Home / Bota / Administrata e Trumpit synon privatizimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor

Administrata e Trumpit synon privatizimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor

Sipas “Washington Post”, që ka siguruar disa dokumente të NASA-s, Shtëpia e Bardhë do t’i japë fund financimeve federale për “ISS”-në në vitin 2025 dhe do të krijojë kushtet që një sipërmarrje private të marrë përsipër menaxhimin e tij.

Me këtë qëllim, në projektbuxhetin për vitin 2019, Shtëpia e Bardhë kërkon 150 milionë dollarë.

“Vendimi për t’i dhënë fund mbështetjes federale në vitin 2025 nuk do të thotë që Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar do të nxirret jashtë orbite. Industria e sektorit mund të vazhdojë ta bëjë të funksionojë në kuadrin e një platforme të ardhshme tregtare”, lexohet në dokumentin e NASA-s.

Plani i Trump do të ndeshet sipas gjasave me kundërshti të mëdha, mbi të gjitha sepse deri më tani Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth 100 miliardë dollarë. Për më tepër, stacioni është ndërtuar për qëllime shkencore dhe jo për të sjellë përfitime.

“NASA do të zgjerojë partneritetin e saj ndërkombëtar dhe tregtar në 7 vitet e ardhshme, në mënyrë që të vazhdojë të garantojë qasjen humane dhe praninë në orbitën e ulët të Tokës”, shkruan “Washington Post”.

Kërkesa e 150 milionë dollarëve për vitin 2019 dhe fonde të tjera në vitet pasuese ka si qëllim të mundësojë zhvillimin dhe maturimin e entiteteve tregtare dhe kompetencave, që garantojnë se pasuesi komercial në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar do të jetë operativ aq sa nevojitet.

Leave a Reply

%d bloggers like this: