Politika

Platforma e bashkëqeverisjes shkarkon drejtorin e Qendrës Shëndetësore në Domgjon

Pas ankesës që një qytetar i Mirditës bëri në portalin e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, në lidhje me qendrën shëndetësore në njësinë administrative Domgjon, në Mirditë, së cilës i mungonte energjia elektrike, duke e bërë kështu jashtë funksioni, qendra u lidh me energji.

Një problem i zgjidhur falë bashkëpunimit me qytetarët ku pas ankesës është shkarkuar drejtori i Qendrës Shëndetësore të Domgjonit në Mirditë.

Ndërkohë ka filluar puna me OSHEE-në, për të bërë lidhjen me energji elektrike edhe të të tjera qendrave shëndetësorë, të evidentuara nga zëri qytetar në portalin e bashkëqeverisjes.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vlerësoi platformën shqiperiaqeduam.al, si një instrument në duart e njerëzve të zakonshëm, e cila i jep përgjigje çdo ankese apo kërkese në një hark kohor prej 10 ditësh e në 90% të rasteve qytetarëve u ka takuar të marrin zgjidhje.

Kryeministri gjithashtu shfrytëzoi rastin për të bërë me dije se gjatë katër viteve të ardhshme, 300 qendra shëndetësore në gjithë Shqipërinë do rindërtohen, ose ndërtohen nga e para.

“Do të rindërtojmë apo ndërtojmë nga e para, në varësi nga situata, 300 qendra shëndetësore në gjithë Shqipërinë në katër vjet. 80 janë gjatë këtij viti dhe qëllimi ynë është që të kalohet nga një shërbim inekzistent që ka qenë, në një shërbim që të jetë në gjendje të përballojë gjithë atë fluksin e parë për nevoja që janë të përballueshme nga vetë qendra shëndetësore dhe që nuk ka nevojë që njerëzit të turren të gjithë drejt spitalit rajonal apo drejt Tiranës, në mënyrë që të lehtëson edhe spitalet nga mbingarkesa”, u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri përsëriti thirrjen për të gjithë që kanë një ankesë apo kërkesë që të regjistrohen në platformën e bashkëqeverisjes. “Bashkëqeverisja funksionon e që të funksionojë edhe më mirë duhet të jetë bashkë-qeverisje. Pra, jo vetëm ne, por dhe qytetarët, të cilët shumë më lehtë sesa të shfryjnë e të ankohen për shërbime që nuk ju jepen, 3 minuta kanë nevojë të shpenzojnë në platformën shqipëriaqeduam.al dhe në 10 ditë marrin përgjigje për ankesën, kërkesën apo shqetësimin e tyre,”  tha Kryeministri.

Ndërkohë ministrja Manastirliu falenderoi qytetarin, i cili harxhoi 3 minuta nga koha e tij për të shprehur një ankesë në portal. “Është rasti që të falenderojmë zotërinë që na vuri përpara kësaj përgjegjësie. Këtu mungonte energjia elektrike. Tani në rreth 37 qendra është vënë energjia elektrike. Ndërkohë që shërbimi nëpërmjet infermierëve ofrohet sipas orareve që kemi përcaktuar gjithashtu dhe mjeku në mënyrë periodike vjen dhe ofron shërbime në qendër”,  u shpreh ministrja Manastirliu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button