Kronika

Sot ne 20:30 ne RTSH 1:Si u ekzekutua me artileri në shpellë, deputeti Haxhi Hajdari në 1963-in pas përplasjeve me Feçor Shehun?!

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili realizohet me mbështetjen e zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Radio Televizionin Publik Shqiptar, (cikël që ka filluar nga muaji dhjetor i vitit të kaluar të trasmetohet në RTSH1), dy gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, që janë dhe bashkëautorë të këtij projekti, kanë realizuar dokumentarin me titull “Shpella e lirisë”.

Ky dokumentar që pason “Aleksandër Kondo, fati i trishtë i një ëndrre” dhe “Elez Isufi dhe tragjedia e familjes Ndreu nën regjimin komunist”, të cilët janë transmetuar tashmë nga Radio Televizioni Publik Shqiptar, bën fjalë për një ngjarje nga më tragjiket që mund të ketë ndodhur në Shqipëri në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Kjo, përsa i përket mënyrës së ekzekutimit të një funksionari të lartë të atij regjimi. Bëhet fjalë për kolonel Haxhi Hajdar Manin, ish-komandant i të parës çetë partizanë në qarkun e Shkodrës dhe deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë deri në vitin 1963, kur ai u ekzekutua nga regjimi duke u goditur me predha artilerie në shpellën e Rrjollit, dikun në malësinë e Shkodrës, ku ai ishte ngujuar në ditët e para të marist të vitit 1963. Lidhur me këtë ngjarje tejet tragjike dhe pothuaj fare të panjohur për publikun edhe pas 27 viteve të postdiktaturës, (nga viti 1991 e deri më sot për këtë ka vetëm një shkrim dossier nga Dashnor Kaloçi në vitin 2003), dy bashkëautorët e projektit dhe stafi i tyre realizues, kanë synuar e tentuar të hedhin dritë dhe ta ndriçojnë atë duke u munduar për ta rindërtuar edhe njëherë ashtu siç ka ndodhur plot 55 vite më parë.

Po kush ishte Haxhi Hajdari, cila ishte e kaluara e tij, si e fitoi gradën e kolonelit dhe përse u zgjodh ai deputet i malësisë së Shkodrës për disa legjislatura?! Si është e vërteta e konflikteve të tij me udhëheqjen e lartë të asaj kohe dhe çfarë i kërkoi ai Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, në takimet që thuhet se ai pati me ta ku kundërshtoi problemin e kolektivizimit dhe ngritjes së koopetarivave bujqësore në zonat malore ku ai ishte deputet?!

Si dhe përse u acaruan marrëdhëniet e tij me Feçorr Shehun, kryetarin e Degës së Brendëshme të Shkodrës?! Si është e vërteta e planit të arrestimit të tij publikisht në mënyrë demonstrative në sallën e Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe përse nuk u zbatua ai plan?! Cili ishte oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit që e njoftoi Haxhiun mbi planin e arrestimit të tij dhe si mundi ai të largohet nga Tirana dhe më pas duke u arratisur në mal në marsin e vitit 1963?! Përse u mobilizuan 12 mijë forca ushtarake dhe vullnetare për zbulimin dhe kapjen e Haxhi Hajdarit dhe përse ai operacion drejtohej nga vetë kryeministri Mehmet Shehu nga Tirana?!

Përse pas rrethimit të tij, nuk u tentuar që Haxhi Hajdari të kapej i gjallë aty në shpellën ku ishte ngujuar së bashku me djalin e mikut të tij, por u dha urdhëri nga Tirana që ai të ekzekutohej duke u qëlluar shpella me predha artilerie?! Përse pas vrasjes së tij, trupi i pajetë i coptuar u shëtit me gomar në disa fshatra të asaj krahine ku ish-deputeti Hajdari kishte pasur mjaft influencë?

Përse në dokumentet arkivore që publikohen për herë të parë në këtë dokumentar, Feçorr Shehu e cilëson tradhëtar Haxhi hajdarin?! Lidhur me këto dhe mjaft mistere e gjëra të tjera të panjohura, mite apo realitete të një kohe të shkuar, tentohet të hidhet dritë në këtë dokumentar, duke u bazuar sa në dokumente arkivore, (dosja personale e ushtarakut Haxhi Hajdar Mani që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendëshme), foto të rralla, ashtu dhe në dëshmi të bëra nga historianë, shkrimtarë, familjarë të tij, të afërm, ish-kolegë të tij ushtarakë, të afërm, miq të familjues dhe persona të tjerë që e kanë njohur nga afër ish-deputetin e Malësisë së Shkodrës etj.

Në këtë kuadër, në dokumentar vijnë me dëshmitë e tyre, Gjeneral-Leitnant, Rrahman Parllaku, (Hero i Popullit, që ka vuajtur 16 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës), i cili ka pasur njohje personale me Haxhi Hajdarin që nga viti 1945 kur ishte me detyrën e Komisarit Politik të Qarkut të Shkodrës dhe më pas si deputet për disa legjislatura në Kuvendon Popullor, Shyqyri Çoku, ish-hetues në Degën e Punëve të Brendëshme të Shkodrës, i cili e ka njohur Hajdarin që nga çeta partizane e Shkodrës që ai komandonte dhe më pas në detyrat e tjera që ai ka ushtruar, Shaqir Vukaj, ish-ministër i Mbrojtjes, dhe nënkryetar i Parlamenit të Shqipërisë, pasi babaj i tij, Bejto Fasllia (Vukaj), ka qenë një nga kolegët dhe miqtë më të ngushtë të Hajdarit, Shyqyri Mollaj, nip i Haxhi Hajdarit, shkrimtar që nga viti 1970 dhe publicist i njohur, Spartak Topollaj, historian, ish-ambasador dhe diplomat i karrierës, etj. Po kështu me dëshmi mjaft interesante në dokumentar vijnë dhe Prof.Dr. Mendu Dërguti, historian dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, i cili në kohën që ka ndodhur ngjarja tragjike e vrasjes së deputetit Hajdari, ka qenë arsimtar në një fshat fare afër, Shaqir Elbasani dhe Fran Marku, miq të familjes së Haxhi Hajdarit që e kanë njohur atë që nga viti 1944, etj.

Po kështu ndër dëshmitë më interesante në këtë dokumentar, janë edhe ato të bëra nga Gjergj Paja, vëlla i Nosh Pajës, (27 vjeçarit që u ekzekutua në shpellë së bashku me deputetin Hajdari), si dhe Prek Pjetër Pajës, babai i të cilit, vdiq nga torturat e Sigurimit të Shtetit, pasi nuk tregonte se ku e kishin fshehur deputetin Hajdari, ndërsa nëna e tij, Pashkja, u dënua me 25 vite burg politik. Të tjera dëshmië në dokumentar vijnë nga Ferit Hajdari, (i biri i Haxhi Hajdarit) kolonel në pension, si dhe vëllezërit e motrat e tij, të cilat hedhin dritë mbi disa nga anëtr e errta të vrasjes tragjike të babait të tyre, si dhe persekutimin e familjes nëpër internime në Borsh të Sarandës dhe Fushë-Peshtan të Beratit deri në vitin 1990. Për më shumë na njeh dokumentari “Shpella e lirisë” që jepet premierë në RTSH1 sot, e mërkurë ora 20 e 35.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button