Home / Politika / Rama: Me Greqinë po negociohen 70 vjet; në pranverë dokumenti i partneritetit strategjik

Rama: Me Greqinë po negociohen 70 vjet; në pranverë dokumenti i partneritetit strategjik

“Me Greqinë po negociohen 70 vjet”, deklaroi të hënën në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama, ndërsa shprehu besimin se “deri në fillim të pranverës të jetë konkluduar me sukses dhe të nënshkruhet një dokument i ri i partneritetit strategjik mes dy vendeve”.

I ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, Kryeministri Edi Rama u ndal në linja të përgjithshme te negociatat Shqipëri-Greqi, ndërsa nuk pranoi të jepte detaje të këtyre negociatave që janë duke u zhvilluar.

I pyetur mbi raundin e dytë të bisedimeve të dy ministrave të Jashtëm që po zhvillohet në Korçë, Rama u shpreh shumë i rezervuar, pasi sipas tij, “është një proces që ka brishtësinë e vetë, por është një proces që ndodh për herë të parë dhe jemi në rrugë shumë të mbarë”.

Ne synojmë, tha Kryeministri Rama, “që marrëdhëniet mes dy vendeve të hyjnë në një epokë të re, ku problemet e së shkuarës, nuk do i ndeshim më si probleme të së ardhmes dhe hijet e së shkuarës do të mbeten në të shkuarën”.

“Synimi është që të kemi një zgjidhje të dakordësuar për të gjitha temat dhe të dalim nga ky proces shumë i vështirë, sepse kemi pasur, përpara se të hynim në këtë dialog intensiv dhe konstruktiv, një periudhë jo të lehtë, që mund të quhet e nxehtë. Nuk ka pasur më parë asnjë vizitë dypalëshe në nivel kryeministrash”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se negociatat janë në proces, por të gjitha çështjet janë në tavolinë, që nga ligji absurd i luftës deri te çështjet që kanë të bëjnë me lehtësimin maksimal të shqiptarëve në Greqi, lidhur me procedura që kanë qenë një pengesë e rëndë për ta.

I pyetur mbi diskutimet për ligjin e luftës, Rama tha se “po diskutojmë që të kalojë në procedurat ligjore të shtetit fqinj dhe do të jetë përfundimisht një dokument që i mbetet historisë dhe jo një ligj në fuqi, që na ka penguar të shkruajmë një histori të re”.

“Nuk dua të japë detaje sepse nuk kemi konkluduar, por të gjitha çështjet që për ne kanë pasur rëndësi dhe u bënë shkak të një periudhe të nxehtë mes nesh dhe palës greke, janë në tavolinë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare, pasi e shkuara na ka mësuar se në të dyja anët, këto çështje kthehen në probleme të panevojshme për shtetet dhe popujt tanë. Unë do të takohem me kryeministrin grek në ditët në vijim, pasi do të jemi të dy bashkë në Davos, por njëkohësht mbetet dhe një fazë tjetër e saktësimit të të gjithë elementëve që kanë të bëjnë me marrëveshjet e arritura në linja të gjera. Përfundon në linja të gjera dhe detajohet në dokumentet që do të marrin një vlerë ligjore të një platforme të re të partneritetit strategjik”, tha Rama.

Kryeministri Rama nënvizoi atë që qeveria shqiptare e konsideron trekëndëshin e partneritetit tonë strategjik Itali-Greqi-Turqi.

“Aleatët strategjik janë SHBA dhe BE, partnerët strategjik që do të thotë se shtrihen në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me shkëmbimet ekonomike, kulturore e të të gjitha natyrave është ky trekëndësh. Ne kemi nënshkruar partneritet edhe me Francën dhe SHBA-në, por po flasim për partneritet strategjik në këtë territor dhe që lidhet ngushtësisht me ecurinë e vendit dhe këtij pellgu”, tha Rama.

Sa i takon çështjes së shelfit kontinental, ose kufirit detar mes dy vendeve, Rama tha se “ne kemi bërë një përgatitje jashtëzakonisht serioze për këtë ditë, pasi kemi studiuar me shumë imtësi të gjitha aspektet e marrëveshjes që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese”.

“Në atë kohë ne donim të qëndronim larg politizimit sepse mund të na çonte në një situatë me shumë rrezik nga pikëpamja e një fryme nacionaliste brenda vendit, që do të ishte shumë e dëmshme. Gjykata Kushtetuese ka bërë një argumentim që ka qenë një bazë për ne. Jemi ulur në tryezë me përgatitje serioze dhe kam besimin se edhe serioziteti i treguar nga pala greke do të jetë një konstante deri në fund”, tha Rama.

I pyetur nëse ka pasur ndërhyrje ose sugjerime dhe ide nga kompani të mëdha që presin të zgjidhet konflikti detar për të operuar në fushën e naftës, Rama tha se “ajo është një zonë ku mendohet se ka pasuri të konsiderueshme dhe patjetër që e mbetur në një gjendje të ngrirë, mbetet një pasuri që popujt nuk mund ta vënë në shfrytëzim”. “Asnjë kompani nuk merr iniciativën të hyjë ta shfrytëzojë, duke pasur thjesht një kontratë njëpalëshe. Nga ky aspekt ka pasur një ndjeshmëri nëse kjo çështje do të zgjidhet apo jo, por jo kompani që të kenë hyrë në proces ose të ndikojnë procesin”, tha Rama.

Shqipëria me marrëveshjen e mëparshme për detin, e rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, sipas Ramës, ishte e cënuar. “Jemi shumë shpresëplotë që gjuha e arsyes po forcohet dita-ditës dhe paragjykimet e ardhura si rezultat i mos thellimit të procesit po fashiten. Ne po bisedojmë për tema që nuk është biseduar ndonjëherë. Ka qenë qëndrimi ynë këmbëngulës dhe vullneti ynë për të afirmuar të drejtën që të pretendojmë barazi nga pikëpamja e mënyrës se si e shikojmë dhe respektojmë njëri–tjetrin”, tha Rama.

Mosdekretimi i ligjit të gjuhës shqipe në Maqedoni, Rama: Nuk është surprizë

Kryeministri u shpreh se mosdekretimi i ligjit të gjuhës shqipe nga Presidenti i Maqedonisë, nuk ishte surprizë, sepse qëndrimi i presidentit ka qenë i njohur edhe më parë”. “Do të ishte surprizë nëse Presidenti George Ivanov do ta kishte dekretuar ligjin, por kjo nuk do ta pengojë ligjin të bëhet ligj”, tha Rama.

I pyetur mbi akuzat e fundit të Moskës ndaj tij, Kryeministri Rama u shpreh se “jam krenar kur akuzohem se mbroj interesat e shqiptarëve”. “Nga ana tjetër, qëndrimi ynë është shumë i qartë. Ne nuk kemi asnjë lloj axhende të fshehtë, axhenda jonë është publike, pozicionet tona kanë qenë pa ekuivok edhe kur kanë krijuar temperaturë të lartë në marrëdhënie me një fqinj, sepse ne jemi të vendosur t’ i japim politikës së jashtme një dinamikë të re dhe faktit se Shqipëria mund të jetë një vend i varfër, por në tryezë është e barabartë mes të barabartësh”, tha Rama.

Lidhur me negociatat Maqedoni-Greqi për çështjen e emrit, Kryeministri Rama theksoi se “shqiptarët kanë një rol për të luajtur në raport me vendimmarrjen”. “Besoj që ajo që Kryeministri Zaev ka sjellë në politikën maqedonase është një erë e re dhe erë e fortë ndryshimi, qasje e papritur, pasi është i pari lider në Maqedoni që ka guxuar të thyejë disa tabu dhe provoj se ilaçi kundër nacionalizimit është europianizmi dhe funksionon. Jam i bindur se me të janë krijuar premisa të mëdha që çështja e emrit të zgjidhet. Sa i takon shqiptarëve, besoj se është shumë e rëndësishme që emri, cilido qoftë ai nga marrëveshja që do të bëjnë palët, të mos jetë përjashtues për shqiptarët”, tha Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: