Kosova

Ambasada gjermane për Express: Lojërat për ndarje territoriale janë të rrezikshme, i kundërshtojmë

 

Gjermania, njëri nga shtetet më të fuqishme evropiane që ka ndikim në zhvillimet në Kosovë, ka dalë kundër idesë për shkëmbim territoresh, një iniciativë në të cilën janë përfshirë top politikanë të Kosovës. Në një përgjigje për Gazetën Express, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se e mbështet pa rezervë integritetin territorial të Kosovës.

Gazeta Express ka raportuar të premten se klasa politike e Kosovës, është përfshirë në një aventurë të re politike për ndarjen e Kosovës, pak kohë pasi dështoi iniciativa për shfuqizimin e Gjykatë Speciale.

Por, shtete të fuqishme si Gjermania e kundërshtojnë fuqishëm ndarjen. Gazeta Express i ka dërguar pyetje Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, e cila në përgjigjet e saj ka kundërshtuar ashpër këtë ide.

Gjermanët thonë se e mbështesin pa rezervë tërësinë tokësore të Kosovës, ndërkohë që lojërat për ndarjen e territoreve i konsiderojnë shumë të rrezikshme.

“Gjermania mbështet pa rezervë integritetin territorial të Kosovës. Lojërat me mendime rreth ndarjes të territoreve sipas përkatësisë etnike i konsiderojmë të rrezikshme, prandaj i kundërshtojmë. Këtë e kanë dëshmuar në mënyrën më tragjike konfliktet e fundit të armatosura në vitet 90”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane për Express.

Sipas burimeve të Gazetës Express, lidershipi kosovar, në krye me Hashim Thaçin, ka mundësi që idenë e tyre, e cila është më shumë e Beogradit sesa e tyre, e kanë prezantuar edhe tash në SHBA, në takimet që zhvilluan me këshilltarët e Presidentit Donald Trump, por edhe me drejtorin e CIA-s.

Për idenë e ndarjes fillimisht kanë lobuar grekët ndërkohë që ndërkombëtarët besojnë që në këtë lojë është i involvuar edhe kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Vuçiq. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qenë në pushtet Sllobodan Millosheviq ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë – kuptohet për ta ndarë Kosovën.

Ideja për ndarjen e Kosovës si projekt është promovuar më së shumti në Beograd nga elita e atjeshme politike si shkrimtari dhe politikani i njohur serb Dobrica Çosiq, i cili e kishte elaboruar publikisht idenë e tij për ndarjen e Kosovës, si zgjidhje të përhershme të konfliktit shqiptaro-serb. E njëjta ide po promovohet së fundmi edhe nga ministra të Qeverisë së Serbisë si Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vulin.

Fuqitë e Mëdha në vitin 2005, të njohura si Grupi i Kontaktit (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia), kur kishin vendosur 6 parimet për zgjidhjen e statusit final të Kosovës kishin kundërshtuar fuqishëm ndarjen.

“Çdo zgjidhje e cila është e njëanshme apo rezultat i dhunës nuk do të pranohet. Nuk do të ketë ndryshim të territorit të tashëm të Kosovës, ndarje të Kosovës apo bashkim të Kosovës me cilindo shtet apo pjesë të ndonjë shteti. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë do të respektohet plotësisht”, thuhej në njërën prej pikave të Grupit të Kontaktit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button