Home / Kronika / Ministrja Xhaçka në Turqi: Mbështetje për trajnim, arsimim dhe modernizim

Ministrja Xhaçka në Turqi: Mbështetje për trajnim, arsimim dhe modernizim

Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka zhvilloi më 26 janar 2018, një vizitë dyditore në Ankara, me ftesë të homologut të saj, ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, z. Nurettin Canikli. Ministri Canikli e priti zonjën Xhaçka me truprojë nderi dhe ceremoni ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë. Në takimin e ministres Xhaçka me homologun e saj turk, veç marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve, u diskutua edhe për bashkëpunim dypalësh në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes.

Ministrja Xhaçka e falënderoi homologun e saj turk për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë për Forcat e Armatosura shqiptare, kryesisht sa i përket modernizimit, arsimimit ushtarak, kujdesit shëndetësor, por edhe stërvitjeve.

Pas takimit me ministrin Canikli, zonja Xhaçka vlerësoi klimën e mirë të bisedimeve me homologun e saj turk, i cili ofroi gatishmërinë e të plotë të vendit të tij për mbështetjen e mëtejshme të Forcave tona të Armatosura. “Diskutuam lidhur me bashkëpunimin aktual ushtarak për trajnim, arsimimin e përbashkët. U dakordësuam për mundësitë e shumta, të cilat do eksplorojmë dhe mora mbështetjen maksimale nga kolegu im Canikli për plotësimin e çdo kërkese nga Shqipëria. Edhe për modernizimin e FA gjeta mbështetjen maksimale për çdo projekt, i cili do të gjykohet i nevojshëm për t’u zhvilluar. Me homologun turk pata veçse dakordësi për të zhvilluar kapacitet ushtarake. Trajtimi mjekësor i personelit ushtarak në Turqi do të vazhdojë dhe do të shtohet për të plotësuar të gjitha nevojat shëndetësore mjekësore, të cilat nuk i përmbushim dot në Tiranë.” – u shpreh ministrja Xhaçka, e cila takoi edhe studentët shqiptarë që studiojnë në akademitë ushtarake turke. Zonja Xhaçka u uroi suksese studentëve shqiptarë dhe u shprehu atyre rolin dhe rëndësinë e tyre brenda Forcave të Armatosura, sapo ata të përfundojnë studimet. “U konfirmova studentëve tanë që shkollohen në akademitë ushtarake turke që, do të vazhdojnë të jenë ndër shembujt e mirë të disiplinës dhe profesionalizmit dhe presim prej tyre që të vijnë dhe të bëhen pjesë solide e piramidës sonë ushtarake.” – tha Xhaçka.

Në vijim të vizitës së saj, ministrja Xhaçka vizitoi disa fabrika të industrisë ushtarake dhe u njoh nga afër me mjetet, pajisjet dhe armatimet që prodhohen aty. Gjithashtu ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë u prit në takime të veçanta nga ministri i Brendshëm i Turqisë z. Süleyman Soylu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura turke, gjeneral me katër yje Hulusi Akar. Në takimet me zyrtarët e lartë turq, ministrja Xhaçka diskutoi për çështjet e interesit të përbashkët në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Pjesë e vizitës zyrtare të ministres Xhaçka, ishin edhe homazhet dhe vendosja e një kurore me lule në Anıtkabir, Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk.

 

 

 

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: