Home / Ekonomia / Kriza e bizneseve të vogla: Rritet me 38% numri i subjekteve të mbyllura në janar

Kriza e bizneseve të vogla: Rritet me 38% numri i subjekteve të mbyllura në janar

Në muajin e parë të këtij viti 1479 biznese kaluan statusin në pasiv, sipas të dhënave të përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Krahasuar me janarin e 2017-s, numri i  bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 38%.

Në 2018-n janë mbyllur çdo ditë mesatarisht 50 biznese, duke përshpejtuar ritmet nga rreth 40 biznese që u mbyllën mesatarisht në ditë përgjatë vitit 2017.

Tirana, qarku me peshën më të lartë të subjekteve të mbyllura

Tirana është qarku që ka numrin më të lartë të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin me 467 biznese të mbyllura gjatë muajit të parë, apo 35 për qind e totalit të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin. Mesatarisht, çdo ditë të janarit 15 biznese kanë bërë kërkesë për të mos operuar më.

Korça, rekord pezullimesh për 2018-n

Krahasuar me muajin e parë të 2017-s, bizneset në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçe, që kanë kërkuar pezullim aktiviteti, është trefishuar në janarin e 2018-s. Sipas listës së subjekteve të publikuar në faqen e Tatimeve, Korça e nisi muajin e parë të vitit me 157 biznese më pak. Numri i bizneseve që u mbyllën për të njëjtën periudhë një vit më parë ishte 54.
Edhe në qarkun e Vlorës është dyfishuar numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv, nga 51 biznese që ishin në janar të 2017-s, numri i bizneseve që kërkuan të mos operonin më ishte 109, 7% e totalit të bizneseve të pezulluara në vend. Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht.

Kriza e të vegjëlve

Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.
Sipas të dhënave të INSTAT, të vetëpunësuarit përbëjne 35% të totalit të të punësuarve, pesha më e lartë në Europë dhe ndër më të lartat në botë. Por, vitet e fundit, bizneset e vogla nuk po arrijnë të gjenerojnë më fitime të larta, për shkak të shtimit të konkurrencës nga qendrat tregtare dhe supermarketet dhe rënies së fuqisë blerëse. Presioni për t’u formalizuar nga ana tjetër po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen. Ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, që do të jetë efektive nga 1 prilli, pritet tu japë goditjen finale mikrobizneseve. Këtyre të fundit do t’u rriten kostot e administrimit dhe nëse nuk do të arrijnë të transmetojnë TVSH-në në çmim do të pësojnë rënie të fitimeve.
Në vitin 2017, sipas të dhënave që janë publikuar nga Tatimet janë mbyllur 13 mijë biznese në të gjithë Shqipërinë, ku peshën më të lartë e ka kryeqyteti, ndrkohë që u hapën 19 mijë, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke bërë që shtesa neto të jetë vetëm 7 mijë subjekte të reja në një vit.

Kushtet që një subjekt kalon në pasiv

Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:

  • nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
  • nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
  • deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar

Leave a Reply

Your email address will not be published.