Home / Rajoni / Maqedonia / Zaev-Tsipras: Koha e duhur për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjen e emrit

Zaev-Tsipras: Koha e duhur për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjen e emrit

Kryeministri maqedonas shtoi se të dy kryeministrat kanë një vizion dhe vullnet politikë të punojnë në tejkalimin e mosmarrëveshjes së gjatë mbi çështjen e emrit.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me homologun e tij grek, Alexis Tsipras, të mbajtur në Davos të Zvicrës, porositi se është koha e duhur për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen mbi çështjen e emrit, sepse ajo është çelësi për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

Kryeministri Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij grek, tha se Maqedonia është e përkushtuar në zbatimin e masave për ndërtimin e besimit me Greqinë fqinje, me qëllim që të kontribuohet në tejkalimin e çështjeve të pazgjidhura në interes të të dyja vendeve.

Zaev tha se të dyja vendet janë në rrugën e duhur për të arritur marrëdhënie të mira fqinjësore të cilat, siç theksoi ai, mbështesin perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë dhe do të kontribuojnë në stabilitetin dhe prosperitin ekonomik të rajonit të Ballkanit.

“Shumica e qytetarëve në të dy vendet duan të kenë marrëdhënie të ngushta dhe miqësore, që do të kontribuojnë në përforcimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë. Ne duam të bëhemi partnerë të barabartë në Bashkimin Evropian dhe partnerë besnikë në NATO. Ne duam të qëndrojmë krah për krah dhe të mbështetemi në momente të vështira dhe sfiduese”, deklaroi Zaev.

Kryeministri maqedonas shtoi se të dy kryeministrat kanë një vizion dhe vullnet politikë, të punojnë në tejkalimin e mosmarrëveshjes së gjatë mbi çështjen e emrit.

“Ne si kryeministra, kemi një vizion politik, një vullnet dhe përgjegjësi për të punuar në tejkalimin e mosmarrëveshjeve të gjata bilaterale. Ajo vazhdon tashmë 25 vite, është koha e duhur që të gjindet një zgjidhje, sepse ajo është vendimtare për perspektivat tona të BE-së dhe NATO-s”, theksoi Zaev.

Ai porositi se zgjidhja përfundimtare patjetër të jetë e pranueshme për të dyja palët dhe se është e nevojshme të tregohet kujdes për interesat e të dy vendeve.

“Zgjidhja duhet të jetë në drejtim të mbrojtjes së dinjitetit kombëtar dhe identitetit të popujve tanë”, u shpreh Zaev.

Më tej, kryeministri maqedonas bëri të ditur se Qeveria e Maqedonisë me qëllim që të tregojë se është e angazhuar në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje, do të ndryshojë emrin e aeroportit dhe autostradës në Shkup. Zaev tha se autostrada do të emërohet “Miqësia”.

Kryeministri Zaev informoi se Qeveria e Maqedonisë mbetet e përkushtuar në procesin e negociatave për zbatimin e të cilit është caktuar ndërmjetësuesi Nimetz nga OKB-ja dhe tha se do të ngrihet në nivel më të lartë procesi i negociatave.

“Ministrat e jashtëm do të marrin përsipër negociatat nën patronazhin tonë. Ata do të punojnë së bashku me ekipet e tyre. Kjo do të çojë në dinamikë më të madhe dhe në thelb procesin e negociatave”, tha Zaev.

Nga ana tjetër, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, tha se Ballkani për shkak të nacionalizmit ka pësuar shumë dhe shtoi se është e nevojshme që të ketë një axhendë të bashkëpunimit dhe zhvillimit.

Tsipras gjithashtu përsëriti se për perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë, së pari është e nevojshme që të mbyllet çështja e emrit.

“Me qëllim që të ecë përpara procesi i integrimit evropian dhe NATO-s, siç dëshrion vendi fqinj, duhet të gjejmë një zgjidhje në tërësi për çështjet e hapura. E kam bërë shumë të qartë se ne duhet të pajtohemi për një emër të pranuar reciprokisht, që do të vlejë për të gjithë. Në kuadër të kësaj, ne shkëmbyem ide dhe ramë dakord t’i intensifikojmë, nën mbikëqyrjen tonë, konsultimet që tashmë janë duke u zhvilluar në kuadër të Kombeve të Bashkuara”, deklaroi kryeministri Tsipras.

Ai tha se homologun e tij maqedonas, duan t’i trajtojnë dallimet ekzistuese me realizëm dhe ndjenjë të përgjegjësisë.

“Nuk duam vetëm që ta zgjidhim problemin e emrit, por duam që marrëdhëniet e dy vendeve tona t’i bazojmë në themele solide, themele të respektit të ndërsjelltë dhe fqinjësisë së mirë. Kjo do të thotë se, së pari, ne duhet të merremi me irrendentizmin në të gjitha format e saj dhe sigurisht me garanci se ne nuk do të lëmë asnjë dritare të hapur, që në të ardhmen nga fillimi të krijohen provokime të ngjashme”, tha Tsipras.

Ndryshe, takimi mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në margjinet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, është takimi i parë i drejtpërdrejtë midis kryeministrave të të dy vendeve, që kur u ndryshua qeveria në Maqedoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published.