Rajoni

Tronditet politika greke. Dy ish-kryeministra dhe 8 ish-ministra akuzohen për korrupsion

Një hetim i prokurorisë greke për praktikat e firmës zvicerane

të barnave “Novartis” ka zbuluar implikimin e 10 politikanëve grekë në atë që konsiderohet si skandali më i madh politik nga krijimi i shtetit. Dy ish-kryeministra dhe 8 ish-ministra janë të përfshirë në këtë aferë, që dyshohet se kanë marrë ryshfet nga kompania dhe shteti grek ka humbur mbi 2 miliardë euro.

Në Greqi ka shpërthyer një skandal që do të trondisë politikën në vend. Kompania zvicerane e barnave “Novartis” akuzohet se ka përdorur metoda joligjore për të rritur, madje për të dyfishuar artificialisht çmimet e barnave të rimbursueshme nga shteti. Dyshohet se në këtë histori kanë qenë të përfshirë të paktën 8 ish-ministra dhe 2 ish-kryeministra të Greqisë. Gjykata e Lartë e dërgoi në Parlament dosjen voluminoze ku renditen akuzat e skandalit më të madh të historisë moderne të vendit.

Pas hetimeve disavjeçare, rezultoi se me urdhër të drejtuesve të kompanisë përdoreshin metoda që rrisnin artificialisht kostot e barnave, të cilat rimbursoheshin. Këto metoda kanë bërë që Greqia të ketë dyfishin e shpenzimeve të Bashkimit Europian për barnat e rimbursueshme. Ajo që po shkakton tërmet politik është fakti se në dosje përfshihen emrat e dy kryeministrave, Panajotis Pikramenos, i cili qëndroi në detyrë si kryeminstër i përkohshëm për vetëm dy muaj në vitin 2012 dhe Antonis Samaras, i cili udhëhoqi vendin pas tij deri në janar të vitit 2015.

Por, gjithashtu në skandal përfshihen edhe emrat e 8 ish-ministrave të Shëndetësisë, Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit që kanë shërbyer nga viti 2006 deri në vitin 2015. Midis tyre, ish kreu i PASOK-ut, Evangjelos Venizellos, guvernatori i sotëm i Bankës së Greqisë, Janis Stournaras, komisioneri europian për emigracionin, Dhimitris Avramopoulos, apo dhe zv/kryetari i Konservatorëve të Demokracisë së Re, Adhonis Gjeorgjiadhis.

Zyra e prokurorit ka kërkuar lejimin për ndjekje penale dhe hetim për pastrim parash, ndërsa të gjithë politikanët e dyshuar si të përfshirë në këtë çështje kanë mohuar me deklarata orët e fundit akuzat ndaj tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button