Politika

Avramopoulos: Shqipëria progres të madh, mbështetje nga BE për anëtarësim

“Shqipëri ka bërë një progres shumë të madh vitet e fundit dhe tashmë ka një dritare e mundësi historike për ta lidhur fort të ardhmen e saj me BE-në”, deklaroi Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos në një konferencë të përbashkët sot në Tiranë, me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Pas bisedimeve 2 palëshe, ata sigluan marrëveshjen statusore për bashkëpunim operativ ndërmjet Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare dhe Shqipërisë.

Marrëveshja do t’i mundësojë Agjencisë të sigurojë asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit të jashtëm, si dhe do t’u mundësojë ekipeve të Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare të vendosen me shpejtësi në territorin shqiptar në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të flukseve migratore.

Po sot, u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit mbi pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Evropian, mbështetur në vullnetin e palëve për të zgjeruar objektin e këtij Memorandumi në nisma konkrete në fushën e politikave kundër lëndëve narkotike.

Xhafaj: Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis

Ministri i Brendshëm deklaroi se vizita e Avramopoulos në Tiranë vjen në një moment shumë të rëndësishëm për vendin, në pritje të dhënies së miratimit zyrtar për hapjen e negociatave me BE-në.

Duke vlerësuar faktin se Komisioneri Avramopoluos është një mbështetës shumë aktiv ndaj aspiratës shqiptare për integrimin në familjen europiane, Xhafaj tha  gjithashtu se vizita e tij është tregues i mbështetjes së BE-së për reformat e nisura prej nesh, por edhe inkurajim i madh për atë që duhet të bëjmë në luftë me krimin e organizuar.

“Rikonfirmova vendosmërinë tonë se po bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar përfundimisht që Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis, për të treguar vendosmëri dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit”, rezultatet e para të të cilit janë inkurajuese; për të rritur më tej performancën e Policisë së Shtetit, për ta sjellë atë në standardet më të mira europiane duke e informuar në këtë kuadër edhe për procesin e Vettingut që sapo kemi nisur.

Duke u ndalur te marrëveshja e nënshkruar me FRONTEX për “Rojën Bregdetare dhe Kufitare”, Xhafaj tha se kjo do do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria.

Sipas tij, marrëveshja do t’i mundësojë gjithashtu Shqipërisë të përfitojë nga projektet që do të japë Bashkimi Europian, gjatë implementimit të saj. “Forcimi i kontrollit në kufi dhe përmirësimi i shërbimit në pikat e kalimit kufitar, mbetet prioritet për ne, si kusht për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave”, tha Xhafaj.

Avramopuluos: BE mbështet Shqipërinë

Komisioneri e nisi fjalën tij duke uruar që së shpejti ta shohim Shqipërinë të bëhet pjesë e familjes europiane.  “Shqipëria është pjesë e familjes europiane historikisht, gjeografikisht dhe në kontekstin e paqëndrueshmërive gjeopolitike me të cilat po ndeshemi, ne ndajmë të njëjtat sfida me Shqipërinë. Veçanërisht në luftën ndaj migracionit të parregullt, mirëmenaxhimin e kufijve tanë dhe në luftën efikase ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ne ndajmë një histori të përbashkët dhe e ardhmja jonë e përbashkët do të jetë europiane gjithashtu”, deklaroi Avramopuluos.

Sipas tij, strategjia e Ballkanit Perëndimor nxjerr në pah një axhendë ambicioze për Shqipërinë dhe gjithë rajonin dhe Shqipëria tashmë ka një dritare e mundësi historike për ta lidhur fort të ardhmen e saj me BE-në.

“Ne të gjithë kujtojmë kohën, para disa vitesh se çfarë ishte Shqipëria në sytë e gjithë botës. Sot unë jam i impresionuar me atë që ju keni arritur tashmë në fushën tonë, në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Dua t’i shpreh falënderimet e mia në mënyrë të veçantë autoriteteve shqiptare për përkushtimin e tyre për të arritur shumë shpejt marrëveshjen me Agjencinë Europiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare”, tha komisioneri.

Duke u ndalur te marrëveshja e nënshkruar, Avramopuluos tha se do të sigurojë një menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt në interes të përbashkët, si të BE ashtu edhe të Shqipërisë.

Përsa i përket nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimi që ka të bëjë me luftën kundër drogës, ai tha se “Shqipëria do të ketë mundësi në të ardhmen të ketë akses në fonde për nisma në fushën e politikave kundër drogës.”

Ai inkurajoi që Shqipëria të aplikojë për fonde në mbështetje të këtyre iniciativave.” Ajo që ne duam vërtetë është që Shqipëria të vijë sa më pranë Bashkimit Europian. Dëshiroj gjithashtu të përgëzojë Shqipërinë për përpjekjet që ka bërë në lidhje me menaxhimin e flukseve të emigracionit të parregullt dhe ta inkurajojë Shqipërinë të bëjë edhe më shumë.Ne duhet që të ulim numrin e personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave. Të gjithë ne duam ta sigurojmë dhe ta ruajmë liberalizimin e vizave”, deklaroi ai.

Ai garantoi se Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për të përgatitur terrenin, për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe për të hapur rrugën drejt të ardhmes europiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button