Home / Politika / Biznesmeni heq tre “deputetë”. Nga PD ikin dy gra dhe Halimi, i hapin rrugën Astrit Veliajt

Biznesmeni heq tre “deputetë”. Nga PD ikin dy gra dhe Halimi, i hapin rrugën Astrit Veliajt

Dy gra, Juvina Jani dhe Monika Qosja kanë firmosur që të premten refuzimin për të marrë mandatin e deputetit pas tërheqjes së Eduard Halimit si deputet nga lista e Partisë Demokratike në Berat.
Të dy zonjat që renditeshin në fund të listës, por që sipas ligjit mund të përfitonin për shkak të kuotave gjinore, nuk kanë pranuar të dalin në media që kur vendi i deputetit mbeti bosh.

Por a ishte i paracaktuar refuzimi i tyre? Fakt është se të tre dorëheqjet, e Eduard Halimit dhe e të dy zonjave kanë ndodhur më 9 shkurt, siç shkruhet në këto deklarata që zonjat Jani dhe Qosja kanë dorëzuar në KQZ.

Por të premten pasdite, kur deputeti Halimi njoftoi se linte mandatin, Top Channel kontakoi në telefon me të dy zonjat. Juvina Jani, në jetëshkimin e së cilës rezulton të ketë qenë pedagoge në një prej Universiteteve të Astrit Vealijt, dukshëm e prekur nga gjendja shëndetësore e një familjari, tha menjëherë se nuk e pranonte mandatin.

Ndërsa Monika Qosja pohoi me entuziazëm se do ta pranonte me kënaqësi mandatin nëse do t’i vinte radha. Të nesërmen më 10 shkurt, pasi u kontaktua përsëri nga Top Channel, zonja Qosja tha se nuk kishte njoftim zyrtar dhe nuk komentoi më tej.

E vërteta zbulohet nga shkresat që kanë të njëjtën datë, 9 shkurt, me emrat dhe firmat përkatëse të dy zonjave. Janë identike, të formuluara nga e njëjta dorë dhe me të njëjtat gabime gjuhësore. Tre dorëheqje brenda ditës dhe biznesmeni Astrit Veliaj e sheh veten deputet për herë të dytë. Në 2009-ën u kandidua nga PR por nuk fitoi.

Ndërsa në 2013 dhe 2017 u kandidua nga PD, gjithmonë në Berat dhe fitoi. Pas çeljes së një klinike dentare në Tiranë, biznesmeni Astrit Veliaj investoi në arsim, duke qenë sot pronar i një rrjeti shkollash nga ato fillore e deri te arsimi i lartë.

Praktikisht Astrit Veliaj merr vendin që la bosh në Parlament Eduard Halimi, largimi i të cilit shkaktoi habi. Ish-ministri i Drejtësie dhe një nga juristët më të mirë të grupit parlamentar demokrat, që aktualisht ishte nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, vendosi për surprizën e të gjithëve të ndërpresë një karrierë të suksesshme politike, për t’iu përkushtuar, siç tha ai, një projekti afatgjatë të së drejtës ndërkombëtare private në Ballkan.

Leave a Reply

%d bloggers like this: