Home / Politika / Rama-opozitës: Nuk ju shpëton Jeruzalemi nga gropa e drejtësisë

Rama-opozitës: Nuk ju shpëton Jeruzalemi nga gropa e drejtësisë

 “Frika nga reforma e drejtësisë që po vjen ka frymëzuar opozitën lidhur me votën e Shqipërisë në OKB për Jeruzalemin”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në Kuvend.

Gjatë debateve në seancën plenare për projektrezolutën e opozitës “Për ndryshimin e qëndrimit të mbajtur nga Qeveria shqiptare mbi Rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit”, të OKB-së, Rama tha se opozitë po kërkon shpëtim në Lindjen e Mesme nga frika e reformës në drejtësi.

“Keni kërkuar debat për Jeruzalemin, nesër mund të kërkoni debat për Kanalin e Panamasë, pasnesër për rritjen e temperaturave në Polin e Veriut. Do të ishin të gjendje të shpërthenit edhe një luftë nukleare nëse do të kishit një gjë në dorë. Sot e kërkoni shpëtimin në Lindjen e Mesme, nesër mund ta kërkoni diku gjetkë, mjafton të jetë në një pikë të globit larg këtij vendi këtu. Ju keni humbur pushtetin, arsyen dhe tanimë keni humbur gjumin. Politika juaj është jerm, baltë, përpëlitje. Ajo e shkreta reformë në drejtësi që e votuat këtu me të dyja këmbët në një këpucë sepse ai vettingu që nuk e ndalët dot, sepse kjo partia këtu që nuk e mundët dot ju kanë futur në një hall shumë të madh. Ju e dini shumë mirë se sa të jetë kjo parti në qeveri, ju nuk keni asnjë shans që ky vend të mbetet pa drejtësi. Ju e kthyet shtetin shqiptar në një zhele. Ju jeni gati të bëheni çifut, eskimezë, dele e zezë e këtij vendi, vetëm të mos jeni këta që jeni”, u shpreh kryeministri.

Duke u ndalur te çështja e detit me Greqinë, Rama tha se “ti Sali e futët detin në govatë, në pushtetin tuaj të marrë fund. Tradhti ndaj atdheut për cenim territorial, sot jeni gati të nxirrni rrugëve, të bëhet se çfarë të bëhet, por deti të na marrtë të gjithëve dhe vetëm të na nxjerrë matanë asaj grope që po hapet përditë, gropa e ndëshkimit të drejtësisë që nuk keni keni më asnjë shans ta ndaloni”.

Shqipëria me Amerikën nuk ndahet nga vota në OKB, juve ju ndan drejtësia

Duke iu drejtuar opozitës, kryeministri tha se  “frika juaj po ju tërheq zvarrë në një rrugë pa rrugë”.

“Frika ju bën aluçinant. Ulërini këtu për Amerikën njësoj si ata fëmijët e filmit “Mëngjese lufte”: O Guri, o Guri, hajde se po na rrahin”. Ju mendoni se po ju dëgjon Guri atje matanë dhe do vijë të ju ndihmojë. Ju nuk e keni me ne dhe nuk jua kemi ne fajin që po thyhen arrat, ato kanë filluar të kërcasin”.

Rama tha se “nuk e gjeni në Jeruzalem shpëtimin. Streha po shembet se në këtë betejë ne nuk jemi vetëm, por me SHBA dhe BE. Me SHBA, ju nuk u bashkon dot Jeruzalemi sepse ju ndan drejtësia”, tha Rama.

“SHBA nuk ju bashkon me Jeruzalemin se ju ndan Reforma në Drejtësi dhe gjitha makinacionet që keni bërë për ta penguar. Fshesa në drejtësi që donit ta kyçni në çadër ju ndan”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria me Amerikën nuk ndahet nga vota në OKB se vota në OKB të tilla ka patur plot dhe s’ka ndodh gjë. “Shqipëria me SHBA-të nuk mund të jetë mollë sherri. Këtu ndarja është e qartë, me kë jeni me drejtësinë apo me pandëshkueshmërinë, me hetim për të gjithë apo për ata që s’janë pjesë e barkut të shtëpisë apo të partisë, me fotografitë e të shkuarës apo me Shqipërinë e drejtë”, tha Rama.

Druri i ligjit në kokën e të gjithë atyre që i kanë kusure këtij populli

Ai theksoi se “druri i ligjit në kokën e të gjithë atyre që i kanë kusure këtij populli”.

“ Kanë filluar që të kërcasin arrat dhe nuk e gjeni dot shpëtimin në Jerusalem. Pse nuk e votoni KLGJ dhe KLP. Hajdeni bëhuni bashkë me ne për Reformën në Drejtësi, por ju nuk keni si votoni sepse nuk mund të votoni me duart tuaja që në fund të një procesi mund t ‘u lidhë duart, keni fshehur dhe mbuluar shumë, nuk keni faj. Po ju bërtisni sa të doni, KLGJ dhe KLP do të ngrihen sot dhe mbaron filmi me gogla, ne do të votojmë ju jo, dhe ata që kanë dalë nga goglat do të jenë organet e reja të KLP dhe KLGJ”, deklaroi Rama.

“Ne bëjmë tonën, këtu mbaron fundi i gjithë përpjekjeve  pafund që ju ta bllokoni reformën në drejtësi. Dilni zbathur dhe i hidhni këpucët në hava duke i kujtuar si raketa që mund të sulmojë Korenë e Veriut. Fshesa e Vettingut ka filluar dhe disa nga të dashtunit e tu në pallatin e drejtësisë po i sheh që po fluturojnë jashtë”, deklaroi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.