Home / roze / Ramona Tullumani, Violeta e preferuar e Operas së Sofjes

Ramona Tullumani, Violeta e preferuar e Operas së Sofjes

Një duartrokitje të zgjatur dhe të zjarrtë, publiku në Operan shtetërore të Sofjes dhuroi për sopranon shqiptare, Ramona Tullumani, mbrëmjen e së dielës.

Soprano e njohur interpretoi me sukses në rolin e Violetës në operan “La Traviata” përpara publikut bullgar, duke marrë vlerësime të shumta. Për Tullumanin ishte hera e katërt që me zërin dhe lojën e saj skenike, në një nga kryeveprat e Xhuzepe Verdit, pushton publikun bullgar.

Ata admiruan për rreth 3 orë tingujt e mrekullueshëm të Verdit, të koordinuar me mjeshtri me zërin e sopranos shqiptare dhe këngëtarëve të tjerë lirikë.

Salla e mbushur plot e Teatrit të Operas e Baletit të Sofjes do të shpërthente në duartrokitje pas arieve kryesore dhe në mbyllje të çdo akti.

“E lumtur pa fund për duartrokitjet dhe vlerësimet pas shfaqjes. Ishte kënaqësi të dëgjoja nga emra të njohur të muzikës klasike se një shqiptare tashmë është kthyer në Violetën e preferuar të Operas së Sofjes”, u shpreh Tullumani e përlotur.

Ajo shtoi se ngrohtësia me të cilën është pritur nga publiku, që në shfaqjen e parë, është një detyrim i madh për t’u rikthyer çdo herë në këtë skenë me një interpretim cilësor.

Një falënderim të veçantë, soprano shqiptare ka edhe për stafin e Operas së Sofjes dhe drejtorin e saj Plamen Kartalof. “Njerëzit që e duan artin bëjnë art të bukur”, u shpreh soprano shqiptare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: