur për të sjellë këtu komunitetin arbëresh, edhe përgatitjet për Samitin e Dytë të Diasporës që në nëntor do të sjell në Tiranë të gjithë bijtë e Skënderbeut”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button