Kosova

Qeveria e borxheve!

Qeveria-Ndertesa-foto-Ridvan-Slivova-01-690x388Hyrja në borxhe të ndryshme e Qeverisë së Kosovës për të mbuluar deficitin buxhetor nuk po shihet me sy të mira nga njohësit e ekonomisë. Sipas Lumir Abdixhikut nga Instituti “Riinvest”, në fund të fundit, secili borxh duhet kthyer, madje sipas tij, në këto raste edhe me interes të shtuar.

Sipas tij, këto borxhe nuk duhet të merren për mbulim të deficitit por duhet të merren për projekte kapitale dhe të arsyetohet mirë marrja e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku ka thënë për Telegrafin se borxhet janë forma të pritshme të financimit të aktiviteteve publike.

“Secili borxh i Qeverisë së Kosovës duhet të arsyetohet me mundësinë e kthimit të tij. Viteve të fundit borxhet e Kosovës janë përdorur kryesisht si burim i mbulimit të deficitit buxhetor, pa llogaritur fare arsyen e marrjes se tyre apo mundësitë tjera për shkurtim të luksit buxhetor”, tha ai.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Lumir Abdixhiku, vazhdimi i marrjes së borxheve, të cilat nuk gjenerojnë kthime të drejtpërdrejta, vetëm sa do të krijojë një barrë financiare në ardhmen. “Në fund të fundit secili borxh duhet kthyer, me interes madje”, theksoi Abdixhiku.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave (MF), kanë treguar se për vitin fiskal 2014, deri më tani janë shpallur 16 ankande të Letrave me Vlerë, përfshirë edhe atë i cili do të mbahet më 29 shtator – deri sa borxhi i Qeverisë nga këto letra ka tejkaluar 220 milionëshin.

“Momentalisht, shuma totale e huamarrjes përmes shitjes së Letrave me Vlerë është 220.7 milionë euro. Norma mesatare e baraspeshuar e interesit që paguhet për këto para është 1.57 për qind vjetore”, kanë treguar zyrtarët e Ministrisë së Financave për Telegrafin.

Sipas tyre, hyrja në borxhe nëpërmjet letrave me vlerë nuk mund ta rrezikoj qëndrueshmërinë financiare të vendit.

“Shuma për të paguar interesin e Letrave me Vlerë për vitin fiskal 2014 është vetëm 0.16 për qind nga totali i të hyrave vjetore të Republikës së Kosovës, andaj nuk mund të thuhet se paraqet ndonjë rrezik për qëndrueshmërinë fiskale”, është thënë në përgjigjet për Telegrafin, nga Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Financave.

Ndërkaq, zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, ka treguar për Telegrafin se deri më tani kanë investuar në Letra me Vlerë 55 milionë euro të kontribuuesve kosovarë deri sa kjo shumë mund të rritet gjatë këtij viti.

“Deri në fund të gushtit 2014, Trusti, i kishte të investuara në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës rreth 55 milionë euro. Bordi Drejtues ka shprehur në vazhdimësi vullnetin që brenda mundësive ligjore të investojë sa më shumë mjete në Kosovë, dhe pritet që Trusti të marrë pjesë në ankandet e radhës”, tha Demi.

Ndryshe ankandi i parë i Letrave me Vlerë nga anën e Qeverisë së Kosovës është shpallur më 17 janar 2012.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button