Opinion

Një rishikim i historisë… si nisi lufta “Italo- Greke” dhe misteri i “martirit” shqiptar

Nga Besnik Dizdari

Përsëri ajo që njihet si “Lufta Italo–Greke”. Madje, thuajse një “sëmundje” e pashërueshme, e tashmë e meriton të quhet edhe “shekullore”!

Dhe me një gjakim (pasion) të madh për të thënë e reklamuar se “e di mirë unë këtë punë”, edhe kësaj radhe. Ashtu siç pat shpërthyer nja 12 vjet më parë në Shqipëri. Pata përkthyer më parë fragmente nga historia e dy gazetarëve të mëdhenj italianë, Indro Montanelli e Mario Cervi, të cilët së bashku kanë shkruar një tufë vëllimesh për historinë e Italisë – një sfidë e pamat, sidomos ndaj historianëve të njëanshëm, ata të cilët edhe pse mund ta njohin, nuk dinë ta shkruajnë mirë historinë, siç ka thënë Montanelli.

E shoh se në riaktualizimin e saj shqiptar, qoftë dhe “artificial” të këtyre ditëve 2018, tregimi i tyre autentik për Luftën Italo–Greke duhet ribotuar, por kësaj radhe tejet më thellë e me plot risi, gjithnjë jo prej meje, por prej atyre të mëdhenjve të profesionit tonë. Përveç të tjerave, përjetues të drejtpërdrejt të asaj lufte dhe të asaj kohe, kur Shqipëria kishte për Mbret, Viktor Emanuelin e Tretë, Mbret i Italisë e i Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë (Re d’Italia e d’Albania, Imperatore d’Etiopia”).

Dhe kësaj radhe duke u mbështetur edhe te gjykime, të mbas vitit 1998, ato të vëllimeve të tyre, “Storia d’Italia”, botuar mbasi qe ndarë nga jeta Montanelli, ndërsa Mario Cervi ende jetonte. Prej çka sigurisht nuk mund të mësojmë kurrsesi se sa ka ndikuar Cervi në lëmimin e këtij tregimi unikal, që sot e kësaj dite mbetet ndër më autoritarët, më analitikët, ndër më të saktët, gjithnjë me plot befasira, sidomos për lexuesin, historianin apo studiuesin shqiptar të sotëm.

Pa i hyrë narracionit midis stilit të gazetarit, historianit, pse jo, tregimtarit elegant, por aq fort të kuptueshëm prej çdo njeriu, i çfarëdo klase apo shkollimi. Dhe jo vetëm se ata që e shkruajnë janë dy gazetarë dhe historianë të shquar, por edhe për faktin se Indro Montanelli (1909- 2001) ka qenë i dërguar i posaçëm i “Corriere della Sera” në Luftën Italo–Greke dhe dihet se ka botuar mbi 40 libra për historinë e Italisë në një mënyrë krejt tjetër nga vetë historianët më në zë.

Mario Cervi (1921-2015) ndërkaq, ka qenë oficer i fanterisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, më mbas i burgosur nga gjermanët, i diplomuar në drejtësi, gazetar qysh nga viti 1945 në “Corriere della Sera”, i dërguar special në Krizën e Suezit (1956), në grushtin e kolonelëve në Greqi (1967), të Pinochet-it në Kili (1973), në luftën e Turqisë në Qipro (1974). Më 1974 ai largohet nga “Corriere” dhe është bashkëthemelues i “Il Giornale” së bashku me Montanelli-n dhe në moshën 80-vjeçare (1981) emërohet drejtor përgjegjës i gazetës.

Do të mbërrijmë ndërkaq, te risia e jashtëzakonshme e botimit të disa prej pjesëve të ditarit famëmadh, të Guiseppe Bottai (1895-1959), krejt të panjohura në Shqipëri. Madje për ditë të tana fletoret e ditarit të tij janë të mbushura, edhe me ditë të Tiranës sonë e të krahinave të jugut të Shqipërisë, datuar 1940-1941. Duke mbërritur mandej deri në Shkodër, te “kolegu” i tij po i Ministrisë së Arsimit e të Kulturës, prof. Ernest Koliqi.

Ky ishte Bottai, personalitet i madh i fashizmit, i përcaktuar madje si “kritiku i fashizmit”, i cili donte ta përmirësonte atë duke qenë vetë brenda, përmes prirjeve liberale të tij. Ministër i Edukimit Publik Kombëtar (1936-1945), Bottai, përveç shumë funksioneve të tjera, qe ndërkaq, edhe një gazetar i klasit të parë – themelues i revistës zëmadhe të fashizmit “Critica fascista”, botuar për 20 vjet pa ndalë (1923-1943). Deri aty, sa, siç thonë studiuesit e periudhës, guxonte të kritikonte, natyrisht jo krejt haptas, deri censurën dhe konformizmin fashist.

Qe konsideruar si “mendja më e mirë e fashizmit”. Mbështetës i madh i Mussolinit, por mandej, befasisht, nënshkrues së bashku me 18 jerarkët e tjerë i vendimit të të dëgjuarit Gran Consiglio (24 korrik 1943) që në të vërtetë e shkarkoi Mussolinin. Për çudinë e madhe, Bottain do ta bëjë fort të rimendohet pikërisht Shqipëria e Luftës Italo–Greke. Ku siç shkruan gazetari dhe historiani Giordano Bruno Guerri: “Më 21 shkurt 1943 duke menduar ditët e kaluara në Shqipëri, Bottai i përcakton ato si ‘një kohë kur dashuria për Mussolinin merr fund, teksa bindem se njerëzit, vetë njerëzia e jonë, nuk mund ta përqendrojnë adhurimin te një njeri i vetëm”.

Le ta ritregojmë përmes këtyre tre protagonistëve të mëdhenj, këtë histori që vazhdon “të ngrejë krye” ndër ne, tash gati 80 vjet, e që papritmas mbështillet pa ia nda me kapriçiot e saj deri me peshën te aktualiteti i sotëm. Apo dhe me rrahje gjoksi të politikanëve, të cilët me fjalorin e tyre tejet të varfër, nuk po na bindin asesi se e dinë mirë këtë histori.

ÇKA ISHTE LUFTA ITALO–GREKE

INDRO MONTANELLI/ MARIO CERVI

Prologu me vrasjen e Daut Hoxhës

Nga botimi i tyre i vitit 2003, shkëpusim këto radhë, tejet impresionuese sot, edhe për ne:

“…Thirrja e dhimbjes së çamëve, po merrte ndërkaq formë edhe falë këmbënguljes dhe zellit të Jacomonit. Në një raport të Cianos – edhe kjo në mes të gushtit – mëkëmbësi i përgjithshëm tregonte historinë e trishtueshme të Daut Hoxhës, një atdhetar i Çamërisë, i cili ishte i detyruar të kalonte vite në Shqipëri dhe sapo ishte gjetur i vrarë në Konispol. Vrasësit, të cilit donin të përfitonin pjesën premtuese prej qeverisë së Athinës, e kishin kryer krimin të mbështetur prej emisarëve të zyrtarëve grekë.

Nga ana e tyre, grekët saktësonin se në të vërtetë Hoxha ishte vrarë gjatë një zënke prej dy shqiptarëve dhe se ai ishte një bandit, i dënuar shumë herë si një rebel qysh prej njëzet vjetëve. Mirëpo, radio dhe shtypi italian e ngrinin në qiell, urdhëruar kjo prej Miniculpop-it (Ministria e Kulturës Popullore), deri në figurën e një “martiri”. Nga mikrofonat e EIAR (RAI i sotëm), një spiker njoftonte se “sakrifica e tij nuk do të shkojë kot, mbasi lajmi i krimit të poshtër ka prekë thellësisht shqiptarët e Çamërisë”.

Indro Montanelli dhe Mario Cervi

Farinaçi, Polverelli dhe jerarkët e tjerë kryesorë, ishin mobilizuar për të ngritur deri në ekzaltim virtytet e Hoxhës, ndërsa gazetat këmbëngulnin në grabitjet, masakrat dhe internimet përmes të cilave grekët kishin nënshtruar Çamërinë fatkeqe, “toka që ndodhej pranë kufirit të bregdetit Jonik me Prevezën dhe provincën e Janinës”. Tetëdhjetë mijë shqiptarë dhe dhjetëmijë grekë jetonin në Çamëri, simbas propagandës fashiste, qysh kur ky rajon, në vitin 1913 i qe dhënë Greqisë…

Çështja e Çamërisë kishte mbërthyer kështu, skemat e një aksioni të mundshëm kundër Greqisë. Mbasi duheshin çliruar tokat irredente shqiptare, sulmi kryesor duhej që domosdoshmërish të niste në sektorin e Epirit, një sektor i vështirë, malor dhe me mungesa objektivash të rëndësishme të afërta; pra, jo të Maqedonisë perëndimore për në Selanik…”.

MUSSOLINI: “SULM MBI EPIR, TRYSNI MBI SELANIK, MARSHIM MBI ATHINË!”

Në mëngjesin e 28 tetorit 1940, trupat italiane në Shqipëri, nën komandën e gjeneralit Sebastiano Visconti Prasca, do të nisnin marshimin për sulmin kundër Greqisë. Mussolini dhe Ciano do ta kishin më në fund, luftën e tyre, që me fitoret dhe triumfet e tyre të parashikuara, t’ia kundërvinin fitoreve dhe triumfeve gjermane të muajve të fundit. Ciano e kishte menduar tashmâ gjetjen e shkakut për agresionin e paraparë me miratimin e mëkambësit të përgjithshëm në Shqipëri, Francesco Jacomoni.

Nuk mund të vishej ndërmarrja me një shkak ideologjik kundër regjimit të Athinës, përkundrazi. Jovani Metaxàs, gjenerali i cili prej katër vjetësh qeveriste në mënyrë autoritare Greqinë, ishte një diktator i stampës fashiste në versionin ballkanik. Italia madje, do të kishte mundur të vepronte me urtësi në Greqi për ta përfshirë Metaxàs-në në rreshtin e Aksit. Por Mussolinit nuk i interesonte të kishte aleatë të tjerë me një çmim kësisoji.

I interesonte të kishte me çdo kusht, vetëm një kundërshtar për ta mundur. Por për ta shndërruar një mik të fuqishëm në një armik të vlefshëm do të sendërtoheshin kapituj të një akuze të argumentuar dobët. E para, ishte faji që Greqia kishte bërë, duke i ofruar flotës angleze ndihma, mbështetje, furnizime në ishujt e panumërt të arqipelagut të saj. E dyta, kishte të bënte me praninë në Epir të një pakice çame – pra shqiptare – të shtypur dhe të nëpërkambun, dhe kësisoj, Italia, si mbrojtëse e Shqipërisë, duhej t’i dilte për zot këtij irredentizmi.

Papritmas, më 12 tetor fushata kundër Greqisë ishte bërë urgjente. Gjermanët i kishin bërë me dije Mussolinit një ditë më parë, se “në ndjekje të kërkesës së Rumanisë” një mision ushtarak gjerman do të mbërrinte në Bukuresht, dhe se avionët e Luftëaffe-s do të mbronin puset e naftës të Ploeshtit. Në të vërtetë, qysh më 8 tetor repartet gjermane kishin filluar ta rrethonin Rumaninë.

Një inisiativë e disahershme ushtarake ishte ndërmarrë prej Hitlerit, pa u këshilluar asesi me shokun e Paktit të Hekurt: dhe një hap tjetër ishte kryer drejt kësaj epërsie absolute të Gjermanisë në Europë, çka Mussolini dëshironte ta kundërshtonte për ta mbajtur aleancën mbrenda caqeve të një partnershipi dhe jo të një lidershipi kaq të qartë gjerman. Ciano, i kënaqur ngaqë shkaku, pra Hitleri, përtej çdo shprese kishte çuar ujë në mullirin e luftës së tij, shkruan në Ditar: “Ai (Mussolini) është indinjuar për pushtimin gjerman të Rumanisë…” “Hitleri më vë përherë para faktit të kryer. Kësaj here do t’ia paguaj me të njëjtën monedhë: do ta mësojë vetëm prej gazetave që e kam pushtuar Greqinë. Dhe kështu baraspesha do të vihet në vend”.

Lufta Italo-greke

E pyes se çka thotë Badoglio: “Ende jo”, më përgjigjet. “Por do të jap dorëheqjen si një italian i vërtetë, nëse ndokush gjen vështirësi për të mundur grekët”. Tashmâ Duce është gjithnjë e më fort i vendosur për të vepruar. Në të vërtetë, unë besoj se operacioni do të jetë sa i dobishëm aq dhe i lehtë”.

DATA E SULMIT QE FIKSUAR PËR MË 26 TETOR.

Trupat italiane në Shqipëri ishin nën urdhrat e gjeneralit të Korparmatës, Visconti Prasca, funksionar ushtarak në Paris deri më 1940, mandej komandant i Korparmatës në frontin perëndimor. Në Shqipëri ai kishte zëvendësuar qysh në qershor gjeneralin Carlo Geloso, i cili nuk kishte qenë në një mendje me Jacomonin dhe as me shqiptarët. Visconti Prasca ishte një burrë i pashëm dhe krenar për paraqitjen e tij fizike.

Kur ai mori në zotërim detyrën e tij, në Shqipëri gjendeshin pesë divizione: tre të fanterisë (Ferrara, Arezzo e Venezia), një alpin (Julia), një karrocate (Centauro) dhe më tej trupa autonome italiane e shqiptare (midis të cilëve regjimenti III i Granatierëve të Sardenjës) që simbas vlerësimeve optimiste të Shtatmadhorisë, vlenin sa një dyshe divizionesh. Ndërkaq, i epëm siç ishte prej etjes për hakmarrje kundër Hitlerit, Mussolini pret në takim në Palazzo Venezia në orën 11 të 15 tetorit, Badoglion, Roattan, Soddun, Visconti Prascan, Cianon, Jacomonin.

Dhe i cakton rolin e sekretarit nënkolonelit Trombetti. Prej mbledhjes ka mbetur e folura e plotë. Mussolini e fillon duke sqaruar se synimet e fushatës janë që “qysh në hapin e parë duhen marrë në zotërim krejt bregdeti jugor shqiptar, me pushtimin e ishujve joniane Zante, Qefalonia, Korfuzi si dhe pushtimin e Selanikut”. Edhe Bullgaria, shton Mussolini, do të thirret për të marrë pjesë në aksion (por Mbreti Boris me mirësjellje nuk do ta pranonte ftesën). Ky element përcaktues, prej të cilit varej mundësia nëse grekët do t’i përqendronin apo jo forcat e tyre në frontin shqiptar, u la mënjanë si të ishte diçka e dorës së dytë.

Jacomoni përshkruan, teksa e merr fjalën, gjendjen shpirtërore të shqiptarëve, simbas tij, të etur për të luftuar, ndërsa grekët “krejtësisht indiferentë”, ose më pak të vendosur për të rezistuar nga sa dukeshin disa muaj më parë. Nga ana e tij, Visconti Prasca spjegon se aksioni kundër forcave greke në Epir, rreth tridhjetëmijë njerëz, parashikonte një seri stërvitjesh, falë të të cilave në dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë, i gjithë rajoni do të mund të pushtohej. Ai siguron se sulmi ishte përgatitur deri në detajet më të holla dhe se shpirti i trupave qëndronte shumë lart.

Harta e sulmeve nga pala greke gjatë Luftës Italo-Greke në hapësirën shqiptare

Përsa i përket Selanikut, duhej duruar disa muaj, vazhdon Visconti Prasca, dhe shton se baza e të gjithave, edhe për marshimin drejt Athinës, ishte pushtimi i Epirit dhe i portit të Prevezës. Vetëm në këtë çast Badoglio u bë i gjallë, për të rekomanduar se ndërsa Greqia do të sulmohej, anglezët do të ishin të zënë me Afrikën, e kështu mënjanohej dërgimi i një trupe ekspedite, dhe shton: “Duhet të pushtojmë gjithë Greqinë nëse duam që problemi të jetë përftues”, dhe se “për këtë duhen rreth njëzet divizione, ndërkohë që për Greqinë janë nëntë, shto një të kavalerisë” (ai gabohej, divizionet ishin nëntë përfshi dhe repartet e kavalerisë).

“Në këto kushte duhen tre muaj”, këmbëngul marshalli. Por Visconti Prasca replikon: “Dërgimi i trupave të tjerë varet nga zhvillimi i planit, dhe nuk mund të bëhet pa u pushtuar Epiri”. Më mbas, me pesë apo gjashtë divizione, do të bjerë edhe vetë Athina, përfundon ai. Diskutimi, nëse mund ta konsiderojmë si të tillë, zgjati një orë e gjysmë. Dhe Duce, i cili gjithçka e përmbledh me këtë sintezë: “Sulm mbi Epir, vëzhgim dhe trysni mbi Selanik, dhe në një kohë të dytë marshim mbi Athinë”.

Badoglio dhe Roatta miratojnë dhe binden me gjestin e batutës rituale të goditjes së takave dhe të përshëndetjes romane. Kishte kjo mbledhje, bashkimin e katër elementeve të gabuar: padurimin mussolinian për “t’ia ripaguar” Hitlerit; mendjelehtësinë karrieriste të Visconti Prascas; nënvleftësimin e Cianos së dashuruar mbas luftës; pranimin me frikë të Badoglios dhe Roattas të cilët si teknikë të mirë që ishin, ndonëse e kuptonin rrezikun e planit operativ, nuk do të tregoheshin të vendosur në mbrojtjen e pikëpamjeve të tyre.

Komandanti i trupave në Shqipëri ishte ndërkaq, këshilltari më i keq i Mussolinit. Pranimi nga ana e tij për të parapëlqyer dërgimin e menjëhershëm të divizioneve të reja, përmbante në vetvete shpjegimet më të thjeshta dhe më meskine. Pesëdhjeteshtatëvjeçar, gjenerali i Korparmatës, si njeri prej më të rinjve në moshë, kishte frikë se mos zëvendësohej nga ndonjë koleg me gradë më të lartë, nëse forcat në dispozicion të tij do të dobësoheshin.

Ai parapëlqente që përforcimi i trupave të tij të bëhej kur ai, falë fitoreve të para, të ndjehej krejt i sigurt në fushën e betejës; çka do të mund t’ia rriste njëkohësisht shiritat e gradave po dhe trupat e ekspeditës. Në një letër që i dërgon më 25 tetor, Mussolini pranon për “përpjekjet që bëheshin për t’ia hequr komandën mu në prag të aksionit”. Disa kanë afirmuar – pa u provuar kjo – se fushata e Greqisë, qe përballuar me gjithë këtë mendjelehtësi të mrekulluar, ngaqë Ciano besonte plot siguri te një tradhti e gjeneralëve dhe e personaliteteve politike greke.

Çarja e frontit të brendshëm armik do të shuante çdo vështirësi të mundshme. Kjo hipotezë është, të paktën në këto terma, historikisht e pabazë. Për korrupsion as Ciano as Jacomoni nuk folën asnjë fjalë në Palazzo Venezzia: e megjithatë ky argument ishte i një rëndësie jetike. Visconti Prasca, i cili në sforcimin e tij të mëpastajmë vetëmbrojtës do të kishte pasur mjaft interes t’i besonte kësaj teze, ka përgënjeshtruar këtë fakt të përmendur edhe “pse më vonë u fol për një çek pesë milionësh dërguar prej një banke të Romës”.

Badoglio nga ana e tij, ka shkruar se i është bërë e njohur Ciano-s, pak mbas mbledhjes së Palazzo Venezzia, “prej disa personaliteteve greke, disa prej të cilëve pjesëtarë të qeverisë në fuqi, për një përmbysje të vetë Qeverisë, për të bërë të mundur kështu kalimin e Greqisë nga ana jonë. Merret me mend se kjo do të kishte jo pak kosto, por suksesi që do të arrihej do ta justifikonte këtë shpenzim”…

KRYEMINISTRI METAXAS NË KËMISHË NATE: “ALORS, C’EST LA GUERRE?”

Nuk e dimë nëse memorialisti i interesuar, duhet t’i japë besim të plotë dëshmisë së Badoglios. Por çështjet janë dy: ose ka ekzagjeruar Ciano – për të shpallur kështu një komplot të paqenë dhe për të nxitur shefin e matur të Shtatmadhorisë të mënjanojë dyshimet e tij – ose ka ekzagjeruar Badoglio. Është e vërtetë që në këtë prag fushate, paraja ka vërshuar. Por korrespondencat që i përkasin këtyre shumave qenë shkëmbyer vetëm midis Tiranës dhe Romës.

Jacomoni justifikon (pak ditë mbas sulmit) nevojën e këtyre furnizimeve me urgjencë, për të krijuar “situata mjedisore, qoftë për aty, qoftë përtej kufirit, tejet të domosdoshme për një zhvillim konform të ngjarjeve”. Kur qe bërë e qartë se kësaj here Mussolini ishte i palëkundshëm në vendimin e tij, Badoglio në një shpërthim të tij, i thotë Cianos dhe Soddut, se në këto kushte, aksioni kundër Greqisë ishte i palogjikë, dhe nëse sa më shpejt që të ishte e mundur, nuk do të rregulloheshin gabimet shumë të mëdha të planit, ai do të jepte dorëheqjen.

Por Duce ishte i pakthyeshëm, dhe i papërmbajtur i turret dhëndrit, mbasi ky paraqet propozimet e marshallit: “Ai (Mussolini) pati një shpërthim të papamë zemërimi dhe tha se do të shkojë vetë në Greqi për të qenë i pranishëm në turpin e italianëve, të cilët kanë frikë prej grekëve. Ka ndërmend që të marshohet me çdo kusht, dhe nëse Badoglio do të japë dorëheqjen, do t’ia pranojë në vend. Por Badoglio, jo vetëm nuk ia paraqet, por as ia përsërit Mussolinit ato që një ditë më parë mi kishte thënë mua. Në të vërtetë, Duce thotë se Badoglio vetëm sa ka këmbëngulur për ta shtyrë ndonjë ditë fushatën: të paktën dy”. Me shtyrjen e orës X nga 26 në 28 tetor – përkim i rastësishëm me përvjetorin e Marshimit mbi Romë – marshalli qe qetësuar.

Agresioni kishte si prolog pragmatizmin e incidenteve në kufi dhe “provokacionet” greke, natyrisht të organizuara nga italianët. Më 26 tetor agjencia “Stefani” njofton se një bandë greke kishte sulmuar një pikë kufitare afër Korçës, duke shkaktuar vrasjen e dy shqiptarëve dhe duke lënë në duart e trupave kufitare gjashtë të burgosur. Nga ana tjetër, tri bomba kishin shpërthyer prej terroristëve grekë në zyrën e mëkambësit të Santi Quarantas (Sarandës). E ndërsa shembuj të pa asnjë mëdyshje të alarmit qenë lëshuar ndërkaq, prej agjencisë së shtypit fashist, në Teatrin Kombëtar të Athinës po jepej një shfaqje e posaçme e “Madamma Butterfly” e Puçinit.

Në këtë ngjarje të parashikuar me kohë, si miq të qeverisë greke në Athinë ishin të pranishëm i biri i Mjeshtrit si dhe gruaja. Mbas shfaqjes, në mbrëmjen e 26 tetorit, ministri Grazzi ofron në legatën italiane një pritje solemne, me pjesëmarrjen e familjes mbretërore dhe të Metaxàs. Miqtë ishin ende aty me Grazzin, teksa kishte kaluar mesnata, kur ndërkaq, po mbërrinte telegrami i gjatë i shifruar, me tekstin e ultimatumit të cilin ministri ishte i detyruar ta paraqiste.

Të dërguarit në vend tregojnë për nervozizmin gjithnjë e më të madh që pushtoi diplomatët tonë, dhe dorë mbas dore tashmâ letrat lexoheshin qartë. Për një gabim pjesa e parë e mesazhit, në të cilin qenë saktësuar data dhe ora e sulmit, u deshifrua e fundit, e mbasi i shkreti Grazzi, kishte marrë lejen prej personaliteteve greke të largohej për një çast, mëson se deri në pesë të mëngjesit duhej t’i njoftohej lufta atij Kryeministri, i cili vetëm pak më parë kishte lënë pallatin e legatës.

I ishte thënë se më e pakta gjithçka duhej të dorëzohej mbrenda orës tre të natës së 28 tetorit, duke skaduar në gjashtë, tri orë më mbas. Një çerek ore para tre-shit, vetura e drejtuar prej atasheut ushtarak Mondini, në të cilin kishte zënë vend Grazzi, ndalon para vilës të stilit bizantin të Metaxàs, në lagjen athinase Kifissia. Grazzi i thotë kreut të shërbimit të rojeve, se duhet të takojë Kryeministrin “për një komunikatë shumë urgjente”.

Metaxàs, me trupin e tij të vogël e të shëndoshë, por jo aq mirë me shëndet, del në këmishë nate, dhe nxiton për te dera për të takuar Grazzin. Së bashku me te futen në një sallë të vogël të katit të poshtëm dhe Grazzi fillon të lexojë ngadalë, në frëngjisht, tekstin e ultimatumit, që thoshte se duke qenë që Greqia kishte prishë neutralitetin dhe kishte provokuar, e detyron Italinë “të ketë të drejtën ta pushtojë me Forcat e saj të Armatosura, përsa kohë që zgjat konflikti me Britaninë e Madhe për shkak të disa pikave strategjike të saj të dhëna në territorin grek. Qeveria italiane i kërkon qeverisë greke që ajo menjëherë të japë urdhrat e nevojshme që ky pushtim të bëhet në mënyrë paqësore”.

Në rast të kundërt, çdo rezistencë do të shtypej me forcë. Mbasi thotë me ankth: “Alors, c’est la guerre”, Metaxàs përpiqet të shpjegojë se ishte e pamundur që brenda tri orëve të njoftonte Mbretin, ministrin e Mbrojtjes, kryekomandantin marshallin Papagos, e t’iu jepet urdhri trupave që të mos bëjnë rezistencë.

Ai kërkon të dijë se cilat ishin pikat strategjike që Italia dëshironte të mbante, dhe Grazzi i pafjalë, duke hapur krahët lë të kuptohet se ai nuk i dinte. “Po kjo është luftë”, përsërit Metaxàs dhe murmurit: “Vous êtes les plus forts” (“Ju jeni më të fortët”). Dhe “oki”, “jo” në greqisht, çka më mbas do të bëhej slogani kombëtar, nuk qe shqiptuar krejt qartë, megjithatë. Por Metaxàs tashmâ e kishte marrë vendimin. Ultimatumi ndërkaq, qe shpallur në një mënyrë të tillë që të mos linte asnjë alternativë. Në mëngjes kolonat italiane do të fillonin të ecnin në errësirë, nën një shi të fortë që binte pa pushim mbas një periudhe thatësire, në gjithë zonën e kufirit…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button