Kryeartikull

Marrëveshja për detin, fronti i ri i përplasjes midis mazhorancës dhe Presidentit

Shkruan: Ervis Iljazaj

Presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh për marrëveshjen e detin me Greqinë se ai nuk ka dhënë plotfuqishmërinë që kërkohet në këto raste për negociatat për këtë çështje. Një deklaratë kjo që me sa duket do të përbëjë një mosmarrëveshje në këtë histori në ditët në vazhdim midis qeverisë dhe presidencës.

Reagimi i Presidentit erdhi për faktin se, dje u bënë publike nga media disa detaje të reja për marrëveshjen e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat më shumë se sa e sqaruan opinion publik, e bënë edhe më të paqartë akoma, pasi është një çështje aq teknike dhe aq larg interesit të prekshëm të qytetarëve, saqë bëhet e pakuptueshme për të gjykuar me ftohtësinë që kërkon kjo çështje.

E megjithatë, ajo që u vu re nga këto detaje, ishte fakti se u krijua përshtypje se marrëveshja, përtej çdo detaji teknik, tashmë ishte e përfunduar dhe çdo gjë është gati për firmën e dy kryeministrave përkatës.

Mirëpo, qeveria me të gjitha gjasat nuk do ta ketë aspak të lehtë arritjen e kësaj dite, duke parë reagimet e aktorëve politikë, por edhe një pjesë të opinioni publik për sa i përket marrëveshjes.

Në këtë drejtim, Presidenti i Republikës ka të gjithë të drejtën të tregohet vigjilent, pasi është detyra kushtetuese e tij të jetë në monitorim të institucioneve sa herë që bëhet fjalë për sovranitetin e vendit.

Edhe pse, nga ana e qeverisë vazhdon të thuhet se ende nuk jemi në fazën e negociatave, por të parimeve, lajmet që dalin çdo ditë tregojnë që në këtë çështje gjërat kanë arritur më shumë se sa thjesht të parimet dhe kanë hyrë në detaje.

Se sa do t’ia arrijë mazhoranca të kalojë këto pengesa mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt, që kjo marrëveshje është jetike për procesin e integrimit. Një nga gjërat e vetme pozitive që kishte raporti i strategjisë së zgjerimit të Komisionit Europian, ishte vlerësimi për politikën e jashtme shqiptare, duke patur parasysh edhe mënyrën e zhvillimeve të bisedimeve për marrëveshjen e detit.

Prandaj tensioni që krijohet për këto bisedime nuk është aspak në favor të arritjes së një marrëveshjeje që do të ishte e pranueshme nga të dyja palët.

Mjafton të thuash që Shqipëria po “shet detin” dhe krijohet klima për të përdorur çdo gjë politikisht nga opozita dhe çdo aktor tjetër. Ditët e fundit, opozita shqiptare e ka kthyer këtë marrëveshje në kryefjalën e betejës së saj politike, pasi është normale që sa herë bëhet fjalë për një çështje patriotike, shansi për të fituar vëmendje është i lartë.

Deri në arritjen e hedhjes së firmës nga dy kryeministrat përkatës dhe ratifikimit në Parlament, qeveria shqiptare, më parë duhet të rigjejë gjuhën më Presidentin e Republikës dhe opinionin publik, gjë e cila për momentin duket shumë e vështirë për dy arsye. Së pari, sepse ka një përgjegjësi për sa i përket mazhorancës për transparencën e këtyre bisedimeve, duke krijuar keqkuptime dhe konflikte dhe së dyti, sepse këtë marrëveshje dhe kundërshtimin e saj do ta përdorin politikisht, si opozita, por edhe qëndrimet e presidencës, që për arsye që janë të qarta, nuk do të jenë aspak miqësore ndaj qeverisë aktuale.

E rëndësishme është që në të gjithë këtë histori, çdo aktor politik të luajë rolin që i takon, dhe pa tejkaluar asnjë kompetencë që i jep Kushtetuta dhe mos të përdoret kjo marrëveshje për përfitime politike, por në interes të Shqipërisë dhe integrimit të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button