Politika

‘Forca e ligjit’ me rezultate të prekshme, betejë të ashpër krimit

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi se krimi nuk ka ngjyrë, ai nuk u krijua as brenda një muaji, as një viti, por ne kemi vullnetin e duhur për ta goditur krimin në çdo formë të shfaqjes së tij.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, ministri Xhafaj theksoi se “pak muaj më parë qeveria ka prezantuar një plan konkret për luftën kundër krimit të organizuar, operacionin “Forca e Ligjit”, i mbështetur që në fazën e konceptimit të tij nga ekspertët më të mirë të fushës që SHBA ka ofruar në vendin tonë, ashtu sikurse edhe BE, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca, etj’.

“Këto ditë në Tiranë kemi patur takime të shumta me ekspertë të FBI–së dhe DEA-s amerikane për çështje konkrete e shumë të rëndësishme, për çështje të dukshme të besimit reciprok të konsoliduar mes nesh me këto dy agjenci ligj zbatuese me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar”, tha Xhafaj.

Duke renditur rezultatet e para të goditjes së krimit, Xhafaj bëri të ditur se “kemi goditur disa grupe kriminale kohët e fundit si në Shkodër, në Tiranë, me aksionin spektakolar të kapjes në kohë rekord të vrasësit me pagesë, i cili për nga profesionalizimi i treguar është i krahasueshëm me atë të vendeve me sistem të konsoliduar”.

“Sekuestrimet e dy ditëve më parë në Lezhë dhe aksioni i gjerë tejet profesional i policisë i konkretizuar gjatë natës së mbrëmshme në Elbasan dhe sot gjatë ditës në Shkodër janë një dëshmi e qartë e forcës goditëse të policisë së shtetit përmes përmbushjes së përgjegjësive të saj sipas ligjit”.

Duke iu përgjigjur skeptikëve për këtë operacion, Xhafaj tha se “aksioni ‘Forca e ligjit’ nuk është thjesht një projekt ai është sot një rezultat i prekshëm dhe do të vazhdojë të jetë i tillë në ditët e muajt në vijim”.

Ndaj, vijoi ai, jam i vendosur të mbështes Policinë e Shtetit në misionin e saj për rend dhe siguri publike në nivelin më të lartë, të inkurajoj e të mbështes fort strategjinë e policisë për goditjen e grupeve kriminale dhe elementëve të lidhur me to për të drejtuar para drejtësisë, cilindo i vogël apo i madh qoftë ai.

“Policia është aty për të bërë pikërisht këtë gjë por ajo duhet të mbështetet në këtë betejë të ashpër me krimin”, theksoi Xhafaj.

Ministri i Brendshëm foli edhe për marrëveshjen e nënshkruar së fundmi mes prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme për të koordinuar më mirë veprimtarinë në luftën ndaj krimit të organizuar.

“Kjo marrëveshje, e cila për ir të së vërtetës nuk është e para për këto dy institucione, është një materializim në aspektin teknik dhe organizativ të marrëdhënies prokurori polici, marrëdhënie, e cila është e sanksionuar nga legjislacioni procedurial penal”, tha Xhafaj.

Xhafaj: SHBA është një vend i respektuar dhe i adhuruar për shqiptarët

Ministri i Brendshëm Xhafaj në fjalën e tij foli edhe për debatin e sotëm në Kuvend për votën e Shqipërisë në OKB për Jeruzalemin duke theksuar se ” Shqipëria dhe populli shqiptar nuk kanë thjesht një marrëdhënie miqësore me SHBA. SHBA janë parë dhe shikohen akoma më shumë sot nga shqiptarët si vendi i cili, ndoshta si askush tjetër, ka kontribuuar më së pari për qenien e shtetit shqiptar dhe mandej për zhvillimin politik dhe ekonomik të tij. SHBA janë sot një vend i respektuar dhe i adhuruar për ne shqiptarët”.

“Asnjë qeveri dhe asnjë grup politik, jo vetëm nuk e dëshiron, por as edhe nuk ka mundësi që këtë raport me SHBA ta qasë në kundërshtim me qasjen e popullit shqiptar kundrejt këtij vendi të madh mik”, nënvizoi ai.
Xhafaj tha se “përpjekja për të baltosur një miqësi të konsoliduar dhe një marrëdhënie si ajo ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë është dashakeqe. Por duke qenë dashakeqe dhe e pabazuar gjëkundi në rrethana serioze, ajo po kthehet edhe në qesharake. Marrëdhëniet nuk ndërtohen në një ditë të vetme, as nuk cënohen dot nga episode të veçanta. Ato bazohen në vlera dhe qëllime të përbashkëta”.

Sipas tij, Shqipëria sot, po përpiqet të bëjë të sajat shumë nga ato vlera, për të cilat SHBA është avangardë në botë.

Duke folur për reformën në drejtësi, Xhafaj tha se “ky është projekti ynë madhor i cili lindi si domosdoshmëri për të rindërtuar sistemin aktual të drejtësisë, bazuar në një kërkesë të fortë popullore, kishte që në fillimet e saj inkurajimin dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, BE dhe veçanërisht të SHBA. Falë edhe mbështetjes e presionit të ushtruar prej tyre, kjo nismë e madhe historike sot është një projekt në zbatim megjithë pengesat e shumta që ju i keni bërë hapur apo tinëzisht këtij procesi”.

“Reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet kriteri real vlerësues për çdo njërin prej nesh si dhe për vetë forcat politike ku bëjmë pjesë. Të jesh pro reformës në drejtësi, kryerjes së vetingut dhe ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë do të thotë të mbrosh interesat e larta të qytetarëve të vendit tënd dhe të jesh në krah të vlerave e qëllimeve që SHBA mbron dhe mbështet, ndaj miqësisë dhe asistencës së gjithanshme që na ofron”, tha Xhafaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button