Home / Politika / KE: Shqipëria fitoi kohë në procesin e integrimit

KE: Shqipëria fitoi kohë në procesin e integrimit

“Shqipëria ka bërë pjesën më të madhe të punës dhe ka fituar kohë për të ardhmen”, ka vlerësuar sot Komisioni Europian reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit të vendit.

Në strategjinë e zgjerimit  publikuar sot në Strasburg nga Komisioni Europian, bëhet e qartë se Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe ka një perspektivë reale për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ndër të tjera theksohet se “Shqipëria bëri një veprim shumë të mençur: ajo përmbushi pjesën më të madhe të Kapitujve 23 dhe 24 nëpërmjet një Reforme të thellë në Drejtësi”. Dhe sipas KE, vendi ynë ka fituar kohë për të ardhmen duke çuar përpara me procesin e integrimit, madje duke iu përafruar edhe Serbisë dhe Malit të Zi, që tani për tani janë më përpara dhe strategjia i ka identifikuar si pararëndëse.

“Kjo nënkupton, me fjalë të thjeshta, se Shqipëria ka bërë pjesën më të madhe të punës dhe ka fituar kohë për të ardhmen, pra, nëse ajo ruan ritmin do të jetë në gjendje të arrijë vendet e tjera që po negociojnë, sapo negociatat të nisin”,  ishte mesazhi i KE për Shqipërinë, që u ripohua nga diplomatja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin në konferencën për shtyp.

Gjithashtu, sikurse deklaruan edhe Mogherini dhe Hahn, “ky proces nuk vendos ndonjë kufi artificial shpejtësie lidhur me përparimin e vendeve: sa më shumë reforma të zbatoni, aq më shpejt ju do të arrini qëllimin”.

“Pra, mesazhi im i fundit është, le të punojmë më shumë, pasi kjo është një pranverë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, le t’i shikojmë instrumentet dhe mundësitë që ato sigurojnë dhe t’i përdorim ato sa më mirë, dhe më në fund, le të punojmë të gjithë së bashku për ta bërë jetën e përditshme të çdo shqiptari më të sigurtë, më të mirë dhe më begatë. E gjithë kjo është e mundur. Ajo kërkon gjithmonë më shumë vendosmëri, më shumë përkushtim dhe, më lejoni të them, edhe më shumë dashuri”, ishte deklarate e Ambasadores se BE në Tiranë, Romana Vlahutin në konferencën për shtyp pas publikimit të strategjisë së KE.

 


 

Leave a Reply

%d bloggers like this: