Home / Rajoni / Maqedonia / Shekerinska-Stoltenberg: Vendi i Maqedonisë është në NATO

Shekerinska-Stoltenberg: Vendi i Maqedonisë është në NATO

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka pritur sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.

Maqedonia tregoi se ka kapacitet që të zbatojë reforma në frymën e vlerave të NATO-s, të fokusohet në proceset demokratike, reformat në mbrojtje, t’i avancojë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe të bëhet faktor i stabilitetit në rajon. Me zbatimin konsekuent të reformave, vendi i Maqedonisë është në NATO, u tha në takimin e sotëm të ministres Shekerinska dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në takim, siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, theksohet se në mesin e qytetarëve dhe të skenës politike ka konsensus të padyshuar se shteti duhet të jetë anëtar i plotfuqishëm i NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

Ministrja e informoi Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës për rritjen e buxhetit në mbrojtje si dhe për vendimin për rritjen e kontingjentit të Maqedonisë në misionin në Afganistan. Shekerinska e falënderoi për përgjigjen pozitive nga NATO për kyçjen e Maqedonisë në Programin e NATO-s për avancimin e arsimit në mbrojtje.

“Përmbushja e qëllimit tonë strategjik që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s është me rëndësi të madhe, jo vetëm për vendin tonë por edhe për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është qëllim që i bashkon të gjithë qytetarët rreth të cilës ekziston konsensus politik. Na nevojitet inkurajim dhe mbështetje që të mund ta përcjellim porosinë se ky qëllim është i realizueshëm”, tha ministrja.

Shekerinska tha se Qeveria dhe Ministria arritën shtytje të fuqishme në realizimin e reformave, ku në të ardhmen do të vazhdohet me ritmin e njëjtë.

“E përmbushëm premtimin tonë dhe e rritëm praninë në misionin ‘Mbështetja vendimtare’ për 20 për qind. Kur premtojmë, përmbushim, e kështu punojmë edhe në reformat mbrojtëse”, tha ajo.

Kreu i NATO-s, Stoltenberg falënderoi për kontributin e shumëpritur të Armatës së Republikës së Maqedonisë në misionet e NATO-s në Afganistan dhe përshëndeti rritjen 20 përqindëshe të forcave të ARM-së në misionin “Mbështetja vendimtare”.

Ai shprehu kënaqësi për përkushtimin e Qeverisë edhe të Ministrisë në reformat dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe shtoi se Maqedonia ka mbështetje të plotë në realizimin e këtyre reformave.

Stoltenberg më tej tha se mbështet përpjekjet që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe se ka arsye për të qenë optimist, pa mos humbur të qenurit real, meqë ka ende sfida.

“E vlerësoj kontributin tuaj në misionet paqesore. Pjesëmarrja juaj atje është bonus që ju jep argument se jeni kandidat serioz për anëtarësim në NATO. Edhe rritja e buxhetit në mbrojtje është hap që kontribuon në vlerësimin e NATO-s se jeni të kualifikuar të bëheni anëtar i Aleancës”, tha Stoltenberg.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se takimi Shekerinska – Stoltenberg është vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Ministrinë pas më shumë se një dekade.

Leave a Reply

Your email address will not be published.