Home / Politika / Bushati: Marrëveshja me Greqinë do të jetë e drejtë dhe e zbatueshme

Bushati: Marrëveshja me Greqinë do të jetë e drejtë dhe e zbatueshme

Dialogu me Greqinë dhe marrëveshjet e pritshme ishin në fokus të interpelancës së kërkuar përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al nga një grup studentësh të ekselencës me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Ministri Bushati bëri të ditur sot se marrëveshje me Greqinë për regjimin kufitar, e njohur si marrëveshja për detin, do të jetë e bazuar në vijat e kuqe që ne kemi hequr mbështetur në të drejtën ndërkombëtare,  legjislacionin e brendshëm apo praktikën ndërkombëtare.

Bushati mohoi çdo lloj presioni për tu ulur në bisedimi, ardhur nga kushdo palë, për shkak të çeljes së negociatave në kuadër të integrimit europian.

“Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të OKB-së, palë e Konventës së Detit, ç’ka do të thotë se për të dy vendet burojnë disa të drejta e detyrime nga e drejta ndërkombëtare dhe këto të drejta e detyrime nuk mund të jenë fakultative as për ne as për Greqinë”, theksoi ministri.

Nga diskutimet paraprake, garantoi kryediplomati Bushati, marrëveshja e re me Greqinë do të jetë më e favorshme se ajo e 2009-s. Marrëveshja e arritur në 2009 nga qeveria ‘Berisha’, bëri të ditur ministri Bushati kishte gabime trashanike në thelb dhe në procedurë.

“Do të jetë marrëveshje e drejtë, e ndershme dhe e zbatueshme, sepse nevojitet të kemi një marrëveshje të drejtë në mënyrë që të dy palët të dalin nga procesi i bisedimeve me ndjesinë që kanë marrë atë që i takon”, u shpreh ministri. Çdo diskutim tjetër, tha ai, është shpifje ose mungesë informacioni.

“Të dy vendet kanë kuptuar që duhet pasur një marrëveshje të zbatueshme në praktikë”, theksoi ai.

Brenda 6-mujorit të parë presim që Greqia të shfuqizojë Ligjin e Luftës

Qeveria shqiptare pret që brenda 6-mujorit të parë të këtij viti Greqia të shfuqizojë Ligjin e Luftës. Ministri Bushati sqaroi se kërkesa jonë për shfuqizimin e ligjit të Luftës nuk lidhet me të ndjerit të kërcënuar, pasi jemi vende anëtare të NATO-s, por nga ana tjetër tha ai, gjendja e luftës ekziston.

“Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë kanë pretenduar se nuk ekziston një ligj lufte, por në vitin 1999 është vet shteti grek që i konfirmon ambasadës së Shqipërisë në Athinë ekzistencën e dekretit mbretëror. Po ashtu, janë disa raste të qytetarëve shqiptarë që kanë tentuar të fitojnë të drejtën e pronës dhe për shkak të kësaj pengese nuk ja kanë dalë dot”, bëri të ditur ministri Bushati.

“Ne kemi kërkuar që ligji i luftës apo dekreti mbretëror që sanksionoi gjendjen e luftës me Shqipërinë dhe që vuri nën sekuestro një pjesë të mirë të pronave të shtetit shqiptar, qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi greke të shfuqizohet me një akt po të një vlefshëm”, deklaroi Bushati.

Ne, vijoi ministri, kemi kërkuar që këtyre tre kategorive t’u jepet e drejta për t’ju drejtuar instancave greke për të gëzuar të drejtën e pronësisë.

Çështja çame, një çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut

Qeveria ‘Rama’ në vitin 2013 është qeveria e parë që zyrtarisht e përfshiu në programin qeveritar në kapitullin e politikës së jashtme çështjen çame si pjesë të dosjes sonë diplomatike. Në vitin 2012, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë që ngarkonte çdo qeveri shqiptare që këtë çështje ta trajtonte si pjesë të dosjes diplomatike apo pjesë të diskutimeve me Greqinë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati shpjegoi se çështja çame nuk lidhet me pretendime territoriale, siç përpiqen ta përshkruajnë politikanë të ndryshëm në Greqi.

“Për ne kjo është një çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut si shkruhet në programin tonë të qeverisjes apo dokumentin strategjik që kemi shkëmbyer me palën greke dhe që më pas të dyja palët e kanë depozituar pranë shërbimeve të Komisonit Europian”, deklaroi Bushati.

Në radhë të parë lidhet me përgjegjësinë individuale që kanë qytetarët, informoi ministri. Flasim, tha ai, për të drejtën e lëvizjes së lirë në përputhje me parimet e SHENGEN-it. Ne e dimë shumë mirë, u shpreh ai, që qytetarët me origjinë shqiptare, pjesë e komunitetit çam nuk lejohen për të hyrë normalisht në Greqi.

“Me qeverinë greke jemi në një pozicion më të favorshëm se para disa vitesh, sepse ka filluar shkëmbimi i të dhënave për rastet kur një shtetasi shqiptar pjesë e këtij komuniteti, i refuzohet hyrja në territorin grek”, deklaroi ministri.

Po kështu, po synojmë, vuri në dukje ministri, që komuniteti çam të ketë mundësinë t’i drejtohet instancave greke për të drejtën e pronës. Sikundër për ne, shtoi ai, çështja e të drejtës përkujtimore apo ndërtimi i një obelisku do ti krijonte mundësi komunitetit çam të mbajë gjallë lidhjen me historinë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur gjithashtu se me Greqinë po punohet për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit, njohjen e kontributeve për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, si dhe për heqjen e rezervës apostile.

Leave a Reply

Your email address will not be published.