Home / Ekonomia / BB: Përmirësoni menaxhimin e investimeve dhe përputhjen e strategjive me buxhetin

BB: Përmirësoni menaxhimin e investimeve dhe përputhjen e strategjive me buxhetin

Shqipëria duhet të shohë me vëmendjen menaxhimin e investimeve, lidhjen mes buxhetit dhe strategjive sektoriale si dhe të monitorojë më mirë njësitë jobuxhetore. Janë këto disa prej propozimeve që ka bërë Banka Botërore në Raportin mbi Vlerësimin e shpenzimeve publike dhe llogaridhëdhënies financiare për Shqipërinë (PEFA). Ky raport i kërkuar nga autoritetet Shqiptare u prezantua sot gjatë një aktiviteti ku morën pjesë Zëvendës Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, Kreu i Bashkëpunimit në Delegacionin Europian, në Shqipëri, Mario Mariani, ekspertë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, INSTAT-i, përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, Agjencitë e prokurimeve, ministritë e linjës, partnerë për zhvillim, shoqata të biznesit dhe shoqërisë civile.

“Forcimi i menaxhimit të financave publike duhet të jetë një prioritet për Shqipërinë. Arritja e vlerës më të mirë të parave që vijnë nga fonde publike është edhe rruga më efektive për përmirësimin e shërbimeve bazë për qytetarët, tha Maryam Salim, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë gjatë aktivitetit.

Raporti PEFA vlerëson se pavarësisht hapësirave të nevojshme për përmirësim gjatë viteve të fundit është bërë progres në disa aspekte siç eshë besueshmëria e buxhetit, elementë të transparencës fiskale, monitorimi i shpenzimeve të detyrimeve dhe prokurimet.

Një pikë e rëndësishme e këtij vlerësimi është inkurajimi për një rol më të fortë të Parlamentit si institucioni kryesor i llogaridhënies ndërkohe që edhe forcimi i auditimit është i rëndësishëm.

Ky është vlerësimi i tretë PEFA për Shqipërinë në nivel kombëtar. I kryer me kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e qeverisë, ky vlerësim përfaqëson një proces të gjerë që u udhëhoq nga ekipi i ekspertëve të Bankës Botërore. Vlerësimi kishte si objektiv të mbështeste, gjithashtu përditësimin e Strategjisë ekzistuese të Reformës për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020, si dhe të ofronte gjetje për rishikimin afatmesëm të strategjisë dhe një sistem matës së performancës së këtyre reformave në vend.

Leave a Reply

%d bloggers like this: