Opinion

Shkruan Baton Haxhiu: Një përgjigje ndryshe për Albin Kurtin

Kriza publike e Albin Kurtit nuk është as momentale, as aksidentale. Manifestimi publik në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është thjesht problem i faktorëve të jashtëm “anti-Albin”. Kriza aktuale në këtë parti është edhe shprehje e tensioneve të brendshme në vetë personalitetin politik të Albin Kurtit.

Tashmë është duke u zbuluar tensioni midis një personi që publikisht mbron demokracinë, por funksionon si autokrat; një personi që vazhdimisht flet për parimësi politike, por përfundon në vendime pragmatike dhe strategjike; një personi që vazhdimisht flet për vlerën dhe rëndësinë e historisë, por e interpreton atë nga interesi partikular partiak; një personi që kultivon kryesisht retorikë pa substancë dhe vizione politike pa konkretësi; një personi që është ngritur mbi moralizim dhe është duke u zbuluar si abuzues në fushata kundër kolegëve të tij.

Ironia është se ai ka filluar si revolucionar plot energji dhe është konsumuar si politikan ordiner. Kjo nuk është një fushatë tendencioze e ekzagjeruar mediatikisht. Kjo është shpërfaqja më direkte e kundërthënies midis asaj qysh Kurti duket në publik dhe asaj çka Kurti realisht është në politikë.

Të enjten e kaluar, kryetari i sapozgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje me 99% të votave nga afërsisht 30% e anëtarësisë, në emisionin “Jeta në Kosovë” tha se ekziston një drejtor televizioni në Kosovë që fton në emisione figura të Lëvizjes Vetëvendosje, “ua kreh bishtin” (kjo shprehje meriton një vëmendje të veçantë për gjuhën e tij simbolike në raport me kolegët politikë) dhe provon t’i ndikojë ata. Personi në fjalë, sipas Kurtit, qëndron në një pikëprerje midis shumë çështjeve politike, biznesore dhe mediatike në Kosovë. Duke u bërë edhe më konkret, ai vazhdoi të tregojë se ky person ka një histori me Jovica Stanishiqin qysh prej viteve të 1990-ta dhe, së fundmi, ia ka mbajtur anën Nikola Gruevskit duke “e shpërlarë atë si në lavatriçe” në emisionin e tij.

Pavarësisht se asnjëherë përgjatë këtij emisioni, Albin Kurti nuk përmendi emër dhe mbiemër, personi i aluduar prej tij jam unë, Baton Haxhiu.

Një reagim personal lidhur me këtë çështje e kam shpalosur dje. Sidoqoftë, konsideroj se adresimi i një sërë komentesh mbi këtë paraqitje mediatike të Albin Kurtit është i domosdoshëm. Kjo, mes tjerash, për një arsye të thjeshtë: Kurti deri më sot ka qenë kryesisht subjekt i akuzave të pjesshme dhe ad hoc, por nuk iu është ekspozuar mjaftueshëm një kritike sistematike në nivel të integritetit të tij publik dhe të bindjeve të tija politike.

Midis një serie të gjatë të faktorëve të tjerë strukturorë institucionalë dhe rrethanorë politikë, kjo mbetet një prej shkaktarëve kryesorë të një perceptimi të përgjithshëm mbi fuqinë e pakontestueshme morale dhe intelektuale të tij. Ashtu sikurse kam bërë vijimësisht elaborime mbi historinë dhe luftën e Kosovës, analiza mbi mediat dhe konstalacionet e brendshme politike, vlerësime shumëvjeçare mbi Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn dhe të gjithë akterët e rëndësishëm politikë, Albin Kurti nuk gëzon imunitet nga angazhimi im i vazhdueshme për konsolidim të mëtejmë shoqëror dhe politik të Kosovës. Kësisoj, komente të kësaj natyre për politikanin më të votuar në Kosovë në zgjedhjet e fundit do të bëhen gjithsesi më intensive dhe më substanciale.

Ka ardhur koha, besoj, që Albin Kurti të trajtohet saktësisht siç paraqitet: një intelektual i angazhuar në politikë dhe një politikan me plot ambicie intelektuale.

Në këtë kuptim, ai gjithsesi do të marrë një zbërthim më të gjerë historik, politik dhe personal nga ana ime. Sidoqoftë, fokusi kryesor i këtij shkrimi është dekonstruktimi i përmbajtjes së paraqitjes të tij në “Jeta në Kosovë”, duke u zgjeruar vetëm në raste kur kontekstualizimi më i gjerë është i domosdoshëm.

Paraqitja e tij në këtë emision mund të lexohet edhe si një indikator tejet serioz për karakterin e tij publik, ambiciet organizative dhe institucionale dhe problemet ideopolitike të tij. Në këtë kuptim, ky shkrim do të fokusohet në tri shtylla qendrore:

  1. Shpërfaqja e inkonsistencave të brendshme në karakterin e tij publik;

  2. Zbërthimi i tendencave autoritare në raport të tij me organizimin e VV-së dhe institucionet e Kosovës në përgjithësi;

  3. Adresimi kritik i disa problemeve përmbajtësore në bindjet politike të përhapura prej tij.

Në fund, do të shkruaj diçka edhe për përgjegjësinë e tij organizative dhe politike për zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Për shkak të gjatësisë, këtë shkrim do ta botoj në disa pjesë.

Nga imazhi i Albinit Parimor tek Kurti Realpolitik

Roli performativ mediatik i Albin Kurtit në emisionin “Jeta në Kosovë” është esencial për t’i zbërthyer përmbajtësisht deklaratat e tij.

Në të njëjtin emision, para disa viteve, në përballje me Mufail Limanin, Agron Bajramin dhe Edona Llukën, Albin Kurti kishte deklaruar se shumica e kritikave ndaj veprimeve të tij me forcë në Parlament më tepër janë estetike sesa politike. Çështja qëndron tek mbrojtja e demokracisë dhe jo tek fakti a dukem mirë ngaqë unë jam aty për ta mbrojtur demokracinë dhe jo për t’u dukur mirë – kishte thënë ai. Në një formë tejet të thjeshtëzuar, Kurti deklaronte se përderisa preokupimi me dukjen dhe imazhin iu takon artistëve, angazhimi thelbësor politik në Kuvend është brengë e tij si politikan. Ironia qëndron pikërisht tek fakti se vetë Kurti duket të jetë zhvilluar si imazh publik ngushtësisht në raport me një aktrim të vazhdueshëm politik.

Në një kontekst pak më ndryshe, edhe tek intervista e tij e vonshme në “Kosovo 2.0”, Kurti  kishte thënë se “politika është thjesht art”. Nga ana tjetër, në librin e tij “Zgjohu! Për Rezistencë drejt Lirisë”, Albin Kurti shkruan se intelektuali i parë në historinë e filozofisë është Sokrati për angazhimin e tij që të ketë shtrishmëri publike universale dhe vlerë inherente etike. Jo rrallë, Kurti ka qëndruar saktësisht në anën e të kundërtve të Sokratit, Sofistëve, duke i dhënë përparësi manipulimeve momentale mbi të vërtetën e qëndrueshme, formulimeve retorike mbi përmbajtjen e njëmendtë, ndikimit të opinionit të gjerë përmbi vetëmjaftueshmërisë me të vërteten, imponimi i përshtypjeve përmbi qenien reale. Pavarësisht se Kurti në emision flet për një grup njerëzish “pa maska”, në fakt, ka kohë që imazhi i tij publik është thjesht një maskotë.

Në intervistë ai aludon se unë paskam qenë palë ndërmjetësuese në planin e Ivica Stanishiqit për zbatim të autonomisë të Kosovës nëpërmjet Mahmut Bakallit në fund të viteve të 1990-ta. Për më shumë, rekomandon se për detaje më të hollësishme rreth këtyre personazheve, publiku mund t’i referohet romanit të Veton Surroit, “Përcaktimi i Dashurisë të Marie Gjonit”. Këtu nuk është çështja të komentoj rreth Surroit – letërsia e tij e reduktuar në përvoja personale (vetë Albin Kurti dikur publikisht e përbuzte imagjinatën e varfër të Surroit), vazhdon të jetë tendencë për konstruktim retroaktiv të raporteve të tij në shoqërinë e dikurshme dhe në proceset historike.

Përkundër parimësisë të tij të vetëdeklaruar dhe qasjes historike, Kurti afirmon interpretime për personalitete historike të bazuara krejtësisht në raporte momentale politike. Në një komunikatë zyrtare të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje më 22.02.2006, Veton Surroi konsiderohet si pjesë e “bandës së vrasjes dhe plaçkitjes së Kosovës”. Për më tepër, në komunikatë shkruan se takimi i 15 majit 1998 i Veton Surroit (me pesë të tjerë) me Sllobodan Millosheviqin u bë dritë e gjelbër për intensifikim të ofensivave ushtarake kundër UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Madje, nga periudha e demonstratave të 28 nëntorit 2006 dhe nga 10 shkurti 2007 e tutje, në konferenca për shtyp dhe prononcime mediatike Kurti sulmonte gazetarët e Grupit Koha si instrumente të regjimit me plane për ndarje të brendshme të Kosovës dhe tjetërsim të historisë. Në gazetën zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, njëri prej apologjetëve të sotëm të Kurtit kundërpozicionon “Nëntorin e Popullit” shqiptar me “Frymën e Surronjëve” panjugosllavë. Në njëjtën komunikatë, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Surroi është pasuruar në shkallë milionëshe në dëm të popullit të Kosovës nëpërmes donacioneve të huaja.

Për mua nuk është e qartë mbi çfarë standardi objektiv tashmë dëshmia e Surroit qenka bërë kredibile për procese historike. Vetë Kurti e ka trajtuar atë si agjent të tjetërsimit të historisë në procesin e bisedimeve të Vjenës. Në intervistën e fundit, Kurti beson se ndryshimi i njerëzve vjen vetëm nga mendja, e jo nga “përdredhja e duarve”.

Mbi këtë premisë, ose Kurti duhet të besojë se Surroi nuk ka qenë asnjëherë i korruptuar dhe për pasojë ka ndryshuar mendje, ose Kurti nuk beson ende në Surroin ngaqë ai nuk mund të ndryshojë mendje por e përdor atë vetëm politikisht, ose Kurti beson se Surroi ka ndryshuar mendje, ndonëse ka qenë i korruptuar. Në skenarin e parë, Kurti duhet të marr përgjegjësinë e tij për akuza të pabaza financiare dhe historike dhe të kërkojë falje. Këtë nuk e ka bërë. Në skenarin e dytë, Kurti është keqpërdorues momental pragmatik në raport me dëshminë e Surroit apo me Surroin në përgjithësi ka një raport instrumental. Në skenarin e tretë, Kurti ka përdorur një referencë të jokredibile në raport me mua. Megjithatë, këtu ekziston edhe një faktor tjetër – ndër vite ka ndryshuar vetë Kurti.

Në fakt, kanë ndryshuar edhe Kurti edhe Surroi, por e vërteta e tyre qëndron tek raporti i tyre. Edhe Kurti, edhe Surroi, përkundër antagonizmave personale dhe politike të shpalosura ndër vite, janë takuar në tendencën për ta interpretuar historinë nga prizmi i interesit personal dhe politik. Nëse akuzat e Kurtit do të ishin një fenomen i izolueshëm vetëm në rastin tim e të Surroit, nuk do të kishte problem. Sa për kujtesë, Kurti publikisht e ka trajtuar Isa Mustafën si bashkëpunëtor të Rrahman Morinës, por më pas e ka heshtur këtë akuzë varësisht nga interesi për koalicionin VLAN. Kësisoj, ai në diskurs është thelbësisht e kundërta e vetes në veprim. Ai beson se bindja e tij politike është zgjatim i historisë. Por, interpretimi i tij i historisë është zgjatim i politikës. Preokupimi i tij me historinë, sikurse shumëçka tjetër, është instrumental, fragmentar dhe tendencioz. Gjithsesi, Kurti tha se beson në fuqinë e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i ndryshuar njerëzit. Kjo deklaratë ma kujtoi krahasimin e tij të dikurshëm të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të UN-it me figurën e priftit konservativ kristian, i cili i drejtohet turmës së njerëzve duke e trajtuar apriori si të fajshme. Shumë vite më vonë, si për ironi, Kurti duket të jetë kapërthyer në rrjetën e simbolikës të tij. Përmirësimi i njerëzve, pavarësisht të kaluarës të tyre, ndodh kur ata bëhen pjesëtarë ose mbështetës publikë të Lëvizjes Vetëvendosje sikur në doktrinë të konvertimit kristian. Meqë unë nuk jam një prej tyre, gjithsesi duhet të paguaj edhe çmimin e agjendës politike të Kurtit për ta zhvendosur vëmendjen nga tensionet e brendshme tek një faktor i jashtëm. Gjithsesi, atij i lejohet ta bëjë një gjë të tillë. Të tjerëve, zakonisht, u konsiderohet si dashakeqe dhe e pashije…

Albin Kurti deklaron se ai ka qenë vazhdimisht i pakënaqur me gjuhën denigruese të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër rrjete sociale dhe në sferë publike. Mirëpo, fuqia e tij ka qenë e kufizuar në ndalim të këtij fenomeni. Për më tepër, ai pohon se vetëpërmbajtja e tij është shembulli se qysh ai beson se duhet të afirmohet komunikimi publik. Sjellja e tij e moderuar nëpër emisione paradoksalisht duket të jetë vetëm zgjatim i inxhinieringut denigrues dhe linçues të përhapur dhe zbatuar prej agjentëve të tij.

Distancimi minimal i Kurtit nga gjuha denigruese e aktivistëve, në fakt, është forma më e sofistikuar e një strategjie më të gjerë operative në diskreditim të oponentëve publikë. Këtu, thjesht, nuk jam duke u mbështetur se një gjë e tillë tashmë është përsëritur prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe më luajalë ndër vite. Në fakt, diçka tjetër është në pyetje. Kurti nuk paraqitet si revolucionari i papërmbajtur që polemizon personalisht me çdokë. Ai tashmë është figura që konfrontimin personal të drejtpërdrejtë e ka zëvendësuar me një sërë satelitësh më të ulët të ofensivave publike. Përderisa kundërshtarët e tij bëhen objekt linçimi agresiv dhe akuzave të pakursyera publike prej figurave tjera, ai personalisht qëndron në pozicion të politikanit tashmë jo vetëm të moderuar por edhe në reformim e sipër.

Kësisoj, gjuha relativisht e përmbajtur e Kurtit është komplementare me strategjinë e diskreditimit masiv të orkestruar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Duket se ai ka vendosur të shkëlqejë i vetëm në rrugëtimin e tij për në hënë, përderisa pjesa tjetër e fluturakes kozmike duhet gjithsesi të bie në tokë si hekurishte e shëmtuar. Kurti thotë se një prej formave për ta korrigjuar këtë defekt aktual në partinë e tij është miratimi i Kodit të Sjelljes. Këtu, ai e thotë një të pavërtetë: Lëvizja Vetëvendosje qysh nga viti 2010 nënshkruan vendime për përjashtim për sjellje të pahijshme dhe mban seanca nëpër komisione disiplinore për korrigjim të sjelljes të aktivistëve. Përkundër asaj që Kurti tenton ta imponon si imazh publik, ai qëndron pjesë përbërëse e një makinacioni me animozitete të përplota në sferën publike.

  1. Kurti thotë se media është duke prodhuar shumë lajme bombastike që assesi nuk përmbajnë kompleksitetin e mendimit të tij. “Mendimi im”, tha mes tjerash, “nuk është edhe aq i thjeshtë”. Përderisa percepton shumë nuanca kur vjen në pyetje integriteti i tij, qoftë intelektual apo moral, ai është krejtësisht skematik kur është puna tek integriteti i të tjerëve.

I pyetur për tentim-bllokimin e kandidimit për deputet të Dardan Molliqajt – gjë e dëshmuar tashmë publikisht nga Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni e plot të tjerë – Kurti tha se ai nuk ka se qysh ta lidhë faktin se dikush edhe thotë se dua të largohem nga Lëvizja Vetëvendosje edhe dëshiron të kandidojë si deputet. Një interpretim i tillë nuk është vetëm i thjeshtë: ai është edhe tendencioz. Pamundësia e të kuptuarit të këtij pozicioni të Molliqajt është pasqyrë e tendencës të tij për ta fshehur të vërtetën, justifikuar veten dhe keqprezentuar Molliqajn, me strategjinë e tij të zakonshme të sulmuesit moral dhe psikologjik.

Express (Pjesa e parë. Vijon nesër)

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button