Kryeartikull

Për një këshill mbarëkombëtar për vitin e Skënderbeut

Rexhep Qosja

Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur vitin 2018 Vit të Skënderbeut. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar themelimin e një komisioni të posaçëm për organizimin dhe përurimin e këtij viti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar njëkohësisht nga qytetarët që të japin ide, sugjerime e propozime për kalendarin e aktiviteteve që do të mbahen gjatë këtij viti.

Edhe pse me vonesë, po i përgjigjem tash kësaj kërkese të kryeministrit. Viti 2018, si vit i Skënderbeut, është vit i figurës më të madhe, më të rëndësishme e më largpamëse në historinë e popullit shqiptar.

Është ky vit që do të shënohet në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo ka tjetër shqiptarë në Ballkan dhe në botë.

Është ky vit që do të shënohet prej institucioneve shtetërore, prej institucioneve shkencore, prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prej Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, prej lidhjeve e shoqatave të shkrimtarëve, të krijuesve të tjerë të arteve, prej shoqatave të ndryshme kulturore, prej partive e prej grupeve të ndryshme partiake e jopartiake.

Është ky vit që do të shënohet në mënyra të ndryshme: me akademi shtetërore, me akademi shkencore, me manifestime e me veprimtari politike, kulturore, argëtuese. E të tjera. E të tjera.

Mund të besohet se gjatë gjithë këtyre akademive, manifestimeve e veprimtarive të tjera shënuese do të sillen të dhëna të reja, shqyrtime të reja, gjykime e vlerësime të reja shkencore, historike, kulturore, politike për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për kohën e tij, për trajtimin e tij të deritashëm në historiografinë, në letërsinë e në artet kombëtare dhe në historiografinë, në letërsinë e në artet evropiane e botërore.

Mund të pritet që në gjithë këto manifestime e veprimtari shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore, argëtuese të ketë edhe shumë retorikë e patos.

Por, mund të besohet se gjatë gjithë këtyre manifestimeve e veprimtarive shkencore, politike, shtetërore, kulturore e argëtuese do të prodhohen edhe kiç mendime, kiç gjykime e kiç vlerësime.

Mund të pritet gjithashtu që në të gjitha këto manifestime e veprimtari do të prodhohet edhe jo pak kiç atdhetarizëm.

Për të qenë Viti i Skënderbeut i shënuar më mirë e më suksesshëm, në pikëpamje shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore më dinjitetshëm e më ndikueshëm jo vetëm në përpjesëtime gjithëkombëtare e, pse jo edhe më gjerë, mendoj se duhet të formohet Këshilli i quajtur Këshilli Mbarëkombëtar për Vitin e Skënderbeut, i cili do të merret me “organizimin dhe përurimin e këtij viti” në të gjithë hapësirën shqiptare e në diasporë.

Nuk është vonë për krijimin e këtij Këshilli Mbarëkombëtar, i cili do të përbëhej prej përfaqësuesve politikë e shtetërorë, prej përfaqësuesve të organizatave qytetare, prej historianëve, prej shkrimtarëve e krijuesve të arteve të tjera, prej publicistëve të Shqipërisë shtetërore, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të diasporës evropiane e amerikane.

Për vitin kushtuar një figure madhore historike, mbarëkombëtare e gjithëkohore, siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili në jetën e vet bashkoi idenë e madhe mbarëkombëtare dhe shpatën për mbrojtjen dhe sendërtimin e saj, doemos duhet të ketë edhe një Këshill i tillë Mbarëkombëtar. Apo jo?

Related Articles

Nje koment

  1. Nuk e kuptojme kete qosen ai thote shqiptaret jane turq sic eshte ai vete dhe nuk guxon ti thote emrin e vertete skenderbeut si mund te besohet qosja……?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button