Home / Kronika / Ministria e Drejtësisë: Ska shkelje ligjore për ekstradimin e Nesar Seitit në Itali

Ministria e Drejtësisë: Ska shkelje ligjore për ekstradimin e Nesar Seitit në Itali

Ministria e Drejtësisë përmes një deklarate për shtyp lidhur me ekstradimin e shtetasit Nezar Seiti, sqaroi sot se “janë ndjekur me përpikmëri të gjitha procedurat ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, Konventën Evropiane të Ekstradimit, të vitit 1957, marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë dhe Konventës Evropiane për ndihmë juridike dhe çështje penale.

Ministria e Drejtësisë informon se në datën 20 tetor 2017, është njoftuar nga Interpoli Tiranë, mbi arrestimin e shtetasit Nezar Seiti, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, në bazë të Urdhër Arrestit Ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Catanias, në datë 12.10.2017, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal italian.

“Ministria e Drejtësisë në datë 24.10.2017, i ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme njoftimin e Interpolit Tiranë, me qëllim kryerjen e veprimeve nga ana e Prokurorisë për të kërkuar nga autoritetet italiane dërgimin e akteve”, vijon njoftimi.

Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit është shprehur se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në përputhje me parashikimet ligjore të brendshme dhe ato ndërkombëtare. Gjithashtu në pjesën arsyetuese të vendimit të gjykatës, është shprehur se nga ana e prokurorisë është argumentuar se nuk ekziston asnjë nga pengesat ligjore të parashikuara nga neni 491 i Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon rastet kur nuk mund të jepet ekstradimi.

“Bazuar në këtë vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë në datë 29.12.2017, përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme tek Ministria e Drejtësisë në datën 10.01.2018, dhe në kushtet kur Ministria e Drejtësisë nuk ka patur asnjë informacion apo akt tjetër procedurial nga Prokuroria e Përgjithshme si dhe nga gjykata mbi ekzistencën e ndonjë pengese të mundshme ligjore për ekstradimin e shtetasit Nezar Seiti, në zbatim të parashikimeve ligjore të nenit 499 të Kodit të Procedurës penale, ka dhënë miratimin për ekstradim”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.