Politika

Greqia presion Shqipërisë: Hiqni emrin Çamëri nga librat shkollorë

 

Greqia jo vetëm që nuk pranon se ekziston një çështje Çame po do ta zhdukë emrin Çamëri edhe nga librat e hartat shkollore të Shqipërisë.

Kjo ka qenë deklarata që është bërë nga ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias në Parlamentin e shtetit fqinjë.

Ministrit të Jashtëm grek i janë kërkuar sqarime për bisedimet që po zhvillohen me Shqipërinë dhe Maqedoninë për termat nacionaliste në librat shkollorë të këtyre vendeve, nga deputeti X.Theoharis. Kotzias i është përgjigjur kësaj interpelance me shkrim me një letër zyrtare e cila iu përcoll Parlamentin helen.

Në këtë përgjgigje në pjesën e parë që fliste për Shqipërinë, ministri Kotzias është shprehur se pala greke gjatë bisedimeve të komisionit dypalësh të ekspertëve ia ka bërë të qartë palës shqiptare se termat: “territoret shqiptare në Greqi” dhe emërtimi “Çamëri” për territore që janë në shtetin grek duhet të fshihen nga librat shkollorë të Historisë e Gjeografisë.

“Gjatë takimit të fundit të Komisionit të Përzier të Ekspertëve Greko-Shqiptar, pala greke ka këmbëngulur në fshirjen nga librat shkollorë të shprehjeve të papranueshme e fyerëse për unitetin e vendit tonë (Greqisë) si: “territoret shqiptare në Greqi”.

Por edhe shprehjet dhe hartat në të cilat krahina gjeografike greke shfaqen me emërtimin “Çamëri”, të cilat demonstrojnë, fatkeqësissht, se shtetit shqiptar mbetet i bllokuar në retorike anakronike nacionaliste dhe me qëndrime idemadhe, të dëmshme dhe të rrezikshme në radhë të parë për vetë Shqipërinë”, thuhet në përgjigjen e Kotzias dërguar parlamentit, sipas mediave greke.
PRESIONI
Kotzias ka theksuar se pala greke e ka si kusht të panegocueshëm heqjen e këtyre frazave nga librat shkollorë shqiptar. Ministri i Jashtëm grek ka theksuar tekstualisht se: “Qeveria greke ia ka bërë të qartë palës shqiptare se problematika në fjalë është e papranueshëm nga çdo pikëpamje që të jenë në përmbajtjen e librave shkollorë dhe duhet të hiqen në mënyrën më të shpejtë të mundshme”.

Gjithashtu Kotzias ka bërë me dije se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt madje brenda këtij muaji, kur komisioni dypalësh i ekspertëve do të rimblidhet në Athinë. “Pas një këmbëngulje të gjatë nga ana e palës greke për vazhdimin e zgjidhjes së problematikave brenda kronoghramit të saktësuar, pala shqiptare ra dakord që takimi i ardhshëm i Komisionit të Përzier të Ekspertëve Greko-Shqiptar të kryhet brenda 15 ditëshit të dytë të muajit shkurt në Athinë”, ka deklaruar Kotzias.

Nga këmbëngulja e palës greke për rimbledhjen e komisionit dypalësh brenda muajit shkurt bëhet e qartë se deri më tani pala shqiptare nuk e ka pranuar një pretendim të tillë, ndaj edhe Greqia është duke bërë presion.

MBETET VETEM VALLJA
Në hartat greke shumica e zonës ku shtrihet Çamëria emërtohet Thesproti dhe Etolo-Akarnani. Janë emrat e dy qarqeve zyrtare që përdorin grekët për krahinën e Çamërisë. Nuk duhen harruar edhe deklaratat e para pak kohe e Kotzias në televizionin shtetëror grek që nuk ekziston asnjë çështje Çame. Pra pas mohimit të genocidit çam nga Greqia kërkohet edhe fshirja e tyre nga harta.

Popullsi çame nuk ka për grekët, as krahinë çame s’ka se ka Thesproti dhe Etolo-Akarnani, por ama valle çame ose “çamiko” siç e quajnë ata ka edhe është një nga vallet me të cilat grekët e veriut krenohen. Pak absurde por ballkanase. Një popull që sipas grekëve ekziston vetëm në emrin e një valleje!

BISEDIMET SHQIPTARO-GREKE
Kujtojmë se bisedimet shqiptaro-greke për zgjidhjen e shumë mosmarrëveshjeve të vjetra midis dy shteteve kanë kohë që kanë filluar. Takimet midis dy ministrave të Jashtëm Bushati e Kotzias, në Kretë e në Korçë, i kanë dhënë një rrugëzgjidhje shumicës së këtyre problematikave. Nga palët është rifillimi i punimeve për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-41.

Gjithashtu është rënë dakord njohja e patentave shqiptare të makinave në Greqi, njohjen e vulave apostile shqiptare, rishqyrtimi i teksteve shkollore që përdoren në Shqipëri, si dhe furnizimi i minoritetit grek në vendin tonë me libra të posaçëm nga Athina. Po kështu edhe për dy çështjet madhore si abrogimi i Ligjit të Luftës dhe një Pakt i ri Detar është thënë se edhe ato kanë marrë një zgjidhje, shkruan Shqiptarja.com.

Ligji i Luftës është pranuar të abrogohet nga grekët, ndërsa për sa i përket marrëveshjes detare, Greqia ka pranuar se në atë të 2009 me Berishën është gabuar në dëm të Shqipërisë. Kështu pala greke i ka pranuar që t’I llogarisë gjiret si të mbyllura dhe se matja do fillojë jo nga shkëmbijtë e pabanuar si në 2009, por nga ishujt e banuar. Greqia do shtrijë Zonën Ekonomike Eksluzive të saj në 12 milje, por duke përcaktuar “vijën e mesme” në ato vende që hapësira është më e vogël.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button