Bota

Merkel kërkon kurs të përbashkët të BE-së në politikën e jashtme

Kancelarja Merkel bën thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë të shteteve të BE-së në politikën e jashtme. Pa një rakordim më të fortë nuk është e mundur përballja në konkurrencën ndërkombëtare, tha ajo në Davos.

“Politika e jashtme europiane e unifikuar nuk është zhvilluar sa duhet”, kritikoi kancelarja Angela Merkel në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Por kjo është e domosdoshme, sepse një pjesë e madhe e konflikteve globale “zhvillohen në pragun e portës sonë”, theksoi politikania krisitandemokrate. Si shembull ajo përmendi konfliktin në Siri. Gjatë përpjekjeve për një zgjidhje atje BE-ja pothuajse nuk ka luajtur asnjë rol.

Si një arsye tjetër për një bashkëpunim më të intensifikuar brenda BE-së ajo përmendi konkurrencën ndërkombëtare. Në radhë të parë ekonomikisht BE-ja duhet “të zhvilllohet më fuqishëm”. Kësisoj duhet patjetër të përfundojë sa më shpejt tregu i brendshëm digjital, sepse edhe SHBA-ja dhe Kina po avancojnë shpejt.

Të forcohet unioni bankar

Unioni bankar duhet të realizohet dhe Eurozona duhet forcuar kërkoi Merkel. Po ashtu BE-ja duhet të marrë më shumë përgjegjësi ndaj Afrikës dhe në konfliktet si në Irak dhe në Libi. Merkel u shpreh për reforma të mëtejshme në BE dhe në Eurozonë: Fondi Financiar i Shpëtimit, mekanizmi ESM, duhet të zhvillohet në një Fond Monetar, “pa hequr dorë prej kompetencave ekonomike të FMN-së”,  bëri të qartë ajo.

Me vendosmëri kundër ekstremizmit të djathtë

Merkel e quajti krizën e Euros si një sfidë qendrore për Europën, e cila në përgjithësi është menaxhuar. Ndryshe qendron puna me migracionin. Nëse shumë njerëzve u krijohet përshtypja, se atyre po u hiqet diçka, atëherë ky është “një argument që e shfrytëzojnë ekstremistët e djathtë”. Që kjo të mos ndodhë, duhet të shmangen dobësia ekonomike dhe papunësia e lartë.

Bashkëpunim efektiv

Në nivel global Merkel u shpreh prerazi kundër izolacionizmit dhe proteksionizmit. Pa e përmendur presidentin e SHBA-së Donald Trump, Merkel tha, se “izolimi nuk e çon botën përpara.” Ndonëse multilateralizmi është një biznes që kërkon kohë, në fund të fundit është më i arsyeshëm një bashkëpunim i vendeve për zgjidhjen e problemeve, si në rastin e ndryshimit të klimës.

Italia i tërheq vëmendjen Trumpit

Duke iu referuar politikës së Trumpit “America first” kryeministri italian Paolo Gentiloni u shpreh me fjalë të qarta: shtë në rregull që politikanët të mbrojnë qytetarët e tyre, firmat dhe ekonominë kombëtare, por ka  kufij. Këto kufij ceken, kur është fjala për rregullat e tregtisë dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ky kuadër duhet të mbahet në funksionim dhe nuk duhet të trazohet, theksoi kreu i qeverisë italiane. Ai të premten (26.01) do të mbajë një fjalim, që pritet me interes, lidhur me çështjet e tregtisë. Kritikët e akuzojnë Trumpin për proteksionizëm. Këtë javë presidenti i SHBA-së njoftoi, se do të vendosë dogana të reja për makinat larëse dhe impiantet e energjisë diellore, për të krijuar ose për të ruajtur vendet e punës në SHBA.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button