Home / Ekonomia / Liqeni i Ohrit në UNESCO, Shqipëria dorëzon dosjen

Liqeni i Ohrit në UNESCO, Shqipëria dorëzon dosjen

Shqipëria dorëzoi Dosjen e Kandidimit të rajonit të Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Natyrore dhe Kulturore në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, përmes rrjetit social “Facebook”, informoi se pas një pune të gjatë përgatitore, e gjithë dosja voluminoze, me vlerat e pamohueshme natyrore dhe kulturore të liqenit është tashmë në Qendrën e UNESCO-s në Paris, në pritje të miratimit nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

“Një lajm i bukur për t’u ndarë me ju miq! Liqeri i Lasgushit, poezive të dashurisë dhe natyrës piktoreske në çdo stinë, me pasuritë e tij natyrore dhe kulturore është tashmë në sprovën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s! Pas një pune të gjatë përgatitore, e gjithë dosja voluminoze, me vlerat e pamohueshme natyrore dhe kulturore të liqenit është tashmë në Qendrën e UNESCO-s në Paris, në pritje të miratimit nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore. Përgatitja e dosjes nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit u realizua nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, ekspertët e fushave respektive, institucioneve lokale dhe pushtetit vendor”, shkruan Klosi.

Bashkë me dosjen e nominimit, sipas Klosi, është tashmë dhe suplementi i Planit të Menaxhimit të rajonit të Liqenit të Ohrit, që do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të zonës, duke siguruar, bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencën në kontekst ndërkufitar.

Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë ndër pasuritë kulturore mijëravjeçare të Shqipërisë që mbajnë “pasaportën” e UNESCO-s, Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara, ku vendi ynë aderon që prej vitit 1958.

Në listën e kryeveprave të kulturës orale e jomateriale të botës, midis 43 shprehive më spikatëse kulturore të popujve të gjithë botës, UNESCO ka regjistruar edhe iso-polifoninë shqiptare të jugut.

Ndërsa “Kodikët e Beratit” figurojnë në regjistrin “Memoire du Monde” (Kujtesa e botës).

Leave a Reply

Your email address will not be published.