Home / Kronika / Armand Duka rikonfirmohet në krye të FSHF: “Jam i lumtur për mbështetjen që më keni dhënë”

Armand Duka rikonfirmohet në krye të FSHF: “Jam i lumtur për mbështetjen që më keni dhënë”

Armand Duka është rizgjedhur për herë të pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit pas votimit të mbajtur ditën e sotme në Asamblenë e 7 të Përgjithshme Zgjedhore.
Në raundin e parë të votimit, asnjëri nga 3 kandidatët nuk mundi të merrte 2/3 e votave, Armand Duka në votimin e dytë ka siguruar mbi 50% të votave duke siguruar edhe mandatin e tij të pestë.
Armand Duka ka marrë 38 vota në raundin e dytë, ndërsa rivali i tij Bashkim Fino ka marrë 24 vota, ndërsa 3 të tjera rezultuan të pavlefshme.

Në raundin e parë, Armand Duka, mori 39 vota, ndërsa Bashkim Fino ka marrë 22 vota dhe 4 vota u shpallën të pavlefshme. Asnjë votë për kandidatin tjetër Shpëtim Hala.  “Jam i lumtur për mbështetjen që më keni dhënë”, u shpreh Duka në fjalimin e tij të falenderimit.

Që nga koha kur në Federatën Shqiptare të Futbollit, organet drejtuese zgjidhen në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga politika, vetëm një herë procesi zgjedhor ka kaluar në balotazh. Bëhet fjalë për vitin 2002, kur u zgjodh për herë të parë në krye të FSHF-së, Armand Duka, të cilit për të mundur rivalin e tij Mehdi Bushati iu desh të kalonte në balotazh.

Por, nëse në zgjedhjet e kaluara presidenti aktual u zgjodh thjesht me duartrokitje, pasi nuk pati rivalë, në këtë fushatë, gara ka qenë e fortë. Statusi i politikanit të kandidatit Fino ka sjellë akuza nga rivali i tij Duka për ndërhyrje politike, por UEFA dhe FIFA kanë kërkuar herë pas here që procesi t’i përmbahet rregullores sportive.

Edhe për këtë arsye, dy organizmat më të mëdha të futbollit europian dhe botëror sollën përfaqësuesit e tyre pasditen e së martës, për të qenë të pranishëm në Asamblenë Zgjedhore të ditës së sotme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.