Politika

Bushati-Kotzias, pas Kretës tre ditë në Korçë: Ja çështjet që do të diskutohen

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias mbërriti në orët e pasdites së të premtes në qytetin e Korçës. Ai u prit nga homologu i tij shqiptar, Ditmir Bushati.  Korça u përzgjodh si vendi ku dy delegacionet do të vijojnë me diskutimin e çështjeve dypalëshe, në përpjekje për të avancuar edhe më tej bisedimet e zhvilluara nga 10 deri më 12 nëntori i 2017 në Kretë.

Këshilltarja për mediat i MEPJ, Edlira Prendi u shpreh për ATSH se, takimi në Korçë do të jetë vijim i takimit të Kretës. Në këtë takim do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve. Ndërkohë që takimi do të jetë i mbyllur për mediat.

Në takimin e parë në Kretë, rreth një muaj më parë, në tryezën e bisedimeve u diskutuan çështjet e hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë, përfshirë ato me karakter historik, aktual si dhe për perspektivën e marrëdhënieve dypalëshe.

Në një intervistë televizive një javë më parë, Ministri Bushati i ndau në tre etapa problemet midis Shqipërisë dhe Greqisë në të së shkuarës, aktuale si dhe ato të së ardhmes.

Problematikat me Greqinë janë të karakterit historik, çështje të aktualitetit dhe çështje që kërkojnë një vështrim për nga e ardhmja. I kemi përsëritur këto tema duke filluar që nga çështja e ligjit të luftës dhe paketa e luftës, tek çështjet e përditshmërisë e deri tek çështja e detit që ka një impakt për të ardhmen e marrëdhënieve tona.

Të gjitha diskutimet tona eksploratore janë përqendruar në këto 3 drejtime. Në takimin e Kretës kemi dal në një deklaratë të përbashkët, çka nuk ka qënë rasti në të shkuarën. Kemi bërë progres për disa nga çështjet. Nuk mund të konsiderohet që procesi të jetë përfundimtar, por në asnjë vend nuk kam parë që një proces diskutimesh, eksploratore, palët të dalin para publikut të shpjegojnë strategjitë e tyre, taktikën e tyre.

Paketa e luftës, tha Bushati ka brenda pronat, çështjen çame, është çështjen e varrezave të ushtarëve grek.

Çështjet e aktualitetit kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave kombetare, me çështjet konsullore, me aplikimin e vulës apostile, gjë që shkakton kosto financiare dhe vonesa në të gjitha procedurat që kryejnë shtetasit tanë. Për të vazhduar tek lejet e drejtimit të automjeteve sepse e kemi me vendet tjera por ende nuk e kemi me Greqinë, çka do të ishte një impakt për shtetasit tanë.

Për të vazhduar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi, çështjet e teksteve shkollore e të tjera si këto.

Çështjet që kanë të bëjmë me të ardhmen, janë çështjet që kanë të bëjnë me zgjidhjen përfundimtare të regjimit kufitar sepse kemi zonën eksluzive-ekonomike dhe shellfin kontinental nga njëra anë dhe kemi dhe çështjen e kufirit tokësor, jo kufirin në vetvete por çështjen që ka të bëj më mirëmbajtjen e tij dhe me mirëpërcaktimin e rregullave të kufirit tokësor. Këto janë çështje që kanë një impakt natyrisht dhe mbi të ardhmen tonë.

Pas takimit në Kretë, MEPJ shqiptare dhe ajo greke theksuan në një deklaratë të përbashkët për shtyp se takimi u fokusua në çështjet e hapura dypalëshe.

Gjatë bisedimeve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, u krye një punë substanciale.

Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive duke u mbështetur në vlerat dhe normat evropiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre.

Bisedimet përbënë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese prej një kohe të gjatë do të vijojnë. Në dritën e këtyre zhvillimeve, u ra dakord që ministrat të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkret përpara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button