Kosova

LDK në ngërç, ka vetëm dy opsione

ldk-n-euml-ng-euml-r-ccedil-ka-vet-euml-m-dy-opsione_hdPartia që është “kapur” më së keqi nga ngërçi politik i krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, është Lidhjen Demokratike e Kosovës (LDK), të cilës kryetari i saj, Isa Mustafa, nuk i ka lënë opsione për manovrim.

Burime të lajmi.net brenda kësaj partie, kanë bërë të ditur se pas dështimit të dytë të bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma, të përkrahur edhe nga Vetëvendosje, madje me marrëveshje, për ta bërë Isa Mustafën kryeparlamentar të Kosovës, situata në LDK është përkeqësuar, ndërkohë që nuk po lejohet as debati.

“Është një grup deputetësh brenda partisë që ia kanë bërë me dije, direkt dhe indirekt, kryetarit dhe përkrahësve të tij të devotshëm, se duhet reflektuar përpara se të thirret vazhdimi i seancës konstituive (pjesa e tretë), sepse po shihet se nuk na ka mbetur opsion tjetër veç se të pajtohemi me aktgjykimin Gjykatës Kushtetuese, ose të çojmë vendin në zgjedhje të reja”, ka thënë me kusht anonimiteti një nga zyrtarët e lartë të LDK-së.

Sipas këtij burimi të lajmi.net, Mustafa e ka futur LDK-në në ‘ngërç’ me vetveten duke i ndarë postet me partitë tjera përpara se të zgjidhej kryeparlamentar gjatë seancës konstituive të 17 korrikut, e cila siç e dimë të gjithë, u anulua më pas me aktgjykim të gjykatës, për thyerje të Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës.

Dështimi i dytë i bllokut opozitar për të bërë Mustafën kryeparlamentar, më 18 shtator, kësaj radhe i mbështetur me marrëveshje edhe nga Vetëvendosje, sipas këtij burimi, ka ngjallur shumë pakënaqësi brenda LDK-së dhe i ka lënë asaj vetëm dy opsione, prishjen e koalicionit paszgjedhor ose çuarjen e vendit në zgjedhje të reja parlamentare.

“Opsioni i parë është prishja e koalicionit paszgjedhor, sepse ne si parti e dytë edhe ashtu jemi të pakënaqur me pozitën e kryeparlamentarit. E derisa kjo pozitë, siç po shihet, nuk mund të merret nga LDK-ja, atëherë lind pyetja se çfarë na mbetet neve, e jemi partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e fundit. Ndërsa opsioni i dytë janë zgjedhjet e reja. Por nëse analizojmë rrethanat ky opsion nuk i konvenon partisë sonë dhe nuk e ka as përkrahjen e ndërkombëtarëve, rrjedhimisht as të një pjese të partisë sonë, që shohim pak më larg se interesat personale”.

Lideri i LDK-së, Mustafa, i ka bërë thirrje presidentes Atifete Jahjaga që t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese ta rishikojë aktgjykimin që kishte të bënte me seancën konstituive të 17 korrikut dhe zgjedhjen e tij në postin e kryeparlamentarit, por kjo duket të jetë e pamundur, pasi Kushtetuesja është organi më i larët juridik në vend dhe nuk mund të rishikojë vendimet e veta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button