Home / Politika / Meta: Qëndrimet e Pavlopulos jo në sintoni me Bushatin e Kotzias

Meta: Qëndrimet e Pavlopulos jo në sintoni me Bushatin e Kotzias

“Deklarata e presidentit të Greqisë, Pavlopulos, për kushtëzim të procesit të integrimit për Shqipërinë lidhur me problemet e veçanta të marrëdhënieve dypalëshe, nuk janë   në sintoni me mesazhet dhe angazhimet publike të kohëve të fundit të Ministrave të Jashtëm, Bushati dhe Kotzias, për të çliruar energji të reja pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke trajtuar me vetëpërmbajtje dhe konstruktivitet pengesa të së kaluarës”.

Kështu deklaron Presidenti Ilir Meta në një intervistë për “Albanian Daily News”, duke vënë në dukje se spektri i bashkëpunimit midis dy vendeve është i gjithanshëm dhe me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për vendet tona por mbi të gjitha për popujt dhe njerëzit tanë.

“Natyrisht mund të ketë edhe çështje të caktuara për të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme por kjo nuk do të thotë të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe as, për këtë, arsye të cenojmë, bashkëpunimin e gjithanshme dhe jetik për të dy vendet dhe popujt tanë. Partneriteti nuk është thjesht një koncept dhe një dokument por ne radhë të parë është një mënyrë komunikimi bazuar edhe në respektin reciprok”, deklaron Kreu i Shtetit.

Lidhur me strategjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor publikuar dy ditë më parë nga  Komisioni Europian, Meta tha se “kjo strategji dhe Samiti i Sofjes dëshmojnë se rajoni qëndron ndër çështjet prioritare e strategjike për BE-në, si në aspektin strategjik, ashtu edhe atë politik, institucional, ekonomik, dhe qytetar”.

“Sa më e afërt të bëhet kjo marrëdhënie, aq më i rreptë është vlerësimi, dhe aq më shumë përparon vendi. Kjo strategji mendoj se është inkurajuese dhe se krijon një ekuilibër shumë të mirë ndërmjet identifikimit të rreziqeve që kanosen dhe domosdoshmërisë për të intensifikuar marrëdhëniet e BE-së me të 6 shtetet e rajonit”, tha Meta.

Ai shtoi se “si President i Republikës do të bëja thirrje për një lexim të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe racional të strategjisë nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë për prioritizimin e aksioneve që duhen ndërmarrë për të realizuar çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit në BE. Po kështu theksoj rëndësinë që ka ruajtja e koherencës mes deklaratave angazhuese dhe planeve vepruese, për të siguruar seriozitetin dhe besueshmërinë e zbatimit të reformave. Besueshmëria ishte dhe fjala kyç e strategjisë së re të zgjerimit, e domosdoshme për t’u arritur si në raport me qytetarët ashtu edhe me partnerët tanë institucionalë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.