Politika

21 janari, Rama: Shpata e kohës është ngritur për këputjen e nyjes që mban lidhur drejtësinë

Shpata e kohës është Kryeministri Edi Rama, në një ceremoni përkujtimore me familjarë dhe miq të 4 dëshmorëve të protestës popullore të 21 janarit të vitit 2011, deklaroi se reforma në drejtësi do të sjellë shumë shpejt frytet e saj.

Rama i siguroi ata se do të marrin drejtësi, pasi shpata e kohës e mbajtur prej qytetarëve është ngritur dhe shumë shpejt do të këpusë nyjen që mban lidhur drejtësinë.

“21 janari është kthyer në një moment krejt të pazakontë përkujtimi në boshllëkun e drejtësisë së papërmbushur. Kjo ditë është kthyer në një dëshmitar të pafuqisë çerekshekullore të njeriut të zakonshëm të këtij vendi përballë murit qorr dhe shurdh të drejtësisë së tredhur nga krimi e korrupsioni. Një shëmbëlltyrë kombëtare e nevojës ulëritëse të njeriut të zakonshëm për drejtësi dhe padurimit popullor teksa koha ikën e drejtësia vonon.

Një pasqyrë kombëtare e të përpjetës së lartë, të betejës së shpallur në tre vitet e fundit për një reformim drastik të sistemit të drejtësisë ku në çdo hap ndeshemi me forcën e dëshpërimit të organizatave klaneve e celulave anti reformë në Parlament, në pallatin e drejtësisë, në kazanin e drejtësisë. Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi nuk janë më në këtë jetë prej 7 vjetësh. Plaga e padrejtësisë në shpirtin e familjeve është 7-fish. Ka ikur dhe një vit tjetër dhe drejtësia sërish ka vonuar. Të vrarët në bulevard u ri vranë në gjykatë”, shtoi kreu i qeverisë.

Kur përpiqesh të imagjinosh dhimbjen, vijoi Kryeministri, vetiu ti mendon se drejtësia nuk është e kësaj bote dhe të vjen pullë poste në mendje shprehja latine “ja vlen të shkatërrosh botën për të vendosur drejtësinë në këtë dhe në atë jetë”.

Rama theksoi se 21 janari peshon edhe mbi të, ndjeshëm çdo vit, në prag të këtij takimi tradicional, për faktin se kaloi edhe një vit dhe drejtësia ka vonuar.

Por shtoi ai, familjarët e 4 dëshmorëve rishfaqen mes nesh me provën se nuk e kanë humbur durimin dhe tragjedinë e mbartin jo si një barrë urrejtjeje e zhgënjimi, por si një kryq që të tjerët të mos mund dhe nuk duhet ta humbasin nga sytë, deri kur drejtësia të vijë, ndoshta edhe përtej.

Kreu i Ekzekutivit siguroi se drejtësia do të vendoset, pasi sot kemi jo vetëm një popull që aspiron drejtësinë dhe e pret atë me padurim, por edhe një palë njerëzish të motivuar, politikanë të shumicës qeverisëse që kanë durimin, vendosmërinë e besimin për të çuar deri në fund shkatërrimin e botës që u ka nxirë jetën shqiptarëve.

“Një botë e tërë ka nisur të shkatërrohet nga themelet. Do të shkatërrohen edhe themelet e pallatit të drejtësisë ku tragjedia e 4 të vrarëve edhe pse një tragjedi kombëtare u kthye si shumë tragjedi të tjera në një farsë ku të vrarët në bulevard, u vranë në Gjykatë. Përballja me padrejtësinë do nerva tejet të forta dhe vendosmëri për t’i rezistuar dallgëve të dyshimit që ajo ngre, do besim të madh tek e drejta dhe mundësia e saj për të triumfuar”, theksoi Kryeministri.

Drejtësia, vijoi kryeministri ka humbur beteja në këtë çerek shekulli, por jo sensin e saj në popull, e as luftën. Gjërat, vuri në dukje ai, po ndryshojnë në drejtimin e duhur dhe fundi i pritjes së gjatë është më i afërt se sa ishte dy vite më parë.

“Shumë ngadalë për të ngushëlluar padurimin e njerëzve, por është shumë shpejt në raport me kohën e pritjes dhe kohën që kemi pasur në dispozicion për të ndërmarrë këtë të përpjetë që askush para nesh nuk pati as kurajo ta ndërmerrte as dëshirë ta imagjinonte”, deklaroi Rama.

Reforma në drejtësi, theksoi Rama ishte një utopi deri 24 muaj më parë dhe pallati i drejtësisë ishte një tokë e zënë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar dhe të lidhur si mishi me kockën me pushtetin e politikës.

“Bota që sot ka nisur të shkatërrohet, pikërisht nga themelet e këtij pallati, ishte një territor offshore i arbitraritetit ndaj të papushtetshmëve dhe pandëshkueshmërisë për të pushtetshmit. Sot dy vite më vonë, reforma në drejtësi ka kaluar, ‘lirimi i tokës së zënë’ ka filluar dhe ethet e frikës nga ndëshkimi i kanë kapur të pushtetshmit”, deklaroi Kryeministri.

Rama këtu solli në vëmendje edhe çadrën e ngritur në shkurtin e vitit të kaluar me synimin e marrjes peng të vendit, pikërisht për shkak të Vettingut.

“Sot pritet të nisë ndëshkimi i të korruptuarve që mbajtën peng për kaq shumë vite drejtësinë si prokurorë apo gjykatës. Duhet të ishte bërë me kohë po nuk u bë. Kush nuk e bëri me kohë kërcënon të marrë peng Shqipërinë duke e ndaluar të ulet në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian se i trembet asaj që vjen pas Vettingut, ndëshkimin nga drejtësia e çliruar prej kthetrave të atyre që do të ndëshkohen nga Vettingu”, deklaroi Kryeministri.

Drejtësia, vijoi Kryeministri, nuk është vullnet politik i partisë në pushtet, por sistem që ndërtohet me durim të çeliktë nga ata që janë në pushtet.

“Të tillë në pushtet Shqipëria nuk kishte deri pak vite më parë. Këtë duam të bëjmë ne, promotorët e mbështetësit e garantët në drejtësi. Këtë do të bëjmë”, premtoi Rama.

Në luftën për të arritur këtë, ka njerëz të pushtetshëm, të pasur e shumë të pasur, të vendosur të bëjnë të pamundurën për të ruajtur kokën e tyre duke e penguar zbatimin e këtij projekti kombëtar ardhmërie që është reforma në drejtësi.

“Janë politikanë, prokurorë, zyrtarë, biznesmenë, gjyqtarë, botues të falimentuar, fuqi të huaja apo spiunë të tyre. Nuk janë ende të mundur, aq më pak të dorëzuar. Synojnë e përpiqen çdo ditë të krijojnë sa më shumë mjegull, sherr e konfuzion, madje më keq akoma nuk e fshehin dot përmes rreshtave se ëndërrojnë rrëmujë, mundësisht qamet duke përdorur propagandën se flasin në emër të Shqipërisë, në emër të drejtësisë, të popullit që s’ka bukë e punë, por që do vetëm të ikë, sepse krimi e mafia kanë kapur qeverinë dhe se të gjitha paegët e hapura për çerek shekulli i solli kjo qeveri”, deklaroi Rama.

Madje shtoi Rama, të tilla akuza vijnë edhe nga aleati në qeveri deri një vit më parë.

Disa prej këtyre, që çizmet për 8 vite i përdori deri një vit më parë për gjueti, jo për histeri kjo qeveri i hapi tërë këto plagë, sapo u bë e pavarur prej tyre, tha më tej ai.

“Pikërisht se deri dje ishin në pushtet dhe kishin në dorë dhe mbanin lidhur drejtësinë që po ju shpëton nga duart, sot thonë se as vet ‘Zeusi’ nuk i ndal dot këta shpëtimtarë të popullit e Shqipërisë që ti prijë një kthimi në ditët e arta të bumit ekonomik”, u shpreh kryeministri

Kjo parodi, vuri në dukje Kryeministri, është fatkeqësisht realiteti i skemës sonë politike sot ku palët e ndara mes nevojës për të reformuar drejtësinë e frikës nga drejtësia e reformuar japin e marrin në një debat të padobishëm për njerëzit që nuk duan fjalë, por drejtësi.

“Unë jam sot më optimist se asnjëherë jo vetëm se besoj te forca që udhëheq dhe tek drejtësia e kësaj rruge për Shqipërinë e shqiptarët, por sepse besoj se kur shpata e kohës ngrihet mbi një nyje nuk ka rezistencë sado të dëshpëruar që e ndal dhe shpata e kohës është ngritur . Është shumica dërrmuese e shqiptarëve që e mban në dorë, me ndihmën e paçmuar të fuqisë së miqve të mëdhenj ndërkombëtarë dhe ne thjeshtë po kontribuojmë deri në fund që politika të mos e ndalë dot goditjen e shpatës dhe këputjen e nyjes që mban lidhur drejtësinë.

Ministrja Gjonaj: Drejtësia, mision i panegociueshëm i shumicës qeverisëse

Ministrja Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se sot, ka shumë më tepër shpresë për drejtësi, nga ç`kishte të nesërmen e krimit shtetëror të 21 janarit. Sepse sot, tha ajo, reformimi rrënjësor i drejtësisë, largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, ndërtimi nga themelet i një sistemi të ri institucionesh të drejtësisë, nuk është më një ëndërr me sy hapur, por një proces i nisur, i pakthyeshëm, i pandalshëm.

“Si ministre e Drejtësisë ju siguroj ju dhe gjithë njerëzit e këtij vendi që duan drejtësinë të bëjë drejtësi, se sot Shqipëria nuk është më e tradhtuar nga ata që e qeverisin. Sot drejtësia nuk është më fjala boshe e foltoreve të qeverisë, por është mision i pa negociueshëm i shumicës qeverisëse. Sot beteja me krimin dhe me korrupsionin edhe brenda sistemit të drejtësisë, nuk është më një lojë pushteti, por është një vullnet shtet ndërtues”, deklaroi ministrja Gjonaj.

Gjonaj, po ashtu premtoi se do të vazhdojë të kërkojë me vendosmëri përfundimin e hetimeve të vrasjes së të ndjerit Aleks Nika, si dhe do të ndjekim deri në fund me të gjitha mjetet ligjore hapat për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për rihapjen e procesit gjyqësor të tre viktimave të ngjarjes së 21 Janarit.

“Nuk do të rreshtim asnjëherë përpjekjen tonë derisa drejtësia të bëjë drejtësi për të katër viktimat e 21 Janarit dhe për çdo njeri të zakonshëm që në dyert e drejtësisë kërkon dhe meriton të marrë të drejtën e vet”, shtoi ajo.

Ana, vajza e Zyber Veizit, reforma në drejtësi mundësi për hapjen e dosjes

Ana, vajza e Zyber Veizit, i vrarë në 21 janarin e 2011 gjatë protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është optimiste sot se reforma në drejtësi do të bëjë të mundur hapjen e dosjes për të gjetur ekzekutuesit dhe urdhëruesit e vrasjes së babait të saj.

“Unë nuk kam përgatitur një fjalim por do të them pak gjëra që shkruajta rrugës duke ardhur për këtu”, tha ajo pasi u ngjit në hollin e Kryeministrisë ku u mbajt edhe përkujtimorja për 4 Dëshmorët e 21 janarit.

“Kemi besim se reforma në drejtësi po e çliron drejtësinë, duke na dhënë mundësinë ne familjarëve për hapjen e dosjes së 21 janarit dhe ndëshkimin e urdhëruesve dhe ekzektuesve të njerëzve tanë”, theksoi Ana, e cila ishte vetëm 11 vjeçe ditën kur i ati u vra në bulevard.

Xhaxhi i Aleks Nikës : Ne presim drejtësi

Drejtësi kërkoi edhe xhaxhai i të riut Aleks Nika, Mark Nika, vrarë po me 21 janar, duke lënë pas gruan dhe dy vajza të mitura.  Ai vlerësoi mbështetjen e dhënë nga qeveria si dhe çdo akt të saj për të jetësuar kujtimin e të vrarëve në protestën popullore të 21 janarit.

“Këto e lehtësojnë dhimbjen tonë, por asgjë nuk e zëvendëson drejtësinë”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se “ne presim drejtësi”.

Ndërkohë kryeministri Rama i shoqëruar edhe nga familjarë e miq të 4 Dëshmorëve të protestës popullore ne 21 janar 2011 zhvilluan homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe vendosën buqeta me lule.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button